Skip to main content

Lajmet e fundit

Sarajevë 1992: Të njohësh veten në luftën e dikurshme


Njëzet vjet pasi kjo fotografi u shkrep, i riu e pa atë për herë të parë në faqen e internetit të BBC. Ajo foto e mori menjëherë nga shtëpia e tij e re në Kaliforni, në të shkuarën e hidhur një mëngjes të ftohtë në Sarajevë, kur po kërkonte me trishtim dru zjarri duke rrezikuar jetën
Adrian Brown, BBC

foto e femijes
fotoja origjinale
gazeta
Vladimiri-me-foton

Kur lufta shpërtheu në Bosnjë më 1992, Vladimir Vrnoga qe vetëm 17 vjeç – diku mes shkollës së mesme dhe universitetit. Ai shpresonte të studionte në Universitetin e Sarajevës dhe të bëhej veteriner.
Por lufta ndryshoi gjithçka. Jeta u bë një përpjekje e përditshme për ushqim, ujë dhe dru zjarri… ndërsa forcat serbe bombardonin qytetin nga malet që e rrethojnë. Jo shumë vonë pasi kjo fotografi u shkrep, Vladimiri u rekrutua në ushtrinë rakitike përgjegjëse për mbrojtjen e qytetit.
“U thashë autoriteteve për studimet universitare dhe ata troç më thanë, ‘Çfarë? Universitet? Në kohë lufte?’ dhe me kaq përfundoi ëndrra ime”, kujton ai.
Nëna e Vladimirit pati një eksperiencë që nuk qe e pazakontë për ata që qenë zënë në kurth brenda qytetit. Ndërsa ajo po vraponte në një kryqëzim të ekspozuar, një fishek i shtënë nga një snajper shpoi tej për tej një çantë që ajo po e mbante nën sqetull.
“Vetëm mendojeni pak se sa pranë vdekjes qe, se sa e çmendur qe e gjitha kjo”, thotë Vladimir. “Nuk kishe mundësi të qetësoheshe për asnjë sekondë në jetën tënde. Në disa raste bombardimi qe aq i dendur sa mund të shihje predhat dhe raketat që fluturonin mbi kokat e tua”.
Dhe problemi qe që banorët detyrimisht duhej të vraponin nëpër kryqëzime, ku shënjoheshin nga snajperët që nuk bënin dallim mes civilëve dhe ushtarakëve.
“Të gjendeshe në Sarajevë në atë kohë qe shumë, shumë e rëndë. Kushdo që të ishe, ishe njësoj në kohë lufte”.
I këputur nga pjesa tjetër e botës, për qytetin shpejt mbaruan ushqimet. “Kur binte shi, ne kërkonim për kërmij. Ne madje hëngrëm edhe bar të egër”, thotë Vladimir. Por kërmijtë qenë më të mirë, në rast se arrije t’i gjeje.
“Ndershmërisht ju them se kërmijtë janë kujtimet më të rëndësishme të luftës”, kujton ai. “Mjafton të ndieja xhelatinën në buzët e mia, ndjesinë e proteinës në bark. Çdo burim proteinash shijonte në mënyrë të pabesueshme. Ato qenë gjërat më të mira të mundshme. Kërmijtë shijojnë shumë si mishi i derrit. Të këndshëm dhe ngjitës”.
Para luftës Vladimir mendonte se do të kalonte të gjithë jetën e tij në Sarajevë. Por ndërsa lufta u zgjat, ai kuptoi se duhej të ikte. Ai qe dërguar në front për herë të parë pas vetëm katër javë stërvitjeje dhe me jo më shumë sesa një AK47 dhe 10 fishekë. Dy vjet më vonë, ai u sëmur rëndë dhe u dërgua në spital. Ndërsa u shërua, iu tha se do të shkonte sërish në luftë.
“E ndieja se po të qëndroja do të vdisja, do të lija kockat në ndonjë majë mali dhe për çfarë? Ajo nuk qe lufta ime. Unë nuk kisha të bëja fare me të. Unë nuk votova për asnjë nga ata njerëz që nxitën një grup njerëzish të tjerë për të filluar një luftë e për të vrarë njëri-tjetrin”, thotë ai.
Rruga e Vladimirit qe përmes një tuneli, daljes së vetme të qytetit të kontrolluar nga qeveria, e cila qe hapur në mënyrë sekrete nën aeroportin e kontrolluar nga OKB. Një ditë më 1995, ai veshi uniformën mbi veshjet e tij të zakonshme dhe, pa u thënë miqve apo familjes së vet, u vendos rastësisht në radhët e një njësie që po largohej nga qyteti.
Sapo doli nga tuneli, një mik arriti ta kontrabandojë për në Kroaci, ku ai kishte kushërinj. Edhe nëna e tij qe në gjendje të largohej rreth kësaj kohe. Pas disa muajve të kaluar në një kamp refugjatësh në Austri, ata të dy arritën të aplikojnë për një program refugjatësh të sponsorizuar nga SHBA-ja.
“Ne nuk ia kishim idenë se ku do të iknim. Ne thjesht deshëm të ikim prej aty”, thotë ai.
Tashmë ai jeton në një qytezë të vogël në Kaliforni dhe punon për një kompani birre si kryepjekës. I martuar me një vajzë, jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë. Zbulimi i fotografisë pati efekte të thella tek ai. I lajmëruar për të nga një mik, ai zbuloi se si dukej në kohët e luftës dhe kaq mjaftoi që drithërimat e asaj kohe t’i ktheheshin dhe t’i pushtonin të gjithë trupin.
Kujtimet ikin e vijnë, përfshirë edhe ato të këqijat – kujtime të miqve “që thjeshtë u zhdukën” apo që vranë veten dhe shumë pamje të tmerrshme nga fushëbetejat.
Ai nuk ka ndër mend të kthehet në qytetin e tij të lindjes. “Për vizitë, ndoshta. Për të jetuar? Kurrë!”

Fotografia
BBC publikoi një seri me fotografi për të shënuar 20-vjetorin e rrethimit të Sarajevës. Pamja e Vladimirit qe përdorur për të ilustruar vetëm një episod.

Autori Patrick Baz
Baz kaloi shumë javë në Sarajevë më 1992 si fotoreporter për AFP. Ai rastisi përballë Vladimir Vrnoga në një nga herët e para që doli nga qendra e qytetit. Fotografia e një djali të vogël që po largohej me autobus është një nga fotot më mbresëlënëse për të.
“Unë mbaj mend fotografinë dhe mbaj mend se fillova të qaj”, thotë ai. “Ai fëmijë po ndahej nga babai i vet. Ata po përpiqeshin të ndienin duart e njëri-tjetrit përmes xhamit të autobusit ku gjendej fëmija dhe nëna e tij duke ikur. Qe më të vërtetë prekëse. Qe e tmerrshme”, thotë Baz. Shumë nga filmat e shkrepur në Sarajevë u zhvilluan dobët për shkak se qe shumë e vështirë që të ngroheshin kimikatet në temperaturën e duhur.


Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…

Mizoritë greke dhe genocidi çam

Nga Ayhan Demir*

Tërheqja e ushtrive të shtetit osman nga Gadishulli Ballkanik, u bë zanafilla e viteve plot dhimbje të shpërnguljeve, dëbimeve, përdhunimeve, masakrave, mizorive dhe genocideve për popujt muslimanë ballkanas boshnjakë dhe shqiptarë. Ndonëse genocidi boshnjak i Srebrenicës, njihet botërisht si genocidi më i madh i kryer në Gadishullin Ballkanik nuk është as i pari dhe as i vetmi.Popullsia shqiptare dhe boshnjake e Malit të Zi, i ka skalitur thellë në kujtesën e tyre, masakrat dhe mizoritë çnjerëzore tëçetnikëve serbë dhe malazezë në qytetet shqiptaretë Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës,Ulqinit, Tivarit, Kotorit, Çetinës Rozhajës, Podgoricës, dhe ato boshnjake tëBjellopoljes, Pljevljes, Shahovicës, Sienicës, Mojkovacit të pushtuar nga shteti malazez. Por ne nuk duhet të harrojmë as mizoritë greke dhe genocidin çam! Ndoshta shumë pak njerëz në Turqi dhe në botë, e dinë se gjendet një truall shqiptar me emrin Çamëri, i pushtuar nga shteti grek, që pas Luftës së Dytë Botërore! Vël…