VËSHTRIM MBI PËRENJTË VËRSHUES TË SHIPKOVICËS


Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti


Shipkovica shtrihet 11 km në veriperëndim të Tetovës. Në rrugën që çon nga Tetova në Kodrën e Diellit, në anën e djathtë vazhdon rruga anësore që çon në Shipkovicë dhe në katundet tjera të Malësisë së Tetovës, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Përgjatë kësaj rruge, shtrihet Shipkovica, në një gjatësi prej afër 2 km, e ndarë gati përgjysmë nga kjo rrugë. Para pak ditësh, më 3 gusht 2015, ky vendbanim dhe disa vendbanime të tjera rrëzë Malit Sharr u goditën nga vërshimet e përrenjve malorë që kalojnë nëpër këto vendbanime, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima në njerëz.

Pas kësaj tragjedie, nga të gjitha anët erdhën ndihma dhe përkrahje për banorët vendës që pësuan nga kjo katastrofë natyrore, prandaj, në shenjë falënderimi për solidaritetin e tyre të pakursyer e kam përgatitur këtë vështrim, jo për t’i identifikuar shkaqet e këtyre vërshimeve, por për t’u ofruar një pasqyrë më të plotë, kryesisht për regjionin e Shipkovicës, si banor vendës, pa u mbështetur në asnjë burim të mëparshëm në formë të shkruar. Në këtë vështrim, në bazë të përvojës sime dhe të dhënave nga banorët më të vjetër, i kam paraqitur këto të dhëna për përrenjtë vërshues që kalojnë nëpër këtë vendbanim, burimet, rrjedhën dhe fuqinë shkatërruese të tyre gjatë vërshimeve, pa pretenduar që ky punim të jetë gjithëpërfshirës dhe shterues. Këtij punimi i janë bashkëngjitur edhe fotografi, të cilat e ilustrojnë në mënyrë më të plotë gjendjen e krijuar pas këtyre vërshimeve.



1. PËRROI I THATË (Përroi i Camës) – buron mes bjeshkëve të Gajres dhe Shipkovicës, kalon në hyrje të Shipkovicës, ndërsa në rrjedhën e poshtme kalon ndërmjet Teqesë së Shipkovicës dhe Fushës së Madhe, ndërsa derdhet në lumin Shkumbin, afër Banjës së Tetovës. Gjatë verës, në rrjedhën e sipërme nuk ka ujë, prandaj edhe quhet i thatë, ndërsa në rrjedhën e poshtme ka ujë edhe gjatë verës, nga burimet përreth. Gjatë reshjeve akumulon shumë ujë, që nga Qafa e Kodrës së Diellit, bjeshkët e Gajres dhe Shipkovisë, Kodra e Mbigurit (Sidoll), Livadhi i Shkaftë, lëndinat dhe luginat malore nga kalon ky përrua. Gjatë stinës së pranverës dhe gjatë reshjeve të mëdha është i rrëmbyeshëm dhe bart me vete shumë drunj, gurë, zall dhe lym. Kryesisht kalon nëpër teren malor me pyje ahu (në rrjedhën e sipërme) dhe pyje gështenjash (në rrjedhën e poshtme), prandaj nuk ka mundësi t’i përmbyt tokat bujqësore përskaj të cilave kalon. Por, gjatë vërshimeve të mëdha që ndodhën në Tetovë, në vitin 1979, ka vërshuar nga shtrati dhe i ka përmbytur edhe tokat bujqësore në Fushë të Madhe dhe mbi Banjën e Tetovës. Gjatë vërshimeve është i pakalueshëm dhe shkakton dëme, sidomos në të kaluarën i ka ndërprerë të gjitha rrugët që çojnë në drejtim të qytetit të Tetovës dhe me ditë të tëra i ka izoluar banorët e Shipkovicës dhe të katundeve të tjera të Malësisë së Tetovës, për shkak se ky dhe disa përrenj të tjerë vërshues e përshkojnë tërë territorin nga bjeshkët e larta deri në lumin Shkumbin. Banorët e kësaj ane nuk mbajnë mend se në kohën më të re ka shkaktuar viktima në njerëz. Në rrjedhën e tij të sipërme, nga burimi deri në pyjet e gështenjave të Shipkovicës, banorët e kësaj ane e quajnë Përroi i Thatë, ndërsa, në rrjedhën e poshtme e quajnë Përroi Camës, sigurisht sipas emrit të viktimës që ka marrë në të kaluarën.
2. PËRROI I RADENCES (në rrjedhën e sipërme të tij quhet Përroi i Dykrojeve) – buron rrëzë malit, mes rrugës Lisec-Shipkovicë, afër Përroit të Thatë, kalon në hyrje të katundit dhe në afërsi të vendbanimit Plemica, i bashkëngjitet Përroit të Thatë (Camës) dhe derdhet në lumin Shkumbin. Ky përrua nuk akumulon shumë ujëra dhe nuk vërshon shumë. Zakonisht krijon bartje të vogla të dheut dhe shkëmbinjve të vegjël në rugën e asfaltura që çon nga Shipkovica në Tetovë.
3. PËRROI I VAKËFIT, UJMIRIT (Dragavoda) - në rrjedhën e poshtme të tij banorët vendës e quajnë edhe Përroi i Lluzhinave. Ky përrua ka dy burime, njëri rrëzë malit mbi vendin e quajtur Vakëf, dhe tjetri në jug të Baçelishteve, Ujmirë, të cilat bashkohen dhe kalojnë nëpër lagjen e parë të Shipkovicës, ku para 50 vjetësh afër rrjedhës së tij ka pasur vetëm dy-tri shtëpi. Burimi i këtij përroi shërben për ujë të pijshëm dhe ujitje (nga uji i këtij burimi furnizohet qyteti i Tetovës dhe është njëri nga burimet më të hershme për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Tetovës dhe të fshatit Gajre. Ky përrua nuk është i rrëmbyeshëm dhe nuk akumulon shumë ujëra gjatë reshjeve. Rrallëherë shkakton dëme në tokat bujqësore, sidomos në rrjedhën e poshtme të tij. Në kohën e fundit, gjatë vërshimeve shkakton dëme në rrugën e asfaltuar të Shipkovicës që çon në Tetovë, ku kalojnë edhe banorët e katundeve të tjera.
4. PËRROI I BAÇELISHTES (në rrjedhën e poshtme quhet Përroi i Lugjatave) - buron rrëzë malit, afër 100 metra mbi mëhallën e Lekëve, mes Gurit të Ramizit dhe Baçelishteve, prej nga edhe e ka marrë emrin. Uji i këtij burimi shërben kryesisht për pije, amvisëri dhe ujitje. Ky përrua nuk është i rrëmbyeshëm dhe nuk vërshon, edhe pse zbret nëpër një terren shumë të pjerrët. Gjatë të reshurave akumulon pak ujë nga lëndinat dhe rrugët malore përreth. Rrallëherë shkakton përmbytje të vogla në shtëpitë dhe oborret pranë të cilave kalon dhe në tokat bujqësore, sidomos në rrjedhën e poshtme të tij. Gjatë të reshurave të mëdha nga ky burim shpërthejnë edhe ujëra nëntokësorë, me çka rritet dukshëm sasia e ujit të tij. Por një pjesë e ujit të këtij përroi, afër burimi të tij, kalon nëpër kanalin që derdhet në Pëëroin e Mullinjve, për ujitjen e tokave bujqësore që i përfshin rrjedha e tij, ndërsa në të kaluarën është përdorur edhe për nevojat e mullinjve të katundit, sidomos gjatë stinës së verës kur ka pasur thatësi.
5. PËRROI I MULLINJVE – buron rrëzë malit, afër 100 metra mbi shtëpitë e fundit të mëhallëve Leke dhe Mjake, kalon përmes disa shtëpive dhe kopshteve dhe bashkohet me Përroin e Hallës, afër Sokakut të poshtëm (mbi Xhaminë e vogël). Burimi i këtij përroi ka shumë ujë, i cili shërben për pije dhe ujitje (gjatë viteve të fundit tri lagje furnizohen me ujë për pije dhe amvisëri nga ky burim, mëhalla Mjake, Leke dhe një pjesë e mëhallës Voke). Uji i këtij përroi në të kaluarën i ka vënë në lëvizje mbi 7 mullinj të këtij katundi, Mulliri i Shahin Vokës, Baftijar Vokës, Sadik Mjakut, Kadri Mjakut dhe Jakup Mjakut, në rrjedhën e sipërme, si dhe dy mullinj dhe një valanicë të familjes Fanda, në rrjedhën e poshtme ndër katund, afër Hanit të Halimit. Gjatë reshjeve, ky përrua akumulon ujë nga lëndinat, rrugët malore dhe mali përreth, por edhe nga shpërthimet e vrullshme të ujërave nëntokësorë që shpeshherë janë të rrëmbyeshëm dhe shkaktojnë vërshime dhe përmbytje. Gjatë vërshimeve shkakton dëme kryesisht në mëhallën Mjake, meqë kalon në një terren shumë të rrëpirë dhe bart me vete shumë drunj dhe gurë. Bashkimi i këtij përroi me Përroin e Hallës, ia shton sasinë e ujit dhe në rrjedhën e tij të poshtme bëhet më i rrëmbyeshëm dhe vërshues. Rrjedha e këtij përroi nga burimi deri në bashkëngjitjen e tij me Përroin e Hallës, ka një gjatësi vetëm prej afër 500 metra. Kjo tregon se nuk janë në pyetje vetëm uji i burimit, ujërat që akumulon gjatë reshjeve, por atij i shtohen sasi të mëdha të ujërave nëntokësorë, të cilët shpërthejnë pas reshjeve të rrëmbyeshme dhe lëvizjeve të tokës.
6. PËRROI I HALLËS - nga banorët vendës quhet kështu vetëm në pjesën ku kalon nëpër katundin Shipkovicë, ndërsa në rrjedhën e epërme të tij quhet Përroi i Ballbajave, kurse në rrjedhën e poshtme të tij, Përroi i Kishës. Ky përrua nuk ka burim të tij dhe as ujë të përhershëm. Gjatë verës shtrati i tij është plotësisht i thatë. Në rrjedhën e sipërme derdhen vetëm disa burime të vogla anësore, një burim i vogël nga vendi i quajtur Ballbaja dhe një burim pak më i madh nga Kanalivadhet, të cilët gjatë verës nuk rrjedhin në shtratin e tij por në drejtime të tjera që përdoren për ujitjen e livadheve dhe tokave bujqësore përreth. Ky përrua kryesisht kalon nëpër masivin malor me pyje ahu, nga Rrafshet e Dafkit deri mbi Shipkovicë, në një gjatësi prej afër 2 km. Gjatë reshjeve akumulon shumë ujëra nga sipërfaqe të mëdha të pllajave të bjeshkës. Kalon nëpër terren shumë të rrëpirë, është shumë i shpejtë dhe i rrëmbyeshëm dhe bart me vete gurë dhe drunj të shumtë. Shkëmbinjtë e ardhur nga vërshimet e këtij përroi kanë madhësi deri në disa tonelata, ndërsa drunjtë me gjatësi deri në 30 metra. Ky përrua sa mbanë mend banorët e vjetër të këtij katundi ka vërshuar disa herë dhe i ka përmbytur shtëpitë e lagjeve Voke dhe Mjake, ndërsa në kohën e fundit edhe një pjesë të lagjes Fande, objektet dhe tokat bujqësore në pjesën e poshtme të katundit deri në derdhjen e tij në lumin Shkumbin. Vërshimet më shkatërruese kanë ndodhur në vitin 1932, të cilat kanë dëmtuar disa shtëpi dhe kanë shkaktuar dy viktima. Vërshimet dhe përmbytjet e këtij viti, 3 gusht 2015, kanë shkaktuar 4 viktima, prej të cilave 3 fëmijë dhe një burrë të moshuar, kanë rrëmbyer disa njerëz, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbi 20 vetë, kanë lënduar rëndë ose më lehtë shumë të tjerë, kanë dëmtuar dhjetëra shtëpi dhe objekte, kanë rrëmbyer dhe shkatërruar dhjetëra vetura, traktorë dhe furgonë, kanë përmbytur kopshte, toka bujqësore dhe kanë shkaktuar edhe shumë dëme të tjera. Pas vërshimeve të vitit 1932, në rrjedhën e këtij përroi afër vendit të quajtur Livadhi i Madh, banorët e Shipkovicës e kanë ndërtuar një pendë të improvizuar me gurë, e cila gjatë vërshimeve ia kthen rrjedhën e këtij përroi në Livadhin e Madh, i cili ka një hapësirë të madhe në formë të liqenit natyror, ku mund të akumulohen ujërat nga të reshurat me javë të tëra, që mund të sjell ky përrua. Megjithatë, një pjesë e ujit të mbledhur në këtë basen natyror shpërthen përmes kanaleve nëntokësore në burimet e afërta mbi Shipkovicë, sidomos në Përroin e Mullinjve, i cili sërish i bashkëngjitet Përroit të Hallës, në mes të katundit, si dhe në Përroin e Baçelishtes i cili kalon po ashtu nëpër këtë vendbanim.
7. PËRROI I BURIMEVE (IZVOREVE) – nga banorët vendës quhet edhe me emra të tjerë, si Përroi i Halilit dhe Përroi i Varrezave. Buron mbi katund, rrëzë malit, në vendin e quajtur Liqenas (Izerishte), afër 200 metra mbi shtëpitë e fundit, në pjesën veriperëndimore të Shipkovicës, kalon në skaj të katundit, prapa shkollës, ambulancës, postës, dhe përskaj shtëpive zbret në drejtim të varrezave të Shipkovicës dhe zbret në lumin Shkumbin. Burimi i këtij përroi ka vazhdimisht ujë të bollshëm, i cili përdoret për pije dhe ujitje. Nga ky burim më parë është furnizuar i tërë katundi me ujë të pijshëm, ndërsa në kohën e fundit, me shtimin e nevojave për ujë të pijshëm janë shfrytëzuar edhe disa burime të tjera. Gjatë reshjeve akumulon shumë ujëra nga lëndinat, rrugët që çojnë në drejtim të bjeshkëve dhe nga kodrinat përreth. Ky përrua shkakton shumë dëme në lagjen ku kalon dhe përmbyt një sipërfaqe të madhe të tokave bujqësore në ograjat e Shipkovicës.
8. PËRROI I MADH (Përroi i Keq) – buron në bjeshkët e Shipkovicës, kalon nëpër masivin malor me pyje ahu dhe zbret përmes tokave bujqësore, afër 500 metra në pjesën veriore, në dalje nga Shipkovica, e përshkon rrugën kryesore ku kalojnë banorët e fshatrave Brodec, Veshallë dhe Bozovcë për në qytetin e Tetovës, dhe derdhet në Lumin Shkumbin, në vendin e quajtur Llajka, mes Shipkovicës dhe Sellcës. Gjatë vërshimeve i dëmton sidomos tokat bujqësore dhe rrugët kryesore. Gjatë rrjedhës së gjatë të tij nëpër pyje dhe toka shkëmbore, për shkak të sasisë së madhe të ujit që akumulon, bart shumë gurë të mëdhenj, drunj, zall dhe lym.
Nga shumë përrenj që kalojnë nëpër territorin e Shipkovicës, Përroi i Thatë, Përroi i Hallës dhe Përroi i Madh janë shumë vërshues dhe të rrëmbyeshëm. Burojnë në bjeshkët e larta dhe gjatë të reshurave akumulojnë shumë ujëra. Nga malet ku kalojnë dhe masivet shkëmbore, bartin shumë drunj dhe gurë, janë të rrëmbyeshëm dhe i shkaktojnë shumë dëme këtij katundi dhe katundeve të tjera të Malësisë së Tetovës, banorët e të cilëve kalojnë nëpër Shipkovicë për në qytetin e Tetovës.
Në vazhdim të këtij vështrimi është paraqitur fotografia, me pamjen e Shipkovicës dhe rrjedhën e përrenjve që kalojnë nëpër territorin e saj.
Vështrimi u publikua me lejen e autorit.

VËRSHIMET NË SHIPKOVICË PËRMES FOTOGRAFIVEFoto të publikuara nga Abdulla Mehmeti
Posted by Tetova News on Saturday, August 8, 2015

Momentet më dramatike nga vërshimet e 3 gushtit 2015 në Tetovë
Momentet më dramatike nga vërshimet e 3 gushtit 2015 në Tetovë, Shipkovicë, Sellcë, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Poroj, Dobrosht, Pallçisht, Saraqinë etjhttp://www.flurudha.com/http://www.tetovanews.info/
Posted by Tetova News on Saturday, August 8, 2015

Google+ Followers