Skip to main content

MARRËVESHJA E OHRIT DHE BANALIZIMI I SAJ


Xhelal Zejneli


Maqedonia është në mosmarrëveshje me Greqinë, me Serbinë dhe me Bullgarinë. Athina nuk ia njeh emrin, Beogradi s’e pranon autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, ndërsa Sofja nuk e njeh ekzistimin e popullit maqedonas.
Konflikti i armatosur që shpërtheu në Maqedoni në vitin 2001 e sensibilizoi faktorin ndërkombëtar influent. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli e shtuan interesimin e vet, ndaj u angazhuan për ta parandaluar shtrirjen dhe thellimin e konfliktit, shndërrimin e tij në një luftë ndëretnike. Lufta për territore do të mund të shkaktonte bosnizimin dhe libanizimin e Maqedonisë. Konflikti i armatosur i vitit 2001 që zgjati rreth 6 muaj ishte një konflikt i kontrolluar nga Uashingtoni, nga NATO-ja dhe nga BE-ja. Gjatë konfliktit të 2001-shit, Qeveria e Maqedonisë përbëhej nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së. Faktori ndërkombëtar influent sugjeroi rikonstruktimin e qeverisë. Me rikonstruktimin e qeverisë, pjesë të saj u bënë edhe LSDM-ja dhe PPD-ja. Këto katër parti, supozohej se gëzonin mbështetjen e 90% të qytetarëve të Maqedonisë. Në rast arritjeje të një marrëveshjeje ndëretnike, ajo do të duhej të ishte legjitime. Me shpërthimin e luftës së 2001-shit, legjitimiteti i partive politike shqiptare u vu në dyshim. Luftën e mbështeti pothuajse i tërë populli shqiptar në Maqedoni.
Ndërkohë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të NATO-s - diplomatit holandez Piter Feit(Pieter Feith) u realizua takimi ndërmjet përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare - Ali Ahmetit, kryetarit të PDSH-së - Arbën Xhaferit dhe kryetarit të PPD-së -Imer Imerit. Ky takim rezultoi me Deklaratën e 11, të nënshkruar prej tyre më 22.05.2001. Menjëherë pas nënshkrimit të deklaratës së lartpërmendur, diplomati amerikan, nga autoritetet sllavo-maqedonase u shpall persona non grata. Takimi i Prizrenit dëshmoi se përfaqësuesi politik i UÇK-së - A. Ahmeti dhe dy liderët e partive politike shqiptare - A. Xhaferi dhe I. Imeri, e njohën legjitimitetin dhe punën e deriatëhershme të njëri-tjetrit.
Në fillim, qeveritarët dhe pushtetarët sllavo-maqedonas, luftëtarët e UÇK-së i quajtënterroristë. Por, me angazhimin e subjektit politik shqiptar, termi terrorist për ushtarët e sipërthënë, nuk u përfshi në asnjë dokument zyrtar, as të qeverisë, as të parlamentit. Krahas luftimeve në zonat e konfliktit të armatosur, ndërmjet përfaqësuesve të dy bashkësive etnike u zhvilluan edhe bisedimet politike, të cilat rezultuan me Marrëveshjen e Ohrit. Ajo u nënshkrua në Shkup më 13. 08.2001 nga kryetari i atëhershëm i MaqedonisëBoris Trajkovski, nga kryeministri, njëherazi edhe ish-kryetar i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski, nga kryetari i LSDM-së Branko Cërvenkovski, nga kryetari i PDSH-sëArbën Xhaferi si dhe nga kryetari i PPD-së Imer Imeri.
Marrëveshja e Ohrit është dokument me karakter ndërkombëtar. Në bisedimet e Ohrit morën pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë – politikani francez Fransua Leotar(François Leotard), si përfaqësues i BE-së, si dhe emisari special i ShBA-së për Maqedoninë – Xhejms Perdju (James W. Perdew). Ata nuk donin të paraqiten si tertium interveniens, ndaj u quajtën lehtësues. Bisedimeve të Ohrit nuk u jepnin karakterin e negociatave ndëretnike shqiptaro-maqedonase, siç ishin bisedimet tripalëshe ndërmjet muslimanëve (boshnjakëve), serbëve dhe kroatëve në Dejton.  
 Në bisedimet e Ohrit nuk mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë përfaqësues i UÇK-së. Edhe pse nuk u nënshkrua nga asnjë përfaqësues i UÇK-së, Marrëveshja e Ohrit u mbështet nga përfaqësuesi politik i ushtisë - A. Ahmeti si dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i saj.
Marrëveshja u arrit dhe u mbështet:
- nga përfaqësuesit politikë legjitimë të palës tësllavo-maqedonase - VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja;  
- nga përfaqësuesit politikë shqiptarë – PDSH-ja dhe PPD-ja;
- nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni, NATO-ja dhe BE-ja;
- si dhe nga përfaqësuesi politik i UÇK-së.

S’ka dyshim se Marrëveshja e Ohrit është rezultantë e drejtpërdrejtë e luftës së 2001-shit. Pa 2001-shin nuk do ta kishim atë. Marrëveshja e Ohrit i dha fund luftës së armatosur. Ajo paraqet kompromis ndërmjet dy bashkësive etnike. Me të asnjëra palë nuk ishte plotësisht e kënaqur. Pala sllavo-maqedonase kishte më shumë arsye për të qenë e kënaqur, për arsye se shqiptarët e njohën karakterin unitar të shtetit sllavo-maqedonas.
Me Maqedoninë, sot e gjithë ditën vazhdojnë të identifikohen vetëm sllavo-maqedonasit.Trashëgues të shtetësisë vazhdojnë të jenë ata. Mbartës të shtetësisë janë sllavo-maqedonasit. Marrëveshja e Ohrit duhej ta forconte kohezionin e shtetit të brishtë - Maqedonisë.
Thelbi i Marrëveshjes së Ohrit është: Maqedonia është shtet unitar, por me përbërje shumetnike, d.m.th dyetnike. Për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit, shumë formulime të kësaj marrëveshjeje mbetën të përgjithësuara. Gjatë debatimit lidhur me ligje të caktuara dhe me rastin e miratimit të tyre, faktori politik sllavo-maqedonas, e sidomos partitë opozitare, kanë manifestuar rezistencë të madhe.
 Dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit u përfshinë në Kushtetutën e Maqedonisë. Në të vërtetë, Marrëveshja e Ohrit paraqet një kushtetutë të re të vendit. Me të, Maqedonia ridefinohet. Deri atëherë, Maqedonia ishte shtet unitar, centralist dhe monoetnik. Pas Marrëveshjes së Ohrit, ajo u ripërkufizua si shtet unitar, por jo edhe centralist dhemonoetnik. Me fjalë të tjera, marrëveshja duhej t’u mundësonte shqiptarëve të arrijnë të drejta të caktuara etnike, pa i rrezikuar fare të drejtat e palës sllavo-maqedonase. Figurativisht, sipas Marrëveshjes së Ohrit, sllavo-maqedonasit janë trungu i shtetit, shqiptarët ndërkaq - degë e tij.
Marrëveshja e Ohrit duhej t’i privonte sllavo-maqedonasit nga disa privilegje ndaj shqiptarëve. Ajo duhej t’i jepte fund margjinalizimit dhe getoizimit të shqiptarëve dhe të mundësonte integrimin më të madh të tyre – si subjekt – në shoqëri, në jetën politike dhe në institucionet publike, si në shkallë qendrore ashtu edhe në shkallë vendore. 
Prej vitit 2002 deri në vitin 2006 në Kuvendin e Maqedonisë u miratuan 26 ligje që buronin nga Marrëveshja e Ohrit dhe që ndërlidheshin me interesat e shqiptarëve apo të bashkësive të ashtuquajtura - joshumicë. Në mesin e tyre ishin edhe dy ligje të rëndësishme: Ligji për riorganizimin territorial të Maqedonisë si dhe Ligji për decentralizimin e pushtetit të qendërzuar. Ligji për riorganizimin territorial bën të mundur që shqiptarët t’i qeverisin qytetet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë.
Flamuri shqiptar dhe gjuha shqipe duhej të përdoreshin zyrtarisht edhe në kryeqytetin e vendit.
Nga Marrëveshja e Ohrit pritej të miratohej edhe një ligj i rëndësishëm -  ai për gjuhën. Ligji për gjuhën që u miratua më vonë, paraqet një zgjidhje paliative. Sot në Maqedoni,gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare.
Krahas zgjidhjes së çështjes së gjuhës, duhej të zgjidhej edhe çështja e statusit të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001-shit, e cila është pjesë e vetëkuptueshme e Marrëveshjes së Ohrit.
Çështje me rëndësi për shqiptarët është funksionimi i institucioneve të shtetit sipas parimit të Badinterit. Kjo nuk është çështje partiake, as e politikës ditore dhe as e luftës së paskrupullt për pushtet.
Formimi i qeverisë me partinë shqiptare që i fiton zgjedhjet është një çështje    me peshë politike të jashtëzakonshme për shqiptarët. Pala sllavo-maqedonase e refuzon këtë kërkesë të shqiptarëve, me arsyetimin se kjo shpie në federalizmin e Maqedonisë. Për ta ndjerë shtetin si të vetin, Maqedonia duhet të federalizohet sa më parë. Kjo është në interes të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ky është minimumi i interesit shqiptar në Maqedoni. Një ditë shqiptarët do të kërkojnë krijimin e entitetit shqiptar në Maqedoni. Por as ky nuk është maksimumi i të drejtave të shqiptarëve. Popujve autoktonë u takon e drejta e vetëvendosjesderi në shkëputje.
Që prej nënshkrimit dhe miratimit të Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot, përvjetorin e kësaj marrëveshjeje e ka kremtuar vetëm BDI-ja. Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe të PDSH-së, kurrë nuk kanë marrë pjesë në asnjë përvjetor. Kremtimin e pesëvjetorit, më 17 gusht 2006, për herë të parë e organizoi edhe kryetari i atëhershëm i RM-së B. Cërvenkovski, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dy partive të sipërthëna.
Marrëveshja e Ohrit e ruan tërësinë territoriale të Maqedonisë. Me një fjalë, nuk ka të bëjë me ripërkufizimin territorial të brendshëm të vendit. Në pikëpamje territoriale, Maqedonia mbetet unike. Në të nuk krijohen dy entitete si në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sipas Marrëveshjes së Ohrit, maqedonishtja është gjuhë zyrtare në mbarë territorin e vendit. Meflamurin, himnin dhe stemën, që janë simbole shtetërore, identifikohet njëherazi edhe populli sllavo-maqedonas. Pra, simbolet shtetërore janë edhe simbole kombëtare tij.
Me Marrëveshjen e Ohrit shumë punë kanë mbetur të pazgjidhura. Duke qenë se simbolet shtetërore të Maqedonisë, njëherazi janë edhe simbole kombëtare të sllavo-maqedonasve, asnjë shqiptar nuk i ndjen ato si të vetat, si të shtetit të vet.  Rrjedhimisht, as Maqedoninë si shtet të vetin. Shqiptarët i kanë simbolet dhe vlerat e kombëtare të veta. Me Marrëveshjen e Ohrit duhej të parashikohej edhe ndryshimi i simboleve të shtetit dhe krijimi i simboleve të tilla që do të reflektonin realitetin etnik të brendshëm të vendit.
Marrëveshja e Ohrit parashikon edhe të ashtuquajturën shumicë të Badinterit. Ky parim zbatohet, si në shkallë qendrore, ashtu edhe në shkallë vendore. Sipas parimit të Badinterit, asnjë ligj apo vendim që ka të bëjë me të drejtat e bashkësive “joshumicë” nuk mund të miratohet në Kuvend apo nga organet e pushtetit vendor, po qe se nuk votohet nga shumica e përfaqësuesve të bashkësive “joshumicë”. Parimi i Badinterit duhej t’i mbronte shqiptarët nga majorizimi në kuvendin e shtetit. Në komunat ku shqiptarët janë shumicë, ky parim i mbron sllavo-maqedonasit nga majorizimi i shqiptarëve.  
Parimi i Badinterit i ngjan vetos apo zëvendëson parlamentin dydhomësh. Parimi i Badinterit nuk e ka vlerën e vetos. Ai është një si surrogat i vetos. Të drejtën e vetos e kanë serbët e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, të parashikuar me Marrëveshjen e Dejtonit. Në bisedimet shqiptaro-serbe të Vjenës, Beogradi u përpoq të siguronte për serbët e Kosovës të drejtën e vetos sipas formulës së Dejtonit, por nuk ia doli. Plani i Ahtisarit, për serbët e Kosovës parashikonte, jo veton, por parimin e Badinterit.
Me Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët në Maqedoni nuk e fitojnë entitetin e vet, Maqedonianuk federalizohetshqiptarët nuk e fitojnë statusin e popullit shtetformues apo të popullit konstitutiv. Me këtë marrëveshje shqiptarët mbeten minoritet apo bashkësi etnike, me të drejta të caktuaratë garantuara me kushtetutë. Marrëveshja e Ohrit u siguron shqiptarëve minimumin e minimumit të të drejtave kombëtare.
Marrëveshja e Ohrit është një dokument i përkohshëm. Pas një kohe të caktuar ajo do të duket e vjetruar. Faktori politik shqiptar – opozitar, e mohon rëndësinë e saj. Ajo duhej të jetësohej qysh në vitin 2004, d.m.th. para njëmbëdhjetë vjetësh. Të flasësh sot për implementimin e saj është absurde, bizare dhe groteske. BDI-ja që është tre mandate në pushtet mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë – politike dhe morale - për moszbatimin e saj.
Rrethanat e reja do të imponojnë një realitet të ri dhe kërkesa të reja. Asgjë s’do të mund ta ndalë Maqedoninë në rrëshqitjen e saj drejt federalizmit. Të drejtat e shqiptarëve burojnë, jo nga vullneti i sllavo-maqedonasve, por nga autoktonia dhe kapaciteti shtetformues i tyre.
Derisa shqiptarët 25 vjet merren me flamurin dhe gjuhën, sllavo-maqedonasit rrëmbyen krejt ekonominë, industrinë dhe financat e vendit.
Shqiptarët në Maqedoni nga lufta e 2001-shit kanë pritur më shumë. Dalja e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare nën 50%, dëshmon se ata nuk janë të kënaqur me arritjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Sipas BDI-së, frytet e saj priten në të ardhmen, ndërsa sipas oponentëve politikë, situata sot është njësoj, në mos më e zezë, se para 2001-shit. Ka nihilistë që thonë se sot është më keq se në komunizëm.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Maqedoni nuk kanë hyrë  investime financiare të mjaftueshme. Ato që kanë hyrë, tërësisht janë orientuar në pjesën lindore të saj. Problemet ekonomike dhe sociale dhe papunësia e madhe, e relativizojnë rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Ligjet që burojnë prej saj duhet të jetësohen në praktikë. Marrëveshja duhet të përkryhet dhe të plotësohet pozitivisht duke i eliminuar formulimet nebuloze. Kjo, për hir të stabilitetit të vendit dhe të rajonit dhe integrimit të tyre në familjen perëndimore.
Marrëveshja e Ohrit që nga nënshkrimi i saj e deri më sot është deformuar në shumë pikëpamje: është keqinterpretuar, është interpretuar njëanshëm, është anashkaluar, është injoruar, është shpërfillur, është relativizuar dhe është mohuar, heshtazi, por edhe në mënyrë të hapur. Nomenlatura e BDI-së nuk ka treguar potencial të duhur politik dhe moral për t’i dalë zot asaj.

Popular posts from this blog

Psikologu irlandez: Religjionet do të zhduken!?

Hulumtimin e tij Barber i kishte bërë në 137 shtete. Ndërsa, sipas tij, nga këto hulumtime doli se në çdo shtet të zhvilluar ateizmi është në rritje. Rezultatet e hulumtimit të tij i shkroi në një artikull për Psychology Today.Ai vë në dukje se në vendet në zhvillim, të tilla si ato të Afrikës, ateizëm fare nuk ka. Në anën tjetër, në shtetet e zhvilluara evropiane ateizmi është në rritje. Barber përmend si shembuj Suedinë (64 për qind ateistë), Danimarkën (48 për qind ateistë), Francën (44 për qind ateistë) dhe Gjermaninë (42 për qind ateistë).Antropologët, thotë Barber, vitet e fundit merren me çështjen se pse ateizmi është në rritje në vendet ekonomikisht të zhvilluara. Antropologu James Fraser pohon se feja është një mjet me të cilin njerëzit ndihmohen të përballen me pasigurinë ekzistenciale. Barber beson se kjo tezë është e saktë.“Ka shumë gjasa që ateistë do të jenë njerëzit me fakultet që jetojnë në qytete”, thotë ai.Barber gjithashtu pohon se ka shumë ateistë në vendet ku paba…

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …