Skip to main content

Tetova News - Lajmet e fundit


KASTRIOT MYFTARAJ






BALLKANADOLLI
GJEOSTRATEGJIK

Një histori e realiteteve strategjike,
përplasja mes Neo-Otomanizmit
e Neo-Bizantizmit dhe Shqiptarët






NDËRMARRJA BOTUESE «GJON BUZUKU»






Editorë

HANA & ABDULLAH ZENELI

Ballina dhe arti grafik

ARTAN ZENELI

© KASTRIOT MYFTARAJ, 2011

Ndërmarrja Botuese «GJON BUZUKU»

Prishtinë / KOSOVË / Kuvendi i Bujanit 42

Tel. & fax (+ 381 38) 516 231

Mob. (+ 377 44) 174 257 & 238 738

e-mail: editor@buzuku.eu

www.buzuku.eu

Shtypur në Kosovë

ISBN 978-9951-08-124-4











PËRMBAJTJA



HYRJE
Ballkanadolli gjeografik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik                     7

PJESA E PARË
NJË HISTORI GJEOSTRATEGJIKE E BALLKANADOLLIT                                19

  1. Nga Lufta e Trojës, luftërat Greko-Persiane, imperitë
Athinase dhe Spartane, Aleksandri i Madh, luftërat
e diadokëve, deri tek Roma                                                          19
  2. Nga Bizanti, mbretëritë gote, Imperia Bullgare, Imperia
Latine Lindore, dhe Imperia Serbe                                               34
  3. Ballkanadolli otoman: nga ekuilibri tek supremacia otomane      63
  4. Lufta e Skënderbeut në gjeostrategjinë e Ballkanadollit             82
  5. Paralelogrami otoman i forcës në Ballkanadoll, plani
Ballkanadollian i Katerinës së Madhe, strategjia ball-
kanadolliane e Napo­leonit, Kriza Lindore si stereotip
strategjik Ballkanadollian                                                           109
  6. Ballkanadolli në Weltpolitik të Gjermanisë wilhelmiane,
ekuilibri i forcës në Ballkanadoll si parakushti i fillimit
të Luftës së Parë Botërore                                                           129
  7. Shqiptarët dhe disfata otomane në Ballkan, në 1912                 138
  8. Ballkanadolli në Luftën e Parë Botërore, deja vu e Kryqatës
      së Katërt dhe aleanca ballkanadolliane ndërmjet dy luftërave          159
  9. Ballkanadolli midis drapërit nazist (swastikës) e çekanit
sovjetik dhe inkurajimi i Neo-Otomanizmit nga Britania
e Madhe dhe Franca                                                                    178
10. Ekuilibri në Ballkanadoll në Luftën e Ftohtë, boshti i mun-
       guar ballkanadollian i NATO-s, dhe epoka e re e luftës për
 Ballkanadollin pas përfundimit të Luftës së Ftohtë                    195
PJESA E DYTË
PËRBALLJA E NEO-OTOMANIZMIT ME NEO-BIZANTIZMIN                        217

1. Neo-Otomanizmi në Ballkan dhe shqiptarët                                   217
2. Turqia neo-otomane në rivalitetin Bashkim Europian-SHBA      247
3. Neo-Bizantizmi dhe Neo-Otomanizmi: bashkëpunimi për
 ndërtimin e Doomsday device                                                      269
4. Rusia dhe Neo-Otomanizmi në Ballkan: Loja e Vogël Brenda
 Lojës së Madhe                                                                             282
5. Thalasokracia neo-otomane                                                          304
6. Neo-Otomanizmi nuklear, si bir ilegjitim i Sherifit bërthamor
    amerikan dhe Europës Neo-Bizantine                                          319
7. Ekuivalenti i Memorandumit “Crowe” për Neo-Otomanizmin
 në kryeqytetet ballkanike                                                             324
8. Futurologjia e Neo-Otomanizmit dhe Neo-Bizantizmit              344
9. Reagimi shqiptar ndaj Doktrinës “Davutoglu”                            357
    Ismail Kadare                                                                                357
    Arbër Xhaferi                                                                                368
   Piro Misha                                                                                     374
   Veton Surroi                                                                                  378































HYRJE

Ballkanadolli gjeografik, gjeostrategjik
dhe gjeopolitik[1]


Nëse do të këqyret harta e botës, nga pikëpamja e kraha­simit të atyre gadishujve që gjenden pranë njëri-tjetrit, do të shihet se në asnjë pjesë të saj nuk ka një raport të tillë mes dy njësive gjeografike, si ai mes Gadishullit të Ballkanit dhe Gadishullit të Anadollit. Kurrkund nuk ka dy njësi të tilla gjeografike, që ndahen dhe bashkohen me kaq shumë nyje. Duket sikur Zoti kur krijoi botën, apo natyra nëse doni, ka qenë në dilemë nëse duhet t’i ndajë apo t’i bashkojë këto dy masa të mëdha tokë­sore, dhe më në fund ka gjetur një mënyrë të mesme. Ballkani dhe Anadolli ndahen nga dy ngushtina, ajo e Bosforit dhe ajo e Dardaneleve, ndërmjet të cilave është një det, Deti Marmara, kur shikon trajtën e të cilit nuk mund të mos mendosh se, Zoti, apo natyra, si të dëshironi, ka qenë në dilemë nëse duhet ta bënte liqen apo det. Ky det, për nga trajta që ka mund të quhet edhe si liqeni që bashkon Ballkanin dhe Anadollin. Edhe Deti i Zi, i cili aq sa e ndan Ballkanin nga Anadolli, aq edhe i bashkon vendet e Ballkanit lindor me Tur­qinë anadolliane, ngjan si peng gjeografik i nyjes që lidh Ball­kanin me Anadollin, ngushtinave të Detit Marmara. Deti Egje, në jug të ngushtinave, duket sikur është krijuar më tepër për të bashkuar se për të ndarë dy masat e mëdha tokësore. Nuk ka në botë një det tjetër të vogël, si Deti Egje, i cili të gjendet midis dy masave të mëdha tokësore dhe që 10 për qind sipërfaqes së këtij deti të përbëhet nga ishuj të shumtë, të shpërndarë gjithandej, aq sa të krijohet përshtypja e ngjashmërisë mes Egjeut dhe tokës të mbushur me liqene të Finlandës.
Fakti që lumi më i madh i Ballkanit, Danubi, i cili përbën arterien kryesore ujore të Ballkanit, derdhet në Detin e Zi, pra në detin që nga pikëpamja e komunikimit në rrugë ujore bashkon Anadollin dhe Ballkanin, është një tjetër nyje që i lidh këto dy masa të mëdha tokësore. Edhe kur kërkohet që të ndërtohet një korridor tokësor që lidh dy brigjet e Ballkanit, atë perëndimor adriatikas dhe atë lindor të Detit të Zi, siç është Korridori 8, shihet se në fakt ky korridor, aq sa lidh dy bri­gjet ballkanase, aq edhe lidh bregun veriperëndimor anadollian me atë perëndimor ballkanas, pra Detin Marmara me Adria­tikun, Stambollin me Durrësin. Kështu, Korridori 8, i quajtur si një korridor ball­kanik, është në fakt një korridor Ballkan-Anadoll. Ballkani dhe Anadolli pra gjenden në një raport të tillë gjeo­grafik, që duket se ata aq sa ç’ndahen, aq edhe përbëjnë një masë të vetme tokë­sore, për çka në analogji me fjalën “Eurazi”, e lindur nga bash­kimi i fjalëve “Europë” dhe “Azi”, për shkak se këto kontinente përbëjnë në fakt një masë të vetme tokësore, është me vend edhe fjala “Ballkanadoll”, në anglisht “Balkana­tolia”. Duket sikur edhe emrat e dy masave të mëdha tokësore, janë të tilla që priren kah bashkimi.
Unë kam frikë se lexuesi, që në këtë moment e imagjinon Ballkanadollin në hartë sipas stereotipit të përgjithshëm, i cili tenton që t’i njësojë këto dy masive tokësore me një numër shtetesh të caktuara. Në rastin e Anadollit, gjërat janë thjeshtuar shumë, për shkak të përkimit të gjeografisë me gjeopolitikën, ashtu që ky gadishull identifikohet me pjesën aziatike të Turqisë, në përfytyrimin e përgjithshëm, çka nuk është koncepti me të cilin operoj unë në këtë libër. Në fakt pas krijimit të Republikës së Turqisë, në gjeografinë zyrtare turke filloi që të emërtohet si Anadoll edhe territori turk në lindje të Anadollit historik, pra në lindje të vendburimeve të lumenjve Tigër dhe Eufrat, ku historikisht fillonte Mesopotamia, si dhe territori në verilindje të Anadollit historik. Ky zgjerim i konceptit të Anadollit u bë për raison d’etat, në interes të ruajtjes së tërësisë tokësore të Turqisë.
Në rastin e Ballkanit gjërat janë dukshëm më të ndërlikuara, pasiqë kur përmendet fjala “Ballkan” në mendjen e lexuesit, kufijtë e kësaj njësie gjeografike përcaktohen varësisht kono­tacionit gjeokulturor dhe gjeopolitik që ekziston tek stereotipi përkatës. Kështu, kufiri verior tokësor i Ballkanit identifikohet me kufij shtetërorë, të cilët në një rast janë kufiri verior i Bullgarisë dhe Serbisë dhe Kroacisë, duke mbetur jashtë Rumania dhe Sllovenia, dhe në një rast tjetër shkon tek kufiri verior i Rumanisë, duke hyrë ky vend në Ballkan. Por ka një kufi gjeografik të Ballkanit, i cili kufi pret shtete që assesi nuk duan që ta quajnë veten ballkanase, gjë për të cilën i kanë pa­guar tributin realitetit gjatë historisë. Nëse i qëndrojmë rigo­rozisht definicionit gjeografik të gadishullit, atëherë Gadishulli i Ballkanit është gjithë masivi tokësor në jug të një drejtëze të hequr në hartë që nga Monfalcone, në Italinë verilindore, deri në Odesa, në Ukrainën jugperëndimore. Në fakt ky kufi rigoroz gjeografik përkon afërsisht edhe me një kufi natyror që janë Malet Karpate në lindje, Lumi Drava në pjesën qendrore dhe Alpet e Europës në veriperëndim. Kufiri rigoroz gjeografik i Ballkanit, Vija Monfalcone-Odesa, pret tetë shtete, Italinë, Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë, Serbinë, Rumaninë, Moldo­vën, Ukrainën, nga të cilat Italia dhe Hun­garia, në asnjë lloj gjeografie nuk konsiderohen si vende ball­kanase, ndërsa Sllo­venia rëndom nuk quhet më vend ballkanas. Por, nëse thello­hesh në histori, vëren se të dy shtetet joball­kanase territori i të cilave e cek kufirin gjeografik të Ballkanit, kanë humbur territore të mëdha në Ballkan, në të shkuarën e afërt, Italia në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dhe Hungaria në përfun­dim të Luftës së Parë Botërore.[2]Përjetimi si një katastrofë nacionale në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore i humbjeve territoriale të Italisë në Ballkanin veriperëndimor, të cilat bënë që të rritet ekspozimi i vendit ndaj rrezikut sovjetik nga Lindja, ushqehej sadopak edhe nga kujtesa historike e katastrofës së hershme të invadimit të Apenineve dhe Romës nga barbarët, nëpërmjet Ballkanit, në shekullin V pas Krishtit. Përveç lidhjes që Italia ka në veri me Ballkanin, është dhe Kanali i Otrantos në jug, i cili është për Gadishullin Apenin ekuivalenti i Kanalit të Dover-it për Britaninë e Madhe. Nga gjashtë shtetet e tjera që pret kufiri gjeografik i Ballkanit, tre prej tyre, Kroacia, Serbia dhe Rumania e kanë pjesën më të madhe të territorit në Ballkan, me Serbinë që ka vetëm një cep jashtë kufirit gjeografik të Ball­kanit.
Kufiri gjeografik i Anadollit do të paraqitej me një diagonale e cila kalon nga qyteti i Iskenderunit, në skajin juglindor të bregdetit të Turqisë, deri në qytetin e Batumit, në bregdetin jugperëndimor të Gjeorgjisë. Në lindje të kësaj vije, janë vend­burimet e lumenjve Tigër dhe Eufrat ku fillon Mesopo­tamia, krahina në mes dhe përreth këtyre dy lumenjve të mëdhenj. Si kufi natyror i anadollit në këtë anë janë Malet Taurus nga dy lumenjtë e sipërpërmendur zbresin kah jugu dhe juglindja. Terrritorit në verilindje të kufirit gjeografik të Anadollit shëno­hej në hartat perëndimore si Armenia, kështu që turqit bënë gjithçka që kishin në dorë për ta ndryshuar këtë term në harta. Gadishulli i Anadollit mbulon 70 për qind të territorit të pjesës aziatike të Turqisë së sotme.
Nga raporti krejt i veçantë gjeografik mes Ballkanit dhe Anadollit ka lindur edhe një raport krejt i veçantë gjeostrategjik mes tyre. Që prej kohërave të lashta, Gadishulli i Ballkanit dhe Gadishulli i Anadollit kanë përbërë një zonë të bashkuar stra­tegjike, një zonë unike, e cila mund të quhet edhe Ballkan­adolli gjeostrategjik, ku ka ekzistuar një relacion i posaçëm gjeostra­tegjik mes dy masave të mëdha tokësore. Ky relacion ka për­ftuar një ekuacion strategjik historik, dy anët e të cilit shenjojnë raportin e fuqisë mes dy masave të mëdha tokësore në dy anët e Detit Marmara, përkatësisht Ballkanit dhe Anadollit. Historia, që prej Lashtësisë, ka përcaktuar disa postulate gjeostrategjike me vlerë të tejkohshme, si dhe disa ngjarje - stereotipe gjeostra­tegjike, të cilat përsëriten në situata të ngjashme, në kohëra të ndryshme, me një rregullsi kurioze. Përgjatë krejt historisë, ka ekzistuar dhe vazhdon që të ekzistojë, në mënyrë të natyrshme, një bosht gjeostrategjik Ballkan-Anadoll, ndryshe ballkana­dollian, ku ka ekzistuar dhe ekziston loja e fuqisë, dhe balanca e fuqisë, me kategoritë e saj të ekuilibrit të forcës dhe të supre­macisë e inferioritetit të palëve, në dy anët e zonës unike gjeo­strategjike. Shtetet e krijuara në secilën anë të zonës së përbash­kët gjeostrategjike, në Ballkan apo në Anadoll, janë kërcënuar dhe shkatërruar nëse nuk janë përpjekur, apo nëse nuk ia kanë arritur që të ndërtojnë një brez tokësor sigurie dhe një zonë influence në anën tjetër. Përndryshe, nëse ia kanë arritur që ta bëjnë këtë gjë, atëherë kanë rritur fuqinë e tyre dhe janë zhvilluar deri në imperi botërore. Çdo herë që është krijuar një qendër fuqie e rëndësishme, në çdonjërën nga dy masat e mëdha tokësore të sipërpërmendura, ajo ka bërë përpjekje natyrshëm që të shtrihet së pari në anën tjetër të Detit Marmara, duke e parë zotërimin e një sipërfaqeje sa më të madhe të masës tjetër tokësore, si parakushtin e sigurisë së vet. Kur kanë ekzis­tuar dy qendra të rëndësishme fuqie, në dy anët e Detit Mar­mara, secila prej tyre ka bërë përpjekje që së pari të eliminojë tjetrën, para se të ndërmarrë sfida të tjera. Kur njëra palë ka prevaluar, dhe ka kërcënuar që të invadojë, ose e ka invaduar anën tjetër, shtetet e kërcënuara kanë krijuar aleanca për të krijuar një ekuilibër force, që do të bënte të mundur sigurinë e tyre. Prishja e ekuilibrit strategjik në Ballkanadoll ka rezultuar me invadimin dhe pushtimin e njërës apo tjetrës pjesë të këtij areali.
Edhe shtetet, që gjatë historisë janë bërë imperi botërore, dhe që kanë qenë në dy anët e Ballkanadollit, si Roma, apo Persia antike, varësisht afërsisë gjeografike me këtë zonë, e kanë parë zotërimin e kësaj zone strategjike, si prioritet. Roma, e cila gjendej shumë më afër Ballkanadollit se Persia, e pa dominimin e tij si prioritetin e saj, duke e realizuar atë paralel me shkatërrimin e Kartagjenës, që ishte diçka jetike për të. Persia, para Romës, në kohën që kishte krijuar një imperi botërore, nga Indianë Anadoll, kërkoi që të kontrollonte dhe boshtin strategjik Ballkan-Anadoll. Nuk është një gjë e rastit që imperitë e mëdha, të cilat e shpërfillën zotërimin e këtij boshti, u zhdukën pa lënë gjurmë, fill pas kësaj shkujdesjeje. Kështu, Imperia gjigande tartare e Timurlengut, e cila zotëronte një pjesë të madhe të Eurazisë, u zhduk sikur të mos kishte ekzis­tuar në faqe të dheut, fill pas vdekjes së Timurlengut në 1405, vetëm tre vite pasiqë ky, kur invadoi Anadollin me një ushtri gjigande, dhe e dërrmoi ushtrinë otomane, nuk kaloi në Ballkan. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për imperinë mongole para saj, më e madhja që ka ekzistuar në histori, e cila u copëtua fill pasiqë shpërfilli Ballkanadollin. Shpërfillja prej tyre e Ball­kanadollit ishte një simptomë e brishtësisë së tyre.
Ballkanadolli gjeografik ka përcaktuar dhe ekzistencën e Ballkanadollit gjeopolitik, ashtu që çdo shtet i rëndësishëm, në njërën anë të Ballkanadollit, ka kërkuar që të ndërtojë zonën e tij të influencës, në anën tjetër, si garanci për sigurinë e tij, së pari, por edhe si premisë për projektimin e fuqisë më tutje. Nga kjo pikëpamje janë bërë edhe aleancat gjatë historisë, ndërmjet vendeve të Ballkanadollit. Napoleon Bonaparti, në letrën që i dërgonte Mbretit të Prusisë në 1804 shkruante:
La politique de toutes les puissances est dans leur geogra­phie..[3]
Gjeografia Ballkanadolliane ka përcaktuar gjeopolitikën Ballkanadolliane të shteteve të kësaj zone. Prandaj kjo zonë ka një histori të vetën unike gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Johan Gottfried Herder ka thënë se historia është gjeografi që ecën. Askund ndoshta kjo thënie nuk është më e vërtetë se në Ballkanadoll. Duke e zhvilluar sentencën e Herder, mund të thuhet se, nëse gjeografia është hapësira, historia është koha, ashtu siç profilohet e kushtëzuar nga kjo hapësirë. Historia e vendeve të Ballkanit dhe Anadollit është histori ballkana­do­lliane. Nuk është e rastësishme që sot, derisa një shtet krye­sisht anadollian, si Turqia, del si kampion i ruajtjes së trashë­gimisë kulturore otomano-islame në Ballkan, një shtet ballka­nas, si Greqia, del si kampion i ruajtjes së trashëgimisë kulturore biza­n­tino-kristiane në Anadoll. Ndonëse studiuesi turk Ahmet Davut­oglu, nuk e përdor konceptin e zonës së vetme gjeo­strategjike Ballkan-Anadoll, në librin e vet “Thellë­sia strate­gjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, i cili do të jetë në fokus të analizës në këtë libër timin, ai duket se ka në mendje diçka të ngjashme me konceptin e Ballkanadollit, kur shkruan në fillim të librit, duke elaboruar konceptet dhe termat me të cilat operon në libër:
Një koncept tjetër që duhet përkufizuar dhe shtjelluar meqë do të përmendet shpesh në këtë studim, është baseni. Me konceptin dhe termin basen përkufizojmë zonat që zotërojnë tërësi brendastrategjike, të formuara nga shumë linja gjeo­politike, gjeokulturore dhe gjeoekonomike që presin njëra-tjetrën. Përkufizime të tilla, si baseni gjeopolitik gjerman, baseni i stepës ruse, reflektojnë fushat e manovrës strategjike të përmasave të gjera që dalin në shesh si përfundim i natyrishëm i pozitës gjeografike të këtyre vendeve.
Në këtë kornizë, përkufizimin zonë e ndikueshmërisë kon­tinentale dhe ndërzonale e përdorim për fushën ku priten konceptualizimet e forcave (fuqive) të mëdha mbi basenin. Për shembull, stepat e Europës Lindore që ndajnë Azinë dhe Evro­pën nga njëra-tjetra, kanë formuar gjatë historisë së diploma­cisë moderne, fushën e ndikueshmërisë së konceptua­lizimeve mbi basenin përgjithësisht sllave dhe gjermane, veçanërisht ruse dhe gjermane.[4]
Nga kjo pikëpamje është me interes që të veçohen që në fillim termat në të cilat operon Davutoglu:
Kuptimdhënia brenda një tërësie të brendshme për koncepte të tilla si fushë qendrore, kufi, linjë, brez, basen dhe zonë ndikueshmërie, bart një rëndësi të madhe edhe për ta kuptuar procesin e strukturimit strategjik dhe të politikës së jashtme të secilit vend. Po të shihet nga këndvështrimi i politikës reale-
-aktuale, konceptualiteti basen përcakton fushën e manovrës strategjike; konceptualiteti zonë e ndikueshmërisë përcakton hapësirën gjeografike ku këto fusha manovre shndërrohen në luftë strategjike me shumë aspekte; përkufizimet linjë dhe brez përcaktojnë fushën e shkallëzimit dhe zbatimit taktik të syni­meve (objekteve) strategjike; përkufizimi kufij juridikë përcak­ton vijat e ndarjes që u sigurojnë pozicioneve strategjike ofen­sive dhe defensive të përftojnë legjitimitet; kurse përku­fizimi fushë qëndrore përcakton themelin ekzistencial stra­tegjik.[5]
Thelbi i mendimit të Davutoglu është se realitetet gjeostra­tegjike, gjeokulturore, gjeoekonomike, gjeopolitike i relative­zojnë kufijtë shtetërorë, duke krijuar një dinamikë që sjell realitete komplekse. Davutoglu shkruan se:
Përpjesëtimi i hapësirave gjeografike mes shteteve si ele­mentë pavarësie dhe shndërrimi i këtij përpjesëtimi në një normë juridike ndërkombëtare, formojnë themelin e konceptit modern mbi kufirin. Nga ky këndvështrim, koncepti kufi formon dy fusha kuptimore sipas këndvështrimit të fushës së veprimit: njëra, pozitive, e cila përkufizon pavarësinë introverse dhe tjetra, negative, e cila përkufizon kufirin e pavarësisë ekstroverse.
Fushat e konfliktit cilësor gjeopolitik ndërkombëtar dhe zonal janë reflektime të diferencimit mes fushave të pavarësisë të parapara nga këto përkufizime mbi kufirin, dhe fushave të brendavartësisë të formuara nga gjeografia fizike, ekonomike dhe kulturore. Në këtë kornizë, diferencimi midis kufijve, nga njëra anë, dhe brezave e linjave gjeopolitike, nga ana tjetër, fiton një rëndësi të posaçme. Shndërrimi në njësi të ndara nga njëra-tjetra i brezave gjeopolitikë të formuar nga fusha që plotësojnë njëra-tjetrën nga këndvështrimi gjeografiko-fizik dhe ekonomik, me përkufizimet reciproke mbi kufirin, sjell me vete potencialin e konfliktit për pavarësi që mund të ashpërsohet çdo çast gjatë gjithë këtyre brezave. Veçanërisht në shumicën e konflikteve kufitare mes shteteve kombëtare të dala në shesh së bashku me shpërndarjen e perandorive kolonialiste janë për­gjegjës në një masë të madhe mospërputhjet mes kufirit ligjor dhe brezit gjeopolitik.[6]
Ballkanadolli është një zonë ku kufijtë virtualë gjeostra­tegjikë, gjeokulturorë dhe gjeoekonomikë, gjeopolitikë inter­fe­rojnë ata shtetërorë, ndoshta si kurrkund tjetër, në një sipër­faqe relativisht të vogël.[7]Historia gjeostrategjike e Ball­kan­adollit në fakt vërteton teknikisht drejtësinë e paradigmës së Davutoglu, të shprehur në paragrafët e mësipërm. Historia gjeo­strategjike e Ballkanadollit është një premisë që nuk mund të mos kon­siderohet kur përpunohen konceptet gjeostrategjike të sigurisë, në vendet e Ballkanadollit. Ahmet Davutoglu, e thotë saktë në librin e vet “Thellësia strategjike: pozita ndërkombë­tare e Tur­qisë”, kur shkruan se:
Vetëdija strategjike është e detyruar që të mbështetet në histori, kurse planifikimi strategjik në realitetet e sotme.[8]
Kur shikon ngjarjet e së shkuarës së afërt, dhe të sotme, nuk mund të mos të bëjë përshtypje fakti se bëhet fjalë për stere­o­tipe që përsëritin vetveten, për shkak se gjeografia imponon të njëjtat veprime për shtetet, në situata të ngjashme, në kohëra të ndryshme, që prej Lashtësisë dhe deri më sot. Nuk ka arsye që të besohet se, në ardhmëri gjërat do të shkojnë ndryshe. Studiuesi i madh i gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë, Nicholas J. Spykman, autori i teorisë së Rimlandit, do të shkruante në vitin 1939, duke folur për peshën që ka gjeografia në zhvillimet ndërkombëtare, thotë:
Por, që nga koha kur Deti i Kuq u hap për të kaluar Moseu, e dielli u detyrua që të ndalet për Joshua-in, vullneti njerëzor ka qenë i paaftë që të ushtrojë kontrollin mbi topografinë që kanë demonstruar këta xhentëllmenë të plotfuqishëm, prandaj është ndoshta më e sigurt që të thuhet se ndodhi për shkak të gjeografisë ruse, më tepër se për shkak të njerëzve që korsikani i vogël më në fund u mund.[9]
Vendeve të vogla dhe nacioneve të vogla, si ai shqiptar, shpesh u ndodh që të befasohen nga historia, se duke qenë më tepër situata gjeostrategjike dhe gjeopolitike, se sa aktorë gjestrategjikë dhe gjeopolitikë, nuk e kanë të zhvilluar kujtesën historike dhe vetëdijen se e tashmja dhe e ardhmja, më tepër se ngjarje të reja, ofrojnë përsëritje të situatave stereotipe histo­rike, për shkak të asaj që mund të quhet si forca e rëndesës e gjeografisë dhe faktorëve të tjerë që ka prodhuar ajo. Për vendet e vogla si Shqipëria, dhe për nacionet e vogla si ai shqiptar, të gjendur në një zonë tektonike gjeostrategjike dhe gjeopolitike, vlen ajo që shkruan George Fried­man në librin e vet “The next 100 years: A forecast for the 21-st century”, ku paralajmëron:
Në gjeopolitikë ka një parametër-kyç të njohur si margjina e gabimit. Ajo parashikon se sa hapësirë ka një vend për të bërë gabime. Margjina e gabimit konsiston në dy gjëra: lloji i rre­zikut me të cilin ballafaqohet një shtet dhe sasia e fuqisë që ai zotëron. Disa vende kanë margjina shumë të vogla gabimi. Këto vende kanë prirjen që të jenë të obseduara edhe në detajet më të vogla të politikës së jashtme, të vetëdijshme se hapi më i vogël i gabuar mund të jetë katastrofik. Izraeli dhe Palestina nuk kanë margjina të mëdha gabimi, për shkak të përmasave të tyre të vogla dhe të vendndodhjes së tyre. Islanda, në anën tjetër, ka shumë hapësirë për gabime. Ajo është e vogël por gjendet në një zonë me fqinjësi të largët.[10]
 Detyra e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare të këtyre lloj vendeve bëhet më e vështirë se e homologëve të tyre të vendeve të mëdha. Prandaj, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendeve me margjina të vogla gabimi, duhet të ndjekin, siç thotë Friedman, atë që është:
Parimi themelor i planifikimit strategjik: shpreso për më të mirën, planifiko më të keqen.[11]
Gjeografia është një nga faktorët që e bëjnë historinë që të priret kah përsëritja e situatave në kohëra të ndryshme, kur shtetet janë të detyruara që në pajtim me vendndodhjen e tyre, të veprojnë sipas stereotipeve gjeostrategjike të së shkuarës.


Tiranë, 2011                                                 Kastriot Myftaraj


[1] Për të pasur lexuesi një ide mbi përdorimin e termave “gjeostrategjik” dhe “gjeopolitik” në këtë libër, e adresoj tek definimi që bën Zbigniev Brze­zinski në librin “Plani i Lojës”, ku shkruan:
Fjalët gjeopolitik, strategjik dhe gjeostrategjik, janë përdorur duke bartur kuptimet e mëposhtme: Fjala “gjeopolitik” reflekton kombinimin e faktorëve gjeografikë dhe politikë që përcaktojnë pozitën e një shteti ose regjioni dhe the­k­sojnë impaktin e gjeografisë mbi politikën. “Strategjik” i referohet apliki­mit tërësor dhe të planifikuar të masave për arritjen e një synimi qendror, ose të ase­teve me rëndësi ushtarake. Fjala “gjeostrategjik” shkrin konsideratat strate­gjike me ato gjeopolitike.(Zbigniev Brzezinski, “Game Plan: a Geo­stra­tegic Frame­work for the Conduct of the US-Soviet Contest”, Boston, The Atlantic Monthly Press, 1986, f. XIV).

[2] Në rastin e Hungarisë nuk e kam fjalën për Kroacinë, të cilën e zotëronte Mbretëria e Hungarisë, brenda Monarkisë Dualiste Habsburgase por për Vojvodinën, atëherë të populluar kryesisht me hungarezë dhe gjermanë.

[3] Politika [e jashtme] e të gjitha fuqive është në gjeografinë e tyre. “Corres­pondence de Napoleon I”, Paris 1862, X, 60, N. 8170.

[4]Ahmet Davutoglu: “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Tur­qisë”, Shtëpia botuese Logos-A, Shkup 2010, f. 39.

[5] Po atje: f. 41.

[6] Po atje: f. 35.
[7] Davutoglu jep edhe këto përcaktime për konceptin e kufijve:
Ndërsa koncepti boundary/territory që është barasvlerës i konceptit kufi, siç mund të kuptohet edhe nga përmbajtja, bart kuptimin e diçkaje që i lidh vendet, koncepti frontier, që ne e përkufizuam si paralinjë gjeopolitike dhe do ta përdorim në kapitujt vijues shkurt si linjë, parashtrohen parafushat për ku drejtohen shoqëritë, popujt. Kurse koncepti strategjik belt përdoret për një brez që edhe kufizon, edhe mund të eptohet sipas rrëshqitjeve të pavarësisë… Ky diferencim mes kufirit juridik (boundary) dhe linjës gjeopolitike (frontier) përbën edhe sot shkakun kryesor të dinamizmit në gjeopolitikën e Eurazisë. (Ahmet Davutoglu: “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, Shtëpia botuese Logos-A, Shkup 2010, f. 36-37).
[8] Ahmet Davutoglu: “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, Shtëpia botuese Logos-A, Shkup 2010, f. 89.

  [9] “The American Political Science Rewiev”, Vol. XXXII, Nr. 1, February 1939, f. 213.
[10] George Friedman, “The next 100 years: A forecast for the 21st century”, Anchor books, New York 2009, f. 46-47.

[11] Po atje, f. 69.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…

Mizoritë greke dhe genocidi çam

Nga Ayhan Demir*

Tërheqja e ushtrive të shtetit osman nga Gadishulli Ballkanik, u bë zanafilla e viteve plot dhimbje të shpërnguljeve, dëbimeve, përdhunimeve, masakrave, mizorive dhe genocideve për popujt muslimanë ballkanas boshnjakë dhe shqiptarë. Ndonëse genocidi boshnjak i Srebrenicës, njihet botërisht si genocidi më i madh i kryer në Gadishullin Ballkanik nuk është as i pari dhe as i vetmi.Popullsia shqiptare dhe boshnjake e Malit të Zi, i ka skalitur thellë në kujtesën e tyre, masakrat dhe mizoritë çnjerëzore tëçetnikëve serbë dhe malazezë në qytetet shqiptaretë Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës,Ulqinit, Tivarit, Kotorit, Çetinës Rozhajës, Podgoricës, dhe ato boshnjake tëBjellopoljes, Pljevljes, Shahovicës, Sienicës, Mojkovacit të pushtuar nga shteti malazez. Por ne nuk duhet të harrojmë as mizoritë greke dhe genocidin çam! Ndoshta shumë pak njerëz në Turqi dhe në botë, e dinë se gjendet një truall shqiptar me emrin Çamëri, i pushtuar nga shteti grek, që pas Luftës së Dytë Botërore! Vël…