Skip to main content

AZAM DAUTI: 1 DENARË PËR KULTURËN SHQIPTARE = 1 EURO PËR KULTURËN MAQEDONASE!...


Bisedë me Azam Dautin, themelues i Shtëpisë Botuese “Shkupi”, e cila sivjet ishte mjaft aktive në promovimin e produksionit të saj letrar të botuar gjatë viteve 2014 dhe 2015. Me botuesin Azam Dauti, trajtuam çështjen e botimeve të shtëpisë së tij botuese, pastaj folëm për pozitën e kulturës shqiptare në Maqedoni, sfidat e saja dhe si mund të avancohet kultura shqiptare. Qëndrimet e tij rreth pozicionimit të librit shqip dhe kulturës shqiptare në Maqedoni, duket se nuk kanë ndryshuar fare nga ato që ai i shfaqte gjatë viteve të 90-ta, kur u paraqit me magazinën politike “Globi” dhe edicionin botues “Shkupi”. Ishte një bisedë e gjatë, por e këndshme, e herë-herë edhe me humor.



INTERVISTA/ AZAM DAUTI: BARAZIA KULTURORE NË MAQEDONI: 1 DENARË PËR KULTURËN SHQIPTARE = 1 EURO PËR KULTURËN MAQEDONASE!...

Pozita e kulturës shqiptare në Maqedoni?

Ka shumë shkaqe, përse kultura shqiptare në Maqedoni, ka një zhvillim të vështirësuar. Një nga shkaqet kryesore është mosinteresimi i shtetit për përkujdesjen ndaj kulturës shqiptare në Maqedoni. Vetë fakti që shqiptarët udhëheqin vetëm me disa institucione kulturore të përbashkëta, ndërkaq maqedonasit udhëheqin me mbi 300 institucione nacionale dhe lokale kryesisht maqedonase, flet qartë, se cila ëshët mënyra e përkujdesjes institucionale kulturore në Maqedoni. Pastaj, shikoni programin vjetor që quhet  “interes nacional”, duke u nisur nga veprimtaria botuese, ajo e dramës, muzikës, manifestimeve të ndryshme kulturore, trashëgimisë kulturore, artit figurativ, arkeologjisë, filmit, muzeve, bashkëpunimit ndërkombëtar etj. Jorastësisht, tek veprimtaria botuese, përkrahen numerikisht libra përafërsisht me përqindjen e shqiptarëve (por me cilësi të diskutueshme, ndëkaq me mjete për shkak të jotransparencës, nuk e dimë a është respektuar përqindja), që të mbulohet diskriminimi në kategoritë e tjera ku viteve të fundit harxhohen nga 60 milionë euro, pa i përfshirë projektet kapitale. Këto projekte, për disa vite thuhet se e kanë tjekaluar shumën mbi 500 milionë euro. Të vetmet projekte shqiptare të këtij grupi, Teatri i Tetovës dhe ai i Shkupit, a thua rastësisht kanë probleme administrative-organizative që po vonohen në realizimin e tyre?! Njerëz jashtëkosorë janë përgjegjës për këtë neglizhim, apo njerëzit tanë konkret, që kanë qejf të fotografohen, por nuk kanë këmbëngulje njerëzore për të vepruar! Vizitoni uebfaqen e Ministrisë së Kulturës dhe do të shihni, a ka diçka shqiptare në të?! Mbi dhjetë ambasadorë të kulturës janë emëruar edhe në kohën e 2 ministrave shqiptarë, por asnjë prej tyre nuk është shqiptarë! Të mos flasim për projektin konfliktuoz, njëetnik, njëpartiak dhe njëreligjioz “Shkupi 2014”, ku i tërë projekti është përjashtues si ndaj shqiptarëve, ashtu edhe ndaj të gjithë komuniteteve të tjera. Kjo, ndoshta është edhe kryesorja, përse kultura shqiptare në Maqedoni frymon rëndë dhe me shumë ndërprerje të frymëmarrjes së saj. Kur e kemi këtë lloj të frymëmarrjes, është shumë e natyrshme, që krahas vlerave që ofrojnë artistët, krijuesit, piktorët, muzikantët etj, shqiptarë nga Maqedonia, të kemi edhe një numër të madh jovlerash kulturore.

Një historik të shkurtër të shtëpisë suaj botuese “Shkupi”.

Kemi startuar në vitin 1994 me botimin e magazinit politik “Globi”, i cili doli 43 numra. Edhe atë, me ndëprerje të kohë pas kohshme. Në vitin 1995 startuam me edicionin botues dhe sot e kësaj dite vazhdojmë me botimin e veprave të zhanreve të ndryshme. Nga viti 2006 e këndej, përpos botimit të veprave letrare nga autorë shqiptarë, kemi filluar edhe me botimin e veprave letrare nga letërsia botërore. Të gjitha përkthimet e botuara, janë vlera të verifikuara letrare nga vendet të cilët vijnë autorët e këtyre përkthimeve të botuara nga ShB “Shkupi”. Te gjitha veprat origjinale dhe ato të përkthyera janë kryesisht romane, reportazhe, publicistikë, shkencore, monografi, drama dhe poezi. Jemi krenarë që nga autorët shqiptarë në edicionin tonë botues shënohen emrat si Agim Vinca, Miço Samara, Xhevat Limani, Adem Demaçi, Rexhep Zllatku, Fadil Curri, Sefer Musliu, Nuhi Vinca e shumë të tjerë. Nga autorë të huaj mund të përmendim nobelistët për letërsi Knut Hamsun dhe Singrid Undset, pastaj Els de Groen, Per Peterson, Peter Behrens, Jan Kaplinski, Sandra Kalniete, Xhan Dyndar, Zulfu Livaneli e shumë të tjerë. Patëm kënaqësinë që në Shkup sollëm disa autorë të huaj, autoren holandeze Els de Groen (shkrimtare dhe eurodeputete), pastaj shkrimtaren letoneze Sandra Kalniete (shkrimtare dhe eurodeputete), Xhan Dyndarin (shkrimtar turk). Poashtu, në promovimet tona të 5 librave nga letërsisë estoneze dhe në shënimin e 20 vjetorit të “Shkupi”-t, vitin e kaluar kishim mysafir ambasadorin e Komisionit Evropian në Maqedoni ekselencen e tij Aivo Orav. Pastaj në promovimin e librave suedez, ambasadorin suedez Mats Staffansson, si dhe në promovimin e letërsisë kanadeze ambasadorin kanadez Filip Pinington. Ky bashkëpunim me autorë shqiptarë dhe të huaj, do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Si shtëpi botuese jeni anëtar i SHBSH-së dhe një periudhë keni qenë edhe kryetar i saj. Si funksionon kjo shoqatë? Me çfarë problemesh ballafaqohet? Si është bashkëpunimi me shoqatat simotra në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe më gjerë?

Shoqata Botues Shqiptare, në të cilën është anëtare ShB “Shkupi”, SHBSH-ja është edhe anëtare e vetme vëzhguese e rajonit në Shoqatën e Botuesve Ndërkombëtar IPA. Në fillim të viteve 2000, kur mbizotëronte entuziazmi më i madh, kemi pasur raporte më të theksuara me shoqatat e botuesve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky bashkëpunim, nga viti në vit shënon ngecje, jo vetëm nga mungesa e interesit të përbashkët, por edhe nga shkaku se botuesit pëlqejnë të orientohen subjektivisht. Gjë e cila, nuk do të thotë që është e keqe, por kur angazhimet subjektive janë më të theksuara, normalisht që mungon edhe interesi për një bahskëpunim më të gjerë në mbrojtjen e esnafit botues në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ne kemi pasur disa iniciativa qytetare, që për fat të keq, asnjëra nuk u realizua. E para, iniciativa drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Qeverisë së Maqedonisë dhe Doganës së Maqedonisë diku para 11 viteve, ku kemi kërkuar “Qarkullimin e lirë të librit”. Propozuam që Maqedonia të inicoj Marrëveshje bilatreale ose multuraterale me shtetet e rajonit për qarkullimin e lirë të librit dhe të padoganuar. Gjë e cila, nuk u përfill fare, nga institucionet e shtetit. Pastaj, kemi pasur edhe iniciativa të tjera për avancimin veprimtarisë kulturore dhe botuese në Maqedoni, si ajo për krijimin e Departamentit të Kulturës Shqiptare në kuadër të Minsitrisë së Kulurës, pastaj ne si “Shkupi”, kemi propozuar riorganizimin e brendshëm të ministrisë në tre Departamente, atë Shqiptare, Maqedonase dhe Etniteteve të tjera, por që të gjitha kanë dështuar.

Pse ndodhi përçarja dhe u krijua edhe një shoqatë tjetër?

Qesharake të thuhet se ndodhi përçarje të botuesve, sepse realisht ndodhi shkëputje e 4 antarëve të SHBSH-së në vitin 2004, për arsye banale. Këta 4 anëtarë nuk pranonin që kandidatë për kryetar të jetë nje botues, që ka të botuar kryesisht libra fetarë. Fundja, këta miq tanë, që asokohe u shkëputën, për këtë arsye, një gjë nuk e kuptuan, se shoqata e botuesve nuk të bënë botues. Pra, ne në atë kohë, mundoheshim t’ua sqarojmë këtyre anëtarëve tanë, që të kesh shtypshkronjë, nuk do të thotë të jesh botues. Ekzistojnë shtëpi botuese, që kanë shtypshkronjat e veta, por ata nuk i përziejnë këto veprimtari krejtësisht të ndryshme. Thjeshtë, tre prej këtyre antarëve që u shkëputën, sot e kësaj dite më shumë kanë vepruar dhe menduar si shtypshkronja se sa si botues. Madje, unë sinqerisht u kam thënë: Do t’ua bënim hallall, që ikët, nëse ju etabloheshit si botues dhe përfitonit edhe më shumë nga Ministria e Kultures. Por, e vërteta është që ata nuk u etabluan dhe nuk bën para si botues, ndërkaq SHSBH-së i shkaktuan dëme të mëdha në pengimin tonë që të afirmojmë vlerat letrare shqiptare dhe kulturore në mënyrën që ne mendonim se mund t’i afirmojmë këto vlera. Vetë fakti, që botuesit që janë në SHBSH, dallohen nga këta të ashtuquajtur botues, që fjalën botues e thonë vetëm kur duhet aplikuar në Ministri të Kulturës. E para, botuesit e SHBSH organizojnë dhe marrin pjesë kudo nëpër panaire vendore dhe të jashtme, qoftë në formë të organizuar, qoftë në forma individuale. E dyta, disa botues të SHBSH, janë konkurencë reale qoftë në aspektin sasior, qoftë në atë cilësor me botuesit më të mëdhenj të rajonit (Logos-A, Furkan, Albas, Nun etj.). E treta, botuesit e SHBSH janë vazhdimisht aktiv, pavarësisht se a përkrahen a nuk përkrahen nga Ministria e Kulturës. Por, është turp, për Ministrinë e Kulturës, që botuesit e mirëfilltë shqiptarë të nëpërkëmben dhe të barazohen me jobotuesit. Madje, ç’është më e keqja, botuesit tanë kryesor, po e humbin dëshirën për të aplikuar në Minsitri. Të jem tërësisht i sinqertë, Shtëpia Botuese “Shkupi”, veten e ndjen të ofenduar, nëse nuk i përkahen 80 përqind e projekteve të aplikuara. Pra, nëse me libra dhe mjete materiale jemi nën shtëpitë botuese maqedonase të ngjashme me ne, si “Magori” dhe “Matica”, për ne është ofendim dhe diskriminim. Këtë, ua kam thënë edhe funksionarëve shqiptarë, që emërohen në këtë Minsitri, por ata nga inferioriteti i tyre professional, nacional dhe njerëzor, këtë assesi ta kuptojnë. Madje, edhe më keq, ka vite, që ne jemi barazuar dhe nënvlerësuar njësoj si këta jobotues, që u përkahen me aq vepra sa konkurojnë, pavarësiht që projektet e tyre, madje as që përkojnë me kriteret e letërsisë, duke botuar libra me tematikë, sporti, shëndetësie, turizmi, sociale dhe tema të tjera të magjistraturave. Madje, a nuk ka turp më të madh për Minsitrinë që 10 vite me radhë çuditërisht i delegon ata nëpër panaire ndërkombëtare! Vallë, si e kanë prezentuar ata produksionin letrar të Maqedonisë, kur vetë ata s’kanë produksion real të tyre?!

Sa mbështetje ka kultura shqiptare në Maqedoni në përqasje me kulturën maqedonase?

Hahhaaaa. Mbështjetje qesharake, prandaj edhe po qesh me plot hidhërim. Për t’u përgjigjur pyetjes suaj, do t’ju përkujtoj që të gjithë funksionarët më të lartë shqiptarë, që kanë qenë aty si ministra dhe si sekretarë shtetëror, gjithmonë janë lavdëruar se kaq ”qindramijë apo milionë denarë janë dhënë për këtë e atë projekt shqiptar”, ose kanë përdorë frazën tejtër “do të bëjmë këtë, apo atë…” (gjithmonë në kohë të ardhshme, deri sa t’u përfundojë mandati), e gjitha këto të “arritura” bëhen në saje të “meritave” të tyre, për “poena politikë”! Ndërkaq, ministresha maqedonase gjithmonë flet për projekte konkrete maqedonase, për qindramijë dhe miliona euro, që realizohen brenda natës. Pra, e vërteta, duhet të jetë diku ndërmjet këtyre parametrave. Pra 1 denarëshi i Maqedonisë me 1 euron evropiane. Pra 1 denarë për kulturën shqiptare, 1 euro për kulturën maqedonase! Ky mund të jetë raporti i barazisë kulturore në Maqedoni. Pavarësisht, tregimeve të funksionarëve shqiptarë, që punojnë në këtë Ministri dhe që nuk zbehen fare nga gënjeshtrat që i thonë, se kultura shqiptare përkrahet 22, 32, apo 37 përqind, gojarisht mund t’u them edhe 102 përqindshin e Amdi Bajramit, por fatkeqësia reale është se shqiptarët janë të përkujdesur në mënyrë të barabartë nga shteti në proporcion me vlerën e 1 denarit për kulturën shqiptare dhe vlerën e 1 euros për kulturën maqedonase. Gjithçka tjetër është spekulim më i madh, se sa ky spekulim i imi, që e nxjerr në mungesë të transparencës së Ministrisë në shpërndarjen e mjeteve. Personalisht, për nevojat e temës sime të magjistrtaturës, kam kërkuar të më jepen të dhëna të sakta nga Ministria e Kulturës sa mjete janë haxhuar nga viti 2007 deri në vitin 2013. Nuk më janë dhënë! Pse?! A nuk është e drejtë ligjore e çdo qytetari ta di se ku shkojnë mjetet e taksapaguesëve?! Aq më shumë, që kërkesa ime ishte drejtuar me shkrim, në mënyrë oficiale, për temën e magjistraturës “Zhvillimi i barabartë kulturor në Maqedoni, si parandalim i konfliktit të mundshëm në Maqedoni”. Prandaj, kur mungon transparenca e shpërndarjes së parave të popullit, atëherë lulëzojnë spekulimet në përqindje, si të duash dhe sa të duash e zvogëlon, sa të duash e rrit.

Fondi që shpërndahet për shqiptarët thuhet se keqpërdoret nga shqiptarët . Thuhet se merren fonde për libra e projekte që nuk realizohen, ose realizohen sa për sy e faqe? Botohen shumë libra me mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe ato libra nuk dalin në shitje, nuk mund t`i shohësh askund. Çfarë mendimi keni Ju për këtë fenomen?

Ky është një fakt i dhimbshëm, që mjerisht ndoshta ekziston, por e di një gjë, që pikërisht ata që bëjnë keqpërdorime të këtilla, akuzojnë të tjerët, që bëjnë keqpërdorime. Madje, mua më duket shumë gjë e ulët, të mendohet të bëhen keqpërodrime, për shuma të vogla dhe thuaja qesharake për 1 mijë apo 2 mijë euro, sa janë mbështetjet e Ministrisë për libra. Thjeshtë, shtrohet çështja, për çfarë “interesi nacional”, mund të flitet, kur vepra të caktuara mbështeten sa për sy e  faqe, që mbulojnë pjesërisht harxhimet e shtypit dhe fare pak ato autoriale. Pavarësisht nga ajo, që Minstria këto harxhime i ndanë në dy pjesë. Kur është fjala për keqpërdorime, për të cilat, nuk mund të flas me kurrfarë kompetence, sepse nuk kam qasje në to, por në sferën e thashethemeve, ekziston një mendim, që disa nga funskionarët shqiptarë që kanë defiluar më së të larti në këtë Ministri, kanë kërkuar përqindje në shuma qesharake për projekte të kaluara, nga 100, 200 euro, apo më shumë për çdo libër, apo projekt të kaluar në këtë Ministri. Nëse kjo thashetheme është e vërtetë, atëherë kjo është më e tmerrshme se çdo keqpërdorim i aplikuesëve që marrin mjete nga Ministria e Kulturës. Madje, mund të jetë mu kjo, ajo që e shtroni ju si dilemë, sepse një keqpërdorim e lind një keqpërdorim tjetër. Pastaj, vetë fakti që botuesit e mirëfilltë shqiptar anashkalohen në favor të jobotuesve dhe profiterëve të vegjël, të shtyn të dyshosh se mund të ketë keqpërdorime të këtilla. Shtëpia jonë botuese “Shkupi”, deri më tani 3 herë ka qenë e nënshtruar inspekcionit të Ministrisë së Kulturës dhe që të tre herë, inspektorët vetëm kanë vërtetuar atë që mjetet janë harxhaur në përputhje me kriteret e Ministrisë. Vallë, përse ka nevojë Ministria të dërgojë inspektorët tek një shtëpi botuese, që me përpikmëri aplikon dhe me përpikmëri i realiozn projektet që i pranohen nga kjo Ministri?! Përgjigja është e qartë: Të mbulohen keqpërdoruesit e tjerë!

Sa botues të mirfilltë shqiptarë mund të ketë në Maqedoni? Ndërsa botuesit nga Shqipëria kanë një ngritje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve, çka ka ndodhur me botuesit shqiptarë në Maqedoni, me përjashtim të disave, që kanë ngecur në vend.

Në Maqedoni ekzistojnë shtëpi botuese që kanë tejkaluar dy dekada të funksionimit të tyre dhe këta mund të quhen botuesit që tentojnë të mbajnë një identifikim të tyre ne produksionin botues shqiptar. Ekzistojnë të tjera që tentojnë të mbijetojnë. Mirëpo, realisht botuesit e mirëfilltë shqiptarë në Maqedoni, mund të numërohen me gishtat e dorës. Madje, edhe brenda këtyre mund të bëhet seleksionimi cilësor i tyre, se cila më shumë, e cila më pak është e orientuar në vepra letrare, shkencore, fetare, publicistike, të traditës, të përkthimeve, shkollore etj. Meqë, nuk dua të veçoj ndonjërën prej tyre, por kur në një nga pyetjet tuaja u përgjigja se “shoqatat e botuesve nuk të bëjnë botues”, e kisha fjalën mu tek ajo, se një botues, duhet të ketë nishanet profesionale si një esnaf i mirëfilltë botuesish, i cili me saktësi e di, se çka dëshiron të botojë dhe si duhet ta realizojë dhe plasojë atë. Për shembull, dy shtëpi botuese që tashmë nuk ekzistojnë, FI-GA dhe Album nga Tetova, ata edhe pse e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, mirëpo me vetë produksionin e pakët letrar që e ofruan gjatë viteve 90-ta, dëshmuan për atë, se bëhet fjalë për botues të mirëfilltë, që themeluesit e tyre e donin dhe e respektonin librin. Kjo, do të thotë, se nuk janë botues ata shtypshkronja, që ua shtypin librin autorëve, ua vën logon e shtypshkronjave si botues, e marrin një ISBN nga biblioteka si botues dhe në fund tërë tirazhin, që e ka paguar autori për shërbimin e shtypit e merr po ai në shtëpi. Ju lutem, këtu devalvohet edhe puna e autorit, edhe puna e  shtypshkronjës, sepse mungon botuesi real i këtij produksioni letrar. Madje, një gjë nuk e kuptojnë as autorët tanë, se paraqitja si botues - autorë, apo botues - shtypshkronjë, ia ul vlerën reale çdo libri që botohet në këtë mënyrë. Autori mund të financojë librin e vet, por ai për këtë vetëfinancim duhet të ketë një marrëveshje të shkruar, se sa përqind merr autori dhe sa përqind merr botuesi nag tirazhi. Por, në asnjë mënyrë nuk ka të bëj kjo me paraqitjen e shtypshkronjës si botues. Pa këtë raport të mundshëm, ku mungon logoja reale, e një botuesi të mirëfilltë dhe mungon promovimi i librit në mënyrën që e meriton një libër, devalvohet edhe puna e autorit, por edhe asaj shtypshkronje, që kryen shërbim shtypi, sepse në procesin e botimit të librit, të gjithë i kanë meritat e tyre në fushën e vet. Poashtu, nuk mund të flasim për botues të mirëfillt, kur ndonjë botues nga 10 apo edhe të ketë botuar edhe 100 libra, nëse 5 ose 50 prej tyre janë të vetë themeluesit, të botuesit, ndërkaq ky autor nuk ka kaluar të afirmohet as jashtë fshatit, apo qytetit të vet. Ose, edhe më keq, të ashtuquajturit botues, që mbi 90 përqind të produksionit e kanë pirateri klasike, duke botuar libra nga lektyrat shkollore dhe shkrimtarë të traditës, që u nevojiten nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Unë e kuptoj nevojën për këto libra, por kur këto bëhen në mënyrë jolegale dhe në formë piraterie, atëherë këta që e bëjën këtë, nuk janë botues, por tregtarë të pandërgjegjshëm, që keqpërdorin mungesën e botimit të këtyre librave deficitarë në treg.

Si qëndron puna me librin shkollor, me botimin e tij?

Që nga viti 2010 më duket, Ministria e Arsimit paraqitet si botues i librit shkollor, që është një përjashtim klasik i botuesve nga botimi i librit shkollor. Gjatë viteve 2000, SHBSH-ja ofroi gatishmërinë e saj, që me ndihmën e Librit të atëhershëm shkollor të Tiranës dhe Prishitnës të bëjë përgatitjen e të gjitha librave shkollorë në gjuhën shqipe të Maqedonisë. Mirëpo, kjo ofertë dhe ky edicion i ashtuquajtur “Libri shkollor”, u anashkalua nga ana e partive politike shqiptare asokohe, por edhe tash. Prandaj, nuk habitemi fare, pse ndodhin gabime trashanike nëpër tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Kjo, ndodh kështu, sepse vetë Ministria e Arsimit është jokomptente, për të hartuar tekste shkollore. Aq më shumë, kur kjo bëhet me përkthime të librave nga maqedonishtja në shqip. Nuk e di, si do ta avancojmë arsimin shqip, me këto tekste shkollore, që janë më të pakuptimta se para vitit 2000. Ndërkaq, nëse Ju kujtohet ne qysh atëherë patëm reaguar me të drejtë për anomalitë e shumta që i kishin ato tekste të “Prosvetno Dello-s”. Mjerisht, sot situata me këto tekste shkollore është dhjetëfish më keq se atëherë. Ndërkaq, jo vetëm ne si botues, por edhe profesorët universitar, të asaj kohe në një tryezë të organizuar nga SHBSH-ja, e vërtetuan me fakte shkencore, që këto libra duhet të dalin jashtë përdorimit. Më habit fakti, ku është kjo elitë arsimore e shkencore, sot, kur këto tekste shkollore paraqesin krim të njerëzimit dhe trungut shqiptar në Maqedoni?! Pra, aso kohe edhe kjo elitë, njësoj si ne thoshte, që të gjitha tekstet shkollore të “Prosvetno Dello-s”, duhet të dalin jashtë përdorimit. Për të dëshmuar, që edhe në aspektin individual, SHBSH-ja ka pasur dhe ka kapacitete për të realizuar edhe këtë projekt shumë të rëndësihëm për arsimin shqip, e kanë dëshmuar dy shtëpitë botuese Logos-A dhe Albas, që janë anëtare të SHBSH-së. E para, me botimin e disa teksteve shkollore dhe lektyrave, ndërkaq e dyta është bërë shtëpia botuese e specializuar për tekste shkollore në Shqipëri dhe Kosovë.

Si botues këto kohët e fundit keni botuar disa kolana me libra nga shtete të ndryshme. Si u ka lindur ideja për këto projekte dhe a jeni të kënaqur me mbështetjen dhe realizimin e tyre dhe sa e kanë ndihmuar shtëpinë tuaj botuese që të mëkëmbet.

Viteve të fundit kemi filluar të promovjmë një pjesë të produksionit tonë letrar. Këtë vit, këtë paraqitje letrare, duket se e kemi shtuar në një formë pak më të theksuar. Mirëpo, sipas mendimit tim, efektet e promovimit, edhe më tutje, nuk po e arrijnë qëllimin, për të cilin edhe promovohen librat. E ajo, gjithsesi që është shtimi i lexueshmërisë tek gjeneratat e reja. Ne jorastësisht, në të gjitha promovimet e deritanishme dhurojmë sëpaku nga 100 libra të atyre që botohen dhe promovohen. Madje, disa nga miqtë tanë, na rekomandojnë se kjo metodë nuk është e arsyeshme, sepse sipas tyre, “libri që merret falas nuk lexohet”. Ndoshta, kanë të drejtë, mirëpo ne me këtë mënyrë, e bëjmë edhe shpërndarjen e librit. E di, që kjo në aspektin material, nuk paraqet kurrfarë mëkëmbje të shtëpisë sonë botuese. Madje, kur këtyre dhuratave nëpër promovime, por edhe panaire, t’u shtohen edhe dhuratat për nxënësit e shkëlqyeshëm të disa shkollave të Shkupit, del që ne si shtëpi botuese në vit dhurojmë 3-4 mijë kopje. Po të materializoheshin këto, sëpaku nga 5 euro në kopje, do të ishte një shumë e konsiderueshme për mbajtjen gjallë të veprimtarisë sonë. Mirëpo, ne mbetemi me shpresë, që kjo do të rikthehet një ditë, me krijimin e kushteve reale të ekonomisë së lirë të tregut, kur libri do të bëhet mall i kërkuar nga konsumatori lexues. Sa i përket promovimeve, ne sivjet promovuam në fillim të vitit 9 vepra të përkthyera nga suedishtja në shqip, pastaj vazhduam me promovimin e 20 veprave të përkthyera nga norvegjishtja në shqip, pastaj promovuam 4 vepra nga letërsia kanadeze, 7 nga ajo turke dhe së fundit 5 vepra nga autorë shqiptarë. Të gjitha këto libra janë produksion letrar i Shtëpisë Botuese SHKUPI, që janë botuar në vitin 2014 dhe 2015. Për vitin 2016, planifikojmë të ndërrojmë mënyrën e promovimeve, duke u dhënë përparësi promovimeve individuale për secilin autorë shqiptarë, ndërkaq do të mbeten promovimet grupore për përkthimet letrare. Kur është puna te promovimet dua të falenderoj të gjitha mediumet elektronike dhe të shtypit që i përcollën këto promovime, dhe njëkohësisht të shpreh indinjatën tonë ndaj MTV2 që keqinformon dhe anashkalon tërësisht veoprimtarinë e Shtëpisë Botuese "Shkupi", për arsye që ata e din më mirë. Do të jap një rast se si “informon” ky medium publik, që marrin rroga nga paratë tona. Para 4 viteve në Shkup e sollëm europdeputeten Sandra Kalniete, sepse e patëm botuar librin e saj “Këpucë balerine mbi dëborë”. MTV2 vjen në promovim, e sheh autoren, e shfleton librin ku shkruhet botuesi, e jep logon e botuesit në baner, e jep prozhektorin ku shkruan se cili libër është, kush është autor, botues dhe mbështetës i librit, pa e përmendur fare botuesin. Ndërkaq, në fund jep informacion: Ky libër u botua nga Shtëpia Botuese “Furkan”! Të vetmen informatë që e jep, e jep gabimisht! A thua pse?! Kujt i pengon veprimtaria letrare e Shtëpisë botuese “Shkupi” në MTV2?!




Sa lexohet? Sa përqind e familjeve shqiptare në Maqedoni mund të mos kenë asnjë libër në shtëpi?

Pyetja është e mirë, por përgjigja mund të jetë totalisht e pasaktë, sepse në këtë kohë të zhvillimit të teknologjisë, shumë njerëz do të nxirren me atë, se interneti tash ka marr hov, dhe ka rënë interesimi për leximin e librit në letër. Ky arsyetim, sipas meje, nuk është aspak i saktë. E para, të gjtiha librat që botohen nuk janë në formë elektronike, për të mos thënë shumica e botimeve shqiptare, nuk janë edhe botime elektronike. E dyta, ndjenja e të lexuarit në letër dhe monitor, nuk është e njëjtë. E treta, nëse i marrim si përkufizim të leximit, se sa shiten librat në Maqedoni. Ju lutem, pyesni ato pak librari që ekzistojnë në Maqedoni, sa shitje të librave kanë në vit. Natyrisht, duke i përjashtuar librat e obligueshme dhe profesionale, që u nevojiten qytetarëve për nevojat e tyre. Sigurisht, që kjo përgjigje e tyre, do të jetë shumë e afërt me realitetin se sa lexojnë shqiptarët në Maqedoni. Madje, edhe ata shqiptarë, që llogariten si figura shoqërore politike e kulturore në Maqedoni, ndodh që të mos kenë lexuar asnjë libër, jashtë atyre lektyrave shkollore. Ky ëshët realiteit i lexueshmërisë në Maqedoni.

Politika dhe kultura!

Temë shumë interesante dhe njëkohësisht e ndërlikuar për shpjegim të drejtë. Politika mund të jetë faktor nxitës në zhvillimin e kulturës. Madje, edhe ashtu duhet të jetë. Mirëpo, kur politika tenton të kontrolloj gjithçka në kulturë, në fakt e ngadalëson zhvllimin e saj. Jorastësisht, kemi raste kur artistë të njohur nga trevat tona nuk arrijnë të punësohen në Shkup, ndërkaq bëjnë karierë aktoreske në Holivud. Madje, një ndër angazhimet tona të parealizuara ka qenë edhe depolitizimi dhe departizimi i kulturës në përgjithësi. Gjë, që nuk po realizohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë garniturë politike. Për shembull, në fushën tonë botuese, është për t’u çmendur nga inati, që produksionin tonë letrar të dekadës së fundit, më tepër e çmojnë letrarë, shkrimtarë, përkthyes e amabasador të huaj, se sa funksionarët më të lartë shqiptarë në Ministrinë e kulturës. Gjëja më e keqe, si dhe më e dhimbshme në aspektin njerëzor, është që gati se të gjithë funksionarët tanë më të lartë, që kanë qenë të emëruar në Ministrinë e Kulturës, në ditët e para të tyre, kanë kërkuar mbështetjen tonë, si njohës të sferës së kulturës, ndërkaq më vonë në mënyrë të pashpjegueshme kanë tentuar, sa më shumë ta shkelin Shtëpinë tonë botuese “Shkupi” dhe Shoqatën e Botuesve Shqiptarë. Duket paradoksale, por kjo të shtyn të mendosh, që ndonjë kokë e lartë shtetërore urdhëron që diskriminimi kulturor të filloj nga ne si botues më të zëshëm për avancimin e kulturës shqiptare. Nuk e di, a ëshët kokë shqiptare, apo kokë maqedonase, kjo që urdhëron në vazhdimësi nëpërkëmbjen tonë, por e di një gjë, që këtë e lejojnë kokat shqiptare. Kjo, ndodh kështu, që nga themelimi i SHBSH-së në vitin 2000 e këndej.

A ka ndonjë përjashtim, kur poltika ndikon pozitivisht?!

Po. Në nivel lokal. Me këtë rast, mund të jetë shembull i mirë i Komunës së Çairit dhe kohëve të fundit edhe i Komunës së Tetovës, në përpjekjet, që sipas mundësive të tyre, tejet të kufizuara, ta mbështesin kulturën që kutlivohet në kuadër të hapësirës së tyre territoriale. Me këtë rast, ne si Shtëpi Botuese SHKUPI, duhet të falenderojmë që Komuna e Çairit i ka vënë në dispozicion edhe hapësirën edhe infrastrukturën e Komunës së Çairit, për nevojat promovuese të SHB “Shkupi”, me vite të tëra. Kjo, dëshmon se kryetari i saj z.Izet Mexhiti, jep shembull pozitiv, se si duhet të respektohet libri dhe kultura shqiptare edhe nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Shembuj të tjerë…

Nuk po të kuptoj, por nëse e ke fjalën për përjashtime pozitive. Gjithsesi që ekzistojnë në shumë drejtime. Mirëpo, me këtë rast, mund të veçojmë se si faktori politik, mund të luaj rol pozitiv në caktimin e njeriut të duhur në vend të duhur për menaxhimin kulturor. I këtillë, është emërimi i drejtoreshës së Qendrës Kultuore Informative në Shkup, znj.Sermine Purini, e cila këtë institucion nën kompetencat e Qytetit të Shkupit, e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë që mundet. Këtë, e bazojmë në atë, se me kreativitetin e saj menaxhues, ky institucion u bë institucion i hapur dhe i lirë, për të gjitha manifestimet e ndryshme kulturore shqiptare dhe të tjerëve në Shkup. Këto kuadro dhe institucione duhet të mbështeten, e jo ata funksionarë më të lartë shqiptarë që nuk e kanë kryer detyrën e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme në Ministrinë e Kulturës.

A është koha që Ministrinë e Kulturës ta udhëheq edhe ndonjë shqiptar tjetër që punët të fillojnë të ecin mbarë?

Shqiptarët kanë pasur ministra shqiptarë edhe në këtë periudhë dhjetëvjeçare, por në kohën e tyre filluan të kalojnë projektet megalomane të kishave në Shkup, me premtim se do të ndërtohet xhami në Tetovë. Kisha u ndërtua para parlamentit, xhamia në Tetovë u harrua! Gërmimet në Kalanë e Shkupit filluan në kohën e ministrit shqiptarë, sot e kësaj dite Kalaja mbetet e mbyllur për qytetarët! Në kohën e ministrit shqiptar filloi nënçmimi më i madh i librit, duke dërguar matemacient në komisionin e veprimtarisë botuese. Me këtë nuk i amnestoi sekretarët shtetëror, që janë të partisë tjetër shqiptare, sepse ata vetëm e kanë vazhduar agoninë, e në disa raste edhe e kanë tejkaluar. Them kështu, sespe asnjë sekretarë shtetëror, nuk e ka avancaur një punëtor shqiptar që e ka gjetur aty. Ndërkaq, puna parësore e sekretarit shtetëror është kontrolli, menaxhimi dhe sistemimi i administratës në Ministri. Kur sekretari shtetëror nuk e kryen detyrën e vet ligjore, ai as që mund të ndikoj në politikën kulturore të Ministrisë. Dua të dal në përgjigjen Tuaj, se nëse merret Ministria e Kulturës për të dërguar një ministër shqiptar, i cili do ta shtoj përqindjen e projekteve, të shpeshtën e rasteve partiake, nuk kemi bërë asgjë. Por, do të ishte tepër e dobishme që të dërgohej ministër shqiptar në këtë ministri, por subjekti që e delegon atë, të bëj marrëveshje koalicionuese, që në këtë ministri të bëhet riorganizimi dhe sistematizimi i Ministrisë, në mënyrë të përshpejtuar në qeveri dhe në parlament. Ku në marrëveshje koalicionuese do të ishte që Ministria e Kultures, të përbëhej nga tre departamente, atë të Kulturës Maqedonase, atë Shqiptare dhe atë të Etniteve të tjera. Natyrisht, që këto departamente, do të hartonin politikë të përbashkët kulturore, por do të kishin edhe mëvetësinë e tyre financiare dhe vendosëse, sepse të tre grupacionet kanë nevojat dhe kërkesat e ndryshme. Për shembull, kultura shqiptare, ka nevojë që të thith mjete financiare, si nga ato që i takojnë me ndarjen proporcioanle të buxhetit, poashtu edhe nga fondacione të huaja, sepse i mungojnë objektet kulturore. Madje, nëse flasim për ndarje të buxhetit proporcional, atëherë partitë politike shqiptare, përse nuk e inicojnë këtë nevojë tonën të kahmotshme. Nëse nuk bëhet ndarja proporcionale në Minsitri të Kulturës, ku është më së lehti të realizohet, atëherë si presim që ndarja proporcionale të jetë në ekonomi, bujqësi etj?! Propozimi ynë për këtë sistematizim dhe organizim të Ministrisë së Kulturës, mund të jetë test i mirë për partitë maqedonase, se a janë përnjëmend për ndarje të drejtë dhe të barabratë e proporcional të buxhetit, apo jo?! Në asnjë ministri tjetër, apo fushë tjetër, nuk është më së lehti, se sa të bëhet kjo ndarje kaq e lehtë dhe kaq e nevojshme, si për kulturën shqiptare, ashtu edhe për atë maqedonase dhe të tjerëve.

Për Panairin e Shkupit dhe Panairet në Tetovë. Pse janë kaq të vakëta panairet në Tetovë? Pse ka rënë kaq shume interesimi i vizitorëve? Pse ka kaq pak shitje? Kriza ekonomike i ka fajet apo oferta e botuesve?

Vetë pyetja juaj, nga pak e jep edhe përgjigjen. Mund të jenë të gjitha ngapak. Madje, në Panairin e Shkupit, ndodh fenomeni edhe më i keq, atje hapësira është më e madhe, harxhimet më të mëdha, ndërkaq,  jo që s`ka shitje, por fillon të të merr malli të shohësh vizitorë në stendën tënde. Pikërisht nga kjo, ne si shtëpi botuese ka dy vjet që nuk marrim pjesë në këtë Panair.

Niveli i arsimit dhe leximi. Sa ndikojnë shkollat tona që fëmijet të futen në botën e librit?



Kjo është temë arsimore më shumë, por kur është fjala tek libri, unë e kam hetuar një gjë që është alarmante për shkollat fillore dhe të mesme në përgjithësi në Maqedoni. Që nga viti 90 e këndej, shkollat e kanë ndërprerë furnizimit e tyre me libra për bibliotekat e tyre në mënyrë të organizuar. Përse e kanë bërë këtë nuk e di, por ndjehet nevoja që këto biblioteka të pasurohen me librat e ri. Ky vakum 25 vjeçar i mos furnizimit me botimet e reja në mënyrë të organizuar dhe jo në formë stihike, që mund të jenë furnizuar kohë pas kohe ndonjë shkollë, e determinon edhe nivelin e ulët të inetresimit të nxënësve për leximin e lektyrave shkollore, e lere më për literaturë tjetër sipas preferencave të tyre letrare.

Për portalet Flurudha dhe Tetova News
Intervistoi: Enver Neziri


AIVO ORAV, ambasador i BE-së në Shkup:  ShB  "Shkupi", përmes përkthimeve letrare, po bën më shumë se politikanët tuaj, drejt eurointegrimeve...


Ambasadori suedez Mats Staffansson: Jam shumë i lumtur, që përmes botimeve të ShB "Shkupi", lexuesi shqiptar në Maqedoni, po e njeh kulturën suedeze.
Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit: Falënderojmë ShB "Shkupi", që me këto promovime të përkthimeve të letërsisë botërore, po e pasuron dhe po sjell vlera kulturore botërore në vendin tonë.
Ambasadori Filip Pinington (Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi): ShB "Shkupi", përmes botimeve kanadeze, Ju sjell frymën e qytetarëve të lirë dhe të barabartë nga Kanadaja, që është edhe interes i çdo vendi demokratik, si dhe vendit Tuaj...





PROMOVIM TE 5 LIBRAVE NGA LETERSIA SHQIPTARE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" (19 dhjetor 2015, Salla e Komunes se Cairit
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

PROMOVIM TE 7 LIBRAVE NGA LETERSIA TURKE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" (2 dhjetor 2015, Salla e Komunes se Cairit
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

PROMOVIM TE 4 LIBRAVE NGA LETERSIA KANADEZE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" (25 nentor 2015, Salla e Komunes se Cairit
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

PROMOVIM TE 20 LIBRAVE NGA LETERSIA NORVEGJEZE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" (19 nentor 2015, Pallati kultures ne Tetove)
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

PROMOVIM TE 9 LIBRAVE NGA LETERSIA SUEDEZE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" (3 korrik 2015, Salla e Komunes se Cairit)
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

PROMOVIM TE 5 LIBRAVE NGA LETERSIA ESTONEZE te botuara ne shqip nga SHB "SHKUPI" dhe 20 vjetori i SHB "SHkupi" (4 qershor 2014, Salla e Komunes se Cairit)
Posted by Azam Dauti on Friday, December 25, 2015

Popular posts from this blog

Psikologu irlandez: Religjionet do të zhduken!?

Hulumtimin e tij Barber i kishte bërë në 137 shtete. Ndërsa, sipas tij, nga këto hulumtime doli se në çdo shtet të zhvilluar ateizmi është në rritje. Rezultatet e hulumtimit të tij i shkroi në një artikull për Psychology Today. Ai vë në dukje se në vendet në zhvillim, të tilla si ato të Afrikës, ateizëm fare nuk ka. Në anën tjetër, në shtetet e zhvilluara evropiane ateizmi është në rritje. Barber përmend si shembuj Suedinë (64 për qind ateistë), Danimarkën (48 për qind ateistë), Francën (44 për qind ateistë) dhe Gjermaninë (42 për qind ateistë). Antropologët, thotë Barber, vitet e fundit merren me çështjen se pse ateizmi është në rritje në vendet ekonomikisht të zhvilluara. Antropologu James Fraser pohon se feja është një mjet me të cilin njerëzit ndihmohen të përballen me pasigurinë ekzistenciale. Barber beson se kjo tezë është e saktë. “Ka shumë gjasa që ateistë do të jenë njerëzit me fakultet që jetojnë në qytete”, thotë ai. Barber gjithashtu pohon se ka shumë ateistë në vendet ku paba…

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …