Skip to main content

Tetova News - Lajmet e fundit

Shpejtò, pranverë..

Zef Zorba

Zef Zorba

Pak biografi…

Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të zi në nëj fmailje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër më 1941 rregjistrohet në fakultetin e shkencave shoqërore, dega e studimeve Politike në universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nënpunës banke. Në vitet 1945 -1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramtike me tingëllim të qartë disident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i popullit” i Ibsenit”etj. Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Vuan dënimin në burg politik deri në vitin 1951. Më vonë punon në ndërmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur edhe del në pension. Ndërron jetë në janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të gjysmëshekullit njëzet, Zorba i pajisur me një kulturë të pazakontë për kohën dhe mjedisin ku jetoi, vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai kroijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne duke përkthyer poetë të tillë si R Frost, Xh.Ungareti, S.Kuazimodo, E.Montale, T.S. Eliot, etj.

Shtëpizat


Për njëra tjetrën strukur
shtëpizat,
të dala boje përkulen,
mërdhasin
me sy të ngulitur në horizont.
Eshtë qielli plot pranverë.
Unë s’druaj
Edhe po të më priret prej hallesh
një brengë.
(Mos ndoshta kjo erë
ma zgjon falisur
për reshje përtëritëse?
Kesh bëhemi fëmi
edhe një herë!)

Zhigu


Ku ra damka e pyjorit
mbeti zhigu sa një sy.
Shul, krenare, krah-hapur
e ruan pisha malore
e përpjetë e shtjellon,
e përpjetë, e përpjetë
gjer te retë.
Por n’përleshje me motet
mplaket lëvorja,
plaset, thyhet, kërcëllohet,
ku ish zhigu më s’dallohet.

Atleti


Në luginën e mavijosur atleti
sy për sy me diellin shigjetohet:
shpirt i gjallë, heshta
në erë flakuron,
me kreshta matet e me qiell.
(O çaste, o jetë,
amshimi kaq i ngushtë na qenka
sa zemrën e djalit të mos e përmbajë?)
(Motet që shkuan, fatzi, a s’po t’u dhimbkan).
Pandore priret heshta me majën teposhtë,
përpëlitet, e mjera, përpëlitet,
por shpejt ngulet në dhè,
dridhet një çast
e pushon.
Lumon mortja.

Në kuminë e tullave
- Baladë -


Shi. Reshje pa pushim
e llafe të pambarim
të pjekësave në kapanon.
Llom,
që ngjet si dyllë
e këmbën ta pengon.
Përtace një re plandosë mbi kodër
një tis për horizont.
Të merret fryma prej tymit të furrës
në kapanon.
Unë tretem në mendime.
Ruzha, flokë-verdha,
bërrylin ma fërkon
me gjiun e thatë.
Sillem, por syrin gacë
vrik e largon.
Ikën e vjedhtas mes proskash dredhon.
Qielli i bardhemët
pika të zeza si miza shoshon.
Kur moti bën kësisoj, nuk di sepse
shpirtin e vrarë shpuproj:
Pse u katandisa rrugësh vagabond?
Bishtin e ndragur të cigares
e pështyj në llom;
e qorrazi këmbët
nga furra shyte m’atë anë
zemra m’i çon,
ku Ruzha mbi stivat e kuqe
rrin strukur:
prirtas e drojtur më buzëqesh;
fundin prej basmeje të verdhë,
që gjumin zeshkan ia zbulon,
e ulë e topitur.
Më therë në zemër.
Këmbët në baltë mërdhijnë,
por rrokja dishrake trupat i vokë.
Gjakun çekan ia ndiej
e dihatjen si fëmi,
që bashkë me lotët e valë
m’i shprazë në gji.
Çon kryet e më kqyr
(s’ka gjë se pika shiu ndër sy rigojnë).
Flet: “të rrijmë bashkë sivjet,
do të punoj dhe vetë…”
E më shtrëngon si e marrë.
Më s’flasim.
Shiu menë;
një rreze e hollë
nisë tymrat e po i çanë:
ne kapemi për ‘të
e hipim përmbi re.
Prej kapanonit dëgjohen të qeshura
e një blegërimë rrënqethëse.
Më thotë:
“Kanë blé një kec me e therë…”
Pse dridhemi kështu?
Thua dashuria brengat
shpaguan?
Prej dritares, dëshirat
Me flatra të shpalosura,
prej dritares, dëshirat
hije fatesh të ndërlikuara
dihasin
e rishtas gjallëron me dashuri,
me hov rinor të përtërirë,
me dej që desh pëlcasin.

Shpejtò, pranverë...
Shpejtò, pranverë!
Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren
më keq se urithi dhenë,
gjersa edhe vegimet
në vaje dirgjen,
sikur kjo borë
që shkrin në currila pa bojë.
Shpejtò, pranverë…
Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren
më keq se urithi dhenë.
(Hej, dreq !
këto dokrra e përralla,
gjithë këto andralla,
hej, rafshin zhyt-e-mbyt
në pus të pafund:
do t‘jemi të lumë, të lumë,
bum!
të lumë, të lumë
- bum, bum !)
Shpejtò veç ti, pranverë!…

Sa mirë, atëherë . . .
Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi;
i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën,
nën hije të një shelgu bija këputur gjumi:
ëndrra
gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar
tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi,
shpirtin ndër helme përkundë,
e arsyeja brehet
pa nda, e bren.
E në agim shiroku,
një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame;
bie ora pesë: unë kryqin marr në krah
e me pak frymë fillohem për Kalvar.
Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet
ndër dej: "ad adiuvandum me festina".

Guri i zi


E gjer kasollet e përvuajtura
t`u shmangen.
Ti pate zbritur prej majash të vrenjtura
mundueshëm e duke u zvarritur,
si korb i zi, me flatra të cunguara,
një vaj të mekur me lëshue.
Do kthehem prap një natë
së bashku me ty me heshtë,
pse fatet vetmitare na afrojnë.
Isha i ri:
im`atë, i zymtë e zemërplasur,
mbi ty i pushonte sytë e bardhë e të përlotur
e kuvendonit gjatë.
(Biseda juaj e fshehtë,
me ritme të nëndheshme,
krejt mishrat m'i rrënqethte!
Dhe strukesha i drojtur
ndër dashuri vezulluese.)
Ashtu si im'at
unë do vij prap një natë
me heshtë me ty
pse fatet na afrojnë.
Vajtimi i plakut
në shtëpinë e shkretuar
Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete;
harrohem ndër rrënoja e ngushllohem.
Deri këtu - a dole shpirt! - me zor u kapa,
gërmuç e kalamendas anës së rrugëve;
(thëllimin si m'e ça me avull të pakët?)
Të zhigatura, por prap në këmbë këto mure qëndrojnë
këtu në qoshe sytë veri nuk i shikë
e në lotokan, lotojnë përmallë…
Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete:
"Qetësia ndër kthina jehonte,
fëmia... ."

Uratë për ditë gushti
Më keq kjo re që kërcënon
po më shastisë,
ky horizont
prej vape ngujuar anë për anë,
ky diell pingul,
kjo pritje e nderë
apokalipsi.
Oh, ëndërrimet!
Krejt bota ndër dej më gjëmon e më ther:
mos rruga përnjëmend nuk paska krye?
S'u gjendka pra, përtej syzimeve tona
- dishrake, armike, të marra -
s'andejmi sipër reve një shuplakë,
një paqëtim që nuk e njohim ne,
të shkretë e të mjeruar
e grabitqar
pa pikën e mëshirës?
Përlajna, pra,
ngushllim i pazbuluar,
sado e tmerrshme që të jetë!
E mos na len të digjemi zhar,
por librona mëkatit të mjerimit,
o Zot!

Lodhje


Nganjëherë trishtimi fjollë mblidhet
mullan në zemra të plasura,
nganjëherë përmallimi bëhet liman vajtimesh
ngushlluese;
të përgjumur ndehemi përmbi pellgje brengash
ndehemi shtijakë ndër gëzime që s'kanë jetë
e biejmë lëmuç
- thellënza të rreshkura - ndër pasqyra.
Cekohet qielli prej vigmash pikë-e-vrer,
cekohet guximi;
ushton ndër veshë e papushim
"pusho në paqë,
pusho në paqë…"
Ah, s'mundem më, nuk mundem;
më çoni... 

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…

Mizoritë greke dhe genocidi çam

Nga Ayhan Demir*

Tërheqja e ushtrive të shtetit osman nga Gadishulli Ballkanik, u bë zanafilla e viteve plot dhimbje të shpërnguljeve, dëbimeve, përdhunimeve, masakrave, mizorive dhe genocideve për popujt muslimanë ballkanas boshnjakë dhe shqiptarë. Ndonëse genocidi boshnjak i Srebrenicës, njihet botërisht si genocidi më i madh i kryer në Gadishullin Ballkanik nuk është as i pari dhe as i vetmi.Popullsia shqiptare dhe boshnjake e Malit të Zi, i ka skalitur thellë në kujtesën e tyre, masakrat dhe mizoritë çnjerëzore tëçetnikëve serbë dhe malazezë në qytetet shqiptaretë Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës,Ulqinit, Tivarit, Kotorit, Çetinës Rozhajës, Podgoricës, dhe ato boshnjake tëBjellopoljes, Pljevljes, Shahovicës, Sienicës, Mojkovacit të pushtuar nga shteti malazez. Por ne nuk duhet të harrojmë as mizoritë greke dhe genocidin çam! Ndoshta shumë pak njerëz në Turqi dhe në botë, e dinë se gjendet një truall shqiptar me emrin Çamëri, i pushtuar nga shteti grek, që pas Luftës së Dytë Botërore! Vël…