Skip to main content

Lajmet e fundit

Thaçët – ngritja e një fuqie biznesi


hashim-thaci-final_384518


Parim Olluri, Gazetajnk



Një muaj pasi ishte emëruar kryeministër, Hashim Thaçi e kishte lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Që atëherë, ai ka hyrë në vitin e gjashtë në detyrën e shefit të ekzekutivit dhe mbetet politikani më i fuqishëm. Por pushteti i tij dhe vëllezërve tani shtrihet e ndërlidhet edhe në një rrjet të gjerë e të fuqishëm biznesi ndërtimesh, mineralesh, naftës, energjisë e sigurimeve.
Sa herë të nxirret nga arkivi xhirimi i deklaratës së pavarësisë së Kosovës – ngjarjes më të rëndësishme politike në përpjekjet për çlirimin e vendit – do të mund të shihet edhe politikani që e lexoi atë, atëherë kryeministri i sapoardhur Hashim Thaçi.
Si lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila mori më 2007 për herë të parë më shumë vota sesa Lidhja Demokratike e Kosovës, Hashim Thaçi qe vendosur si kryeministri më i fuqishëm për shkak të votave dhe peshës në terren.  Tre kryeministra para tij, Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku ishin emra të njohur politikanësh, pro jo udhëheqës të forcave politike. Ramush Haradinaj kishte zgjatur vetëm 100 ditë.
Edhe pesë vjet më vonë, Thaçi ruan fuqinë politike.  Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në dhjetor të vitit 2011, ai u radhit më i votuari duke marrë 160 mijë vota kurse në janar këtë vit u rizgjodh kryetar i PDK-së me vetëm një votë kundër.
Thaçi mbetet politikani i preferuar i diplomatëve të huaj në bisedimet politike me Serbinë dhe arrin të mbajë qeverinë e tij përkundër numrave të paktë në koalicionin me Aleancën për Kosovën e Re (AKR) dhe minoritetet. Këtë muaj, ai refuzoi një ofertë për të shtuar në koalicion Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinajt dhe shtyri për nënkryetar të parë të partisë së tij ish-shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veselin, përball bojkotit dhe kritikave të njeriut të dytë të derisotëm të kësaj partie, Jakup Krasniqit.
Në konventën e freskët zgjedhore të partisë së tij, Thaçi u mburr me rritjen e pagave në sektorin publik, ndërtimin e shkollave si dhe asfaltimin e rrugëve. Ai u tha kolegëve të tij se kur PDK-ja kishte filluar qeverisjen rrugët ishin me baltë dhe nxënësit mësonin me kontenjerë.
“Në këto pesë vite kemi ndërtuar mbi 130 shkolla të reja dhe shumë të tjera kemi renovuar”, tha Thaçi, duke shtuar se po ashtu ishin ndërtuar mbi “1 mijë kilometra infrastrukturë moderne rrugore”.
Qeveria e tij po ashtu në tetorin e vitit të kaluar mori vendim për rritjen e të ardhurave për pensionistët kontributpagues, nga 80 euro në 112 euro në muaj. Ndërsa pensionet bazike dhe ato të personave me aftësi të kufizuara nga 45 euro do të jenë 65 euro.
“Ne, bashkë, e kemi ndërtuar shtetin dhe po qeverisim për jetë më të mirë”, tha Thaçi.
Në dokumentarë televizivë Thaçi është përshkruar gjatë këtyre viteve nga një politikan shumë më i hapur ndaj mundësive të momentit sesa zotimeve të tij dhe partneritetit strategjik, deri tek një kontakt i shërbimit francez të spiunazhit.
Por, zbulimet e Gazetës Jeta në Kosovë në dymbëdhjetë muajt e fundit tregojnë se, që nga shpallja e pavarësisë, kryeministri ka shtrirë pushtetin e tij edhe në biznes.  Ai ka krijuar lidhje të fuqishme me biznesmenë ndërsa vëllezërit nisën të krijonin kompani vetëm disa muaj pas ardhjes së tij në pushtet. Tani ata kanë lidhje me kompani të fuqishme private.
Këto kompani kapin biznesin e ndërtimit, të naftës, të pasurive minerare, energjisë dhe sigurimeve. Në këtë mënyrë, Thaçët kanë krijuar një fuqi biznesi gjatë këtyre pesë viteve.
Kur erdhi në qeveri, Hashim Thaçi i hapi mbledhjet e kabinetit për kamerat televizive dhe premtoi transparencë. Por, ai nuk pranoi të jepte shpjegime kur iu drejtuan pyetje nëpërmjet Zyrës së Kryeministrit për pushtetin e tij në biznes.

Ndërtuesi Blerim Thaçi
Thaçi po bënte një vit pushtet në pozitën e kryeministrit kur një kompani ndërtimi u shënua në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në Kosovë (ARBK), më 14 janar 2009.
Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit, është hisedar në këtë “Iliria Building” që ka ndërtuar një kompleks milionësh banesor gjatë vitit 2012 në lagjen Mati 1 në Prishtinë.  Ai është partner i Milaim Cakiqit, një biznesmeni nga Drenasi. Adresa e kompanisë në certifikatën e biznesit shënohet se është Çagllavica. Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.
Blerim Thaçi nuk kishte pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi. Në ARBK ai nuk figuron që ka pasur më herët ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.
Blerim Thaçi regjistroi edhe kompaninë “Odetjon”, që ka për aktivitet ndërtimin e tregtinë, në nëntor të vitit 2009. Emri i saj nuk është hasur tek fituesit e prokurimeve publike dhe nuk dihet nëse biznesi ka afarizëm financiar.
Ndërkohë “Blloku A 21”, siç quhet kompleksi i ndërtuar nga Iliria Building, është i ndarë në dy objekte në të cilët janë planifikuar të ndërtohen 102 banesa. Bazuar në deklarimet e kompanive të ndërtimit, kostoja mesatare e ndërtimit të këtyre banesave shkon deri në 4 milionë euro ndërsa mesatarja që sigurohet nga shitja e tyre shkon deri në 7-8 milionë euro.

Lidhjet e Idriz Thaçi me biznesin e mineraleve

Në një fshat të Malishevës, komunës së vogël që qeveriset nga PDK-ja, operon një kompani që merret me nxjerrje minerare.
Idriz Thaçi figuron si person kontaktues i gurthyesit “Geo Mineral”, me bazë në Astrazub të Malishevës, në një dokument të kompanisë së naftës Kosova Petrol, që e kishte siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.
Gurëthyesi u regjistrua në ARBK në muajin maj të vitit 2008 në kohën kur Hashim Thaçi kishte bërë vetëm pesë muaj në karrigen e kryeministrit të vendit.  As Idriz Thaçi, njëjtë si Blerim Thaçi, nuk ka pranuar të japë shpjegime rreth aktiviteteve biznesore.
Kjo kompani përveç që ishte angazhuar si nënkontraktor i Bechtel-Enkas në ndërtimin e autostradës së Kosovës, ka fituar edhe tre tenderë publikë nga KEK-u, vlera totale e të cilëve është rreth 1 milionë e 600 mijë euro.
Kompania në vitin 2009 fitoi një tender në vlerë prej 1 milionë e 200 mijë eurosh dhe një tjetër në vlerë prej 205 mijë eurosh. Po ashtu një tender tjetër e fitoi në vitin 2011 dhe vlera e tij ishte mbi 150 mijë euro.
“Geo Mineral” në dokumentin ku figuron Idriz Thaçi shihet se furnizohet me naftë tek “Kosova Petrol”, një biznes i i një ish-këshilltari të Kryeministrit Hashim Thaçi, po ashtu ish-deputet nga radhët e PDK-së.
Bedri Selmani, pronar i kompanisë “Kosova Petrol”, është një biznesmen që ka përfituar nga shfrytëzimi i më shumë se 20 pompave të naftës së kompanisë “INA” pa paguar asgjë për dhjetë vjet, duke i dëmtuar kështu institucionet e Kosovës me mbi katër milionë euro. Po ashtu, Selmani kishte uzurpuar, sipas autoriteteve, pronën shoqërore për të ngritur “Hotel Victory”, biznes privat, një nga hotelet më të njohura në Prishtinë.
Ndërkohë “Geo Mineral” ndan së bashku me një kompani tjetër një zyrë administrative në qendrën tregtare në lagjen Dardania në Prishtinë, përballë stacionit policor. Hajati Banjica figuron zyrtarisht në ARBK si pronar i kompanisë “Geo Mineral” që merret me biznesin e thyerjes së gurit ndërsa djali i tij, Visar Banjica, është pronar i “OVE Group”, një kompani që merret me tregtinë e metaleve.
Të dy kompanitë, përveç që ndajnë bashkë zyrën, kanë ose kanë pasur lidhje me vëllezër dhe njerëz të afërt të kryeministrit Hashim Thaçi.
“Geo Mineral” ka pasur po ashtu disa herë ndryshime të titullarëve zyrtarë të pronësisë në biznes. Ndryshimet në pronësi janë bërë kryesisht nëpërmjet Marrëveshjeve për Falje të Aksioneve, edhe pse kjo falje ligjërisht nuk është e palejueshme.

Kryeministri ishte vozitur me veturën e biznesmenit fqinj
Milaim Cakiqi është fqinj i kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në lagjen “Prishtina e Re-Perëndimi” afër Veternikut.
Ai gjendet edhe në listën e banorëve të kësaj lagje që kanë marrë pëlqimin urbanistik nga Komuna e Prishtinës për të ndërtuar në këtë zonë. Kur kryeministri kosovar kishte realizuar një vizitë private në Maqedoni, në shkurt 2009, kishte udhëtuar me veturën e Milaim Cakiqit, biznesmen i fuqizuar gjatë pushtetit të Thaçit.
Cakiqi dhe anëtarët e tij të familjes, Fazliu e Viktori, janë pronarë të kompanive të mëdha në Kosovë dhe gjithashtu janë përfshirë në një privatizim kontrovers, për të cilin auditorët besojnë se ishte i korruptuar.
Milaim Cakiqi në regjistrat e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë (MTI) figuron edhe si përfaqësues në Kosovë i një kompanie turke të ndërtimit.
Kompania “Uluova Insaat ve Makine Sanay” në uebfaqen e saj kishte shënuar se është e angazhuar në projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdarë dhe kishte si punëdhënës konzorciumin Bechtel-Enka e cila ka lidhur kontratë me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, projektit më të madh infrastrukturor.
Veç kësaj, Cakiqi është pronar i N.T.P “Almakos” që për aktivitet kryesor ka tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuara ku kryesisht shitet ushqimi, pijet dhe duhani.
Kompania ka vetëm tre punëtorë të regjistruar dhe figuron se ka për datë të konstituimit 20 shkurtin e vitit 2007.  Prej vitit 2008 e deri në vitin 2010 Cakiqi ishte ortak me Visar Banjicën në kompaninë  “OVE Group”. Aktualisht vetëm Banjica është pronar i kësaj kompanie.  Po ashtu, “Ndërmarrja e re Metamb” Sh.p.k një ish ndërmarrje shoqërore e privatizuar tashmë, ka për pronarë Fazli Cakiqin, Blerim Cakajn, Milaim Cakiqin e Viktor Cakiqin.  Kompania ka tre punëtorë dhe ka për datë të konstituimit 7 dhjetorin e vitit 2010. Aktiviteti kryesor i saj është prodhimi i konstruksioneve metalike dhe pjesëve të tyre.

“Parandaluesi i mashtrimeve” Gani Thaçi
Gani Thaçi është vëllai i madh i liderit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është pjesë e vendimarrjës në industrinë e sigurimeve ku mban një pozitë të rëndësishme në organizatën që monitoron këtë biznes.
Thaçi aktualisht është zv/drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit, organizatë e udhëhequr nga kompanitë private të sigurimeve por që monitorohet nga Banka Qendrore e Kosovës, një pozitë që paguhet rreth 3 mijë e 500 euro në muaj.
Ai në verën e vitit të kaluar ishte zgjedhur Drejtor Ekzekutiv i BKS-së, post që paguhet mbi 4 mijë euro në muaj, por nuk kishte qëndruar më shumë se sa tri javë në këtë pozitë. Gani Thaçi kishte dhënë dorëheqje duke thënë se këtë e ka bërë për arsye personale. Ndërkohë përkundër pagës që merr në vlerë prej rreth 3 mijë e 500 eurosh ai kishte marrë edhe një bonus në vlerë prej 10 mijë eurosh.
Këshilli Administrativ i BKS-së, kishte vendosur në shtator të vitit të kaluar t’i jepte bonus  Gani Thaçit me  me arsyetimin se ka kryer suksesshëm një aksion të parandalimit të mashtrimeve në industrinë e sigurimeve.
Por, njeriu që u shpërblye me bonus për parandalim mashtrimesh ishte përmendur në vitin 2000 për ndërmjetësime në biznesin privat.
Hashim Thaçi atëkohë po mbaronte mandatin si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.   Në janar të vitit 2000 policia e UNMIK-ut kishte bastisur apartamentin e Gani Thaçit në lidhje me një incident me armë zjarri. Përveç gjetjes së një arme të fshehur nën një dyshek fëmijësh, policët kishin gjetur edhe 250 mijë dollarë.
“Ganiu i tha policisë se paratë i ishin dhënë atij nga një firmë ndërtimi kanadeze që punon në Kosovë, Meridian Resources”, thuhet në artikullin “Kosova e mbërthyer nga reketi”, botuar në BBC në prill të vitit 2000.
Më tej, në këtë artikull, thuhet se vëllai i Kryeministrit aktual kishte punuar si ndërmjetës i kësaj firme kanadaze.  “Drejtori i firmës Shaun Going thotë se shuma që i ishte dhënë ishte afër 60,000 dollarë, por pranon se Ganiu paguhej për ‘shërbime ndërmjetësimi’”, thotë artikulli.
“Ganiu, thotë ai, e ndihmoi atë për të bërë marrëveshje me disa kompani që ishin marrë nën kontroll nga administrata e Hashim Thaçit pas luftës”, vazhdon artikulli.
Going kishte deklaruar se në Kosovë është vështirë të bëhet biznes pa u marrë me ish-anëtarët e UÇK’së.
“Nuk ka dyshim se njerëzit e ish-UÇK-së janë të pozicionuar mirë në biznes kështu që nuk ka mënyrë për të bërë biznes në këtë vend pa ta ose pa kaluar kah ata në baza ditore”, thotë ai, në artikullin e BBC-së.
Një avokat i atëhershëm i Gani Thaçit kishte thënë më vonë se paratë ishin paga të punëtorëve dhe se ato i ishin kthyer më vonë atij nga policia e UNMIK-ut.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…

Mizoritë greke dhe genocidi çam

Nga Ayhan Demir*

Tërheqja e ushtrive të shtetit osman nga Gadishulli Ballkanik, u bë zanafilla e viteve plot dhimbje të shpërnguljeve, dëbimeve, përdhunimeve, masakrave, mizorive dhe genocideve për popujt muslimanë ballkanas boshnjakë dhe shqiptarë. Ndonëse genocidi boshnjak i Srebrenicës, njihet botërisht si genocidi më i madh i kryer në Gadishullin Ballkanik nuk është as i pari dhe as i vetmi.Popullsia shqiptare dhe boshnjake e Malit të Zi, i ka skalitur thellë në kujtesën e tyre, masakrat dhe mizoritë çnjerëzore tëçetnikëve serbë dhe malazezë në qytetet shqiptaretë Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës,Ulqinit, Tivarit, Kotorit, Çetinës Rozhajës, Podgoricës, dhe ato boshnjake tëBjellopoljes, Pljevljes, Shahovicës, Sienicës, Mojkovacit të pushtuar nga shteti malazez. Por ne nuk duhet të harrojmë as mizoritë greke dhe genocidin çam! Ndoshta shumë pak njerëz në Turqi dhe në botë, e dinë se gjendet një truall shqiptar me emrin Çamëri, i pushtuar nga shteti grek, që pas Luftës së Dytë Botërore! Vël…