Skip to main content

William Butler Yeats


William Butler Yeats, (lindur më 13 qershor të vitit 1865 dhe vdekur më 28 Januar 1939) është një
poet i njohur irlandez, dramaturg dhe një nga figurat më të shquara të letërsisë së shekullit të 20-të. Konsiderohet si një nga shtyllat letrare, ku do të mbështetej më vonë letërsia irlandeze dhe njëkohësisht edhe ajo britanike. Ka një jetë të gjerë dhe përgjatë saj, arriti të shërbejë edhe si senator i Irlandës në dy mandate. Kritika e vlerëson si një figurë, e cila u bë një forcë e vërtetë orientimi për artistët fill pas Rilindjes Letrare të Irlandës. Sëbashku me Lady Gregory dhe Edward Martyn, kjo treshe e cila është konsideruar si e jashtëzakonshme për kohën, themeloi teatrin e famshëm Abbey. Ai, vetë, madje e drejtoi teatrin në vitet e hershme . Më 1923, atij iu akordua çmimi Nobel në letërsi me motivacionin:”poezi e inspiruar, e cila në format më të larta artistike të saj jep shprehjen e një kombi të tërë”. Ai ishte irlandezi i parë, që e meritonte këtë çmim por mbi të gjitha një njeri (konsiderohet si pak të tjerë), veprat e të cilëve u kompletuan përfundimisht vetëm pas marrjes së Çmimit Nobel. Punët më të njohura të tij përfshijnë The Tower (1928) dhe The Winding Stair and Other Poems (1929).
Yeats lindi dhe u arsimua në Dublin, ndërsa fëmijërinë e kaloi në County Sligo. E studioi poezinë që fëmijë, por duhet thënë se kur ishte i mitur mrekullohej nga legjendat irlandeze dhe gjërat okulte. Botoi për herë të parë më 1889 dhe pak nga pak kaloi në një stad tjetër, ku duhet thënë se poezitë e tij lirike tregonin realisht ndikimin e Edmund Spenser dhe Percy Bysshe Shelley, po aq sa edhe lirika e poetëve të ashtuquajtur Para-Raphaelite. Që nga 1900 poezia e tij u bë më fizike dhe realiste. Ai shpalli gjerësisht besimin transcendental të rinisë së tij, megjithëse mbeti i preokupuar me maskat fizike dhe shpirtërore po aqsa edhe teoritë ciklike të jetës. Në vitet që kaluan, Yeats u përshtat edhe me shumë pozicione të ndryshme ideologjike, ku duke iu referuar fjalëve të kritikut Michael Valdez Moses, “edhe të atyre të nacionalistëve radikalë, liberalëve klasikë, konservatorëve reaksionarë dhe nihilistëve milenistë “.
Lundrim drejt Byzantium 
Përtej s’është më trualli për të moçmit. Rioshë,
Veç, në krahët e njëri-tjetrit, si zogjtë ndër pemë
-T’dikurshmëve breza të vdekur-q’ikin në t’tyre këngë
Në vjeshtën e zbehtë, skumbritë-në togje mbi detë
Peshq, mish apo shpezë lëvduar për gjithë verën e gjat’
Çfarëdo që ngjau, si lindi dhe shuhet
Mbërthyer në at’ muzikë të ndjeshme lënë menjanë
Monumentet e atij intelekti të pakohë

Një burrë në moshë, thjesht një gjë e mjerë
Me një copë rreckë mbi shkopin pasdore
E nëse shpirti do t’ia përplasë duart e t’i këndojë dhe fort t’i bjerë
E çdo reckë mbathur n’ at’ veshjen e tij mortore
S’do i gjendet më atje diç mësim kënge për të studiuar
As vetë monumentet e madhështisë së tij
Ndaj kështu, lundrova deteve dhe mbërrita
Në qytetin e shenjtë të Byzantium.

Oh, urtësi- prurë prej zjarrit të shenjtë të Zotit
Njaj si n’at mozaikun e artë të muranës
Bartur prej zjarrit të shenjtë, vërtitur tejet
Ti, pra bëhu mjeshtër i këngës së shpirtit tim.
Ma shuaj të gjithë zemrën; ligun me dëshirën
Dhe ngucu drejt kësaj kafshe të vdekur
Nuk dihet çfarë është; mblidhmuni afër
Drejt zejes së përjetësisë.

Sërish jashtë natyrës, kurrë s’do ta barabisë Formën e trupit tim nga ndonjë gjë natyrore
Por një e tillë formë bërë prej artarëve të Greqisë
E asaj mase t’floriri dhe e arit aq të lbyrë
Duhet për të mbajtur t’përgjumërën Perandori zgjuar
Apo mbase vendosur mbi një degëz ari për të kënduar
Për zotërit dhe zonjat e Byzantium
Pra, bash asaj t’shkuare, apo t’ kaluare, që duhet t’na vijë


Byzantium Imazhet e pashlyera të ditës shuhen;
Armata e stërpirë e Perandorit dergjet në shtrat;
Kumtimi i natës largohet, tej këngës së vetmitarit
E pas gongut të madh prej katedrales;
Kubeja me spërkitjen e yjeve dhe Hënës i përbuz
Të gjitha, ato që ky njeri është,
Të gjitha, e krejt pështjellat,
Egërsinë dhe batakun e gjendjeve njerëzore.

Para meje rrjedh një imazh, njeri apo hije,
Hije më shumë se njeri, më shumë imazh sesa hije
Për at’vorbullën e Hadesit pështjell në at’cohën e mumies
A mund vallë ta shpështjell këtë udhë të erës;
Një gojë që s’ka lagështirë dhe asfare frymë
Kështu gojët e pafryma mund të mblidhen
E unë të lartoj superqënien;
Ta thërras atë vdekje në jetë dhe jetë në vdekje.


Mrekulli, zog apo vetë ti punë prej dorës së artë
Më shumë mrekulli sesa zogu apo puna e dorës
Mbjellë mbi at’degë të artë të dritë-yllit
A mundet vallë sak si gjelat që këndojnë në Hades
Ose nga Hëna e hidhëruar, që neverit prej lartë
Në lavd’ të metalit të pandryshimtë
Zogut të përbashkët apo metalit
Bashkë t’jen gjithë batërditë e batakut apo gjakut

E në mesnatë mbi çapitjen në kalldrëmin e perandorit
Flakët që nuk ushqejnë dot vandakët, apo çelikun s’e lëbyrin
E as edhe stuhia s’i shqetëson, flakët të sjellë prej zjarrit
Ku shpirtrat e gjak-sjelljes vinë-ikin
Dhe gjithë pështjellimet e zemërimit largohen
Shuar në një vallëzim
Në një agoni në ekstazë
Një agoni flake që s’mund të përzhisë mbështjellën

E pos kaluar në të mbeturat dhe gjakun e delfinëve
Shpirt pas shpirti! Farkëtarët thyejnë rrjedhën,
Farkëtarët e artë të Perandorisë!
Mbi mermerët e truallit të kërcimit
Furitë e thyera hidhur të kompleksitetit
Ato imazhe që ende
Pamje t’ freskëta na sjellin
Si mbi a’të delfin të shqyer, që sak i munduar po humbet në det
Përktheu nga origjinali Ben Andoni 

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…