Skip to main content

FJALIMI i parë i Ramës si kryeministër, falenderime dhe urime Berishës: Do jem kryeshërbëtori juaj


Nga Edi Rama

Përpara një turme entuziaste, kryetari i PS, Edi Rama mbajti të parin fjalim si kryeministër. Gjeni më poshtë tekstin:

Sot, ju, populli i Shqipërisë, vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, së bashku dhe në mënyrë të pandarë me partnerët tanë strategjikë të LSI, këtë përgjegjësi kaq të madhe.
Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdonjërit prej jush! Dhe për çdo ditë nga sot e tutje, ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona.
Unë e di që siç thotë edhe Abraham Linkoln, asnjë qeveri në botë nuk mund t’i kënaqë të gjithë dhe për gjithë kohën, por për gjithë kohën që vjen, nuk do harroj që jeni ju që na vutë në krye të vendit.
Ju na besuat sepse ne nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur deri këtu, një projekt ndryshimi për Shqipërinë, një aleancë të re për Shqipërinë evropiane, e cila provoi botërisht se ne dimë ta vëmë vendin mbi veten dhe mbi partinë.
Unë e dua këtë vend, prandaj dhe luftova kaq fort për të fituar. Zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme, tani duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e shpirtit e mendjes shqiptare për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë.
Ne do të udhëheqim, por as unë, as ne të zgjedhurit për t’u drejtuar së bashku, nuk e sjellim vetëm Rilindjen që premtuam. Ndaj dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes.
T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes lirisë së konkurrencës dhe taksimit të ndershëm. Një shoqëri të rilindur me arsim e shëndetësi për të gjithë dhe jo sipas mundësive.
Pa harruar asnjë çast se sot populli sovran e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë që nga Shkodra gjer në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike që ta provojmë me sjellje e me vepra se mund ta ndajmë përgjithmonë këtë vend nga ndasitë e vjetra të së shkuarës së deridjeshme.
Të nisim bashkërisht punën për t’i treguar njëri- tjetrit, por edhe botës, se kemi talentin, vlerat, vendosmërinë për t’u ngjitur në lartësinë e amanetit të borxhit që u kemi të parëve dhe fëmijëve të gjithë Shqipërisë.
Pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria dhe jo mungesa e saj, rruga për të qeverisur këtë vend, merita dhe jo mungesa e saj, baza për të vlerësuar çdo njeri e sipërmarrje në këtë vend.
Të vazhdojmë së bashku si një vend dhe si një komb përpjekjet drejt vendit që na takon në familjen e bashkuar të Europës, sot, kur si asnjëherë shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, jo vetëm e meritojnë, por e kanë në duart e tyre bashkimin në atë familje të madhe.
Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë. Tani së bashku duhet ta bëjmë realitet, pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi i pakicës, shpirti i kompromisit, që mund të rilindë Shqipërinë si anëtare të denjë të familjes evropiane.
Miqtë e mi, nuk ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores të valëviten sonte nga Kukësi në Gjirokastër, duke dëgjuar brohoritjet e mbështetësve tanë anembanë vendit, duke parë që gëzimi ka pushtuar zemrën, mendjen e fytyrën e çdo opozitari, edhe unë ndjehem thellësisht i ngazëllyer si ju.
Por, ky gëzim i merituar nuk do të krijojë dot vende të reja pune për të rinjtë, as shërbime më të mira shëndetësore, as rrugë më të sigurta, kjo fitore nuk është mbërritja, por vetëm nisja.
Kjo fitore është era e ndryshimit që fryn lirisht në gjithë Shqipërinë, por tani nis puna për ta bërë ndryshimin që të mbërrijë në gjithë Shqipërinë e rrënuar.
Ky ndryshim, që të gjithë duam, s’do të vijë brenda natës, nuk do të mbërrijë as kollaj, sepse siç e kam parë në rrugën e jetës sime, asgjë e mirë nuk vjen kollaj, duhet të duash ta arrish, por duhet të punosh dhe sakrifikosh fort për ta arritur.
Të gjithë bashkë treguam deri këtu se duam fort që Rilindja të ndodhë, tani të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe sakrifikojmë fort që ta bëjmë atë të ndodhë.
Dhe ne do të punojmë fort së bashku, si një skuadër, si një skuadër e madhe, që sot ka fituar vetëm të drejtën për t’u vënë në provë, ndërsa nesër do nisë punën për të fituar provën.
Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.
Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë dhe i uroj të gjithë të mirat në jetën private në vazhdim.
Dhe tani që zgjedhjet përfunduan, dua ta bëj shumë të qartë se vullneti im është që t’u shërbej me përkushtim të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesin.
Votën plebishitare që morëm në këto zgjedhje, unë nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë dhe aq më pak si triumf personal, përkundrazi, shumica marramendëse që na dhanë shqiptarët më bën edhe më realist për sfidën që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë.
Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq, asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar, asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndjehet i rrezikuar.
Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do u provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që nuk ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi.
Motra dhe vëllezër,
Ky është momenti më krenar i jetës sime.
Por, midis krenarisë që ndjej për veten dhe përunjësisë që ndjej për besimin që keni tek unë, fiton thellë përunjësia.
Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj.
Detyra do jetë imja, pushteti do jetë i juaj.
Unë s’do ta harroj këtë, por ju lutem, mos e harroni as ju!
Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë, që duhet të rilindim së bashku.

Popular posts from this blog

Psikologu irlandez: Religjionet do të zhduken!?

Hulumtimin e tij Barber i kishte bërë në 137 shtete. Ndërsa, sipas tij, nga këto hulumtime doli se në çdo shtet të zhvilluar ateizmi është në rritje. Rezultatet e hulumtimit të tij i shkroi në një artikull për Psychology Today. Ai vë në dukje se në vendet në zhvillim, të tilla si ato të Afrikës, ateizëm fare nuk ka. Në anën tjetër, në shtetet e zhvilluara evropiane ateizmi është në rritje. Barber përmend si shembuj Suedinë (64 për qind ateistë), Danimarkën (48 për qind ateistë), Francën (44 për qind ateistë) dhe Gjermaninë (42 për qind ateistë). Antropologët, thotë Barber, vitet e fundit merren me çështjen se pse ateizmi është në rritje në vendet ekonomikisht të zhvilluara. Antropologu James Fraser pohon se feja është një mjet me të cilin njerëzit ndihmohen të përballen me pasigurinë ekzistenciale. Barber beson se kjo tezë është e saktë. “Ka shumë gjasa që ateistë do të jenë njerëzit me fakultet që jetojnë në qytete”, thotë ai. Barber gjithashtu pohon se ka shumë ateistë në vendet ku paba…

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …