Skip to main content

NJË ROMAN PAK I NJOHUR I GJEÇOV-KRYEZIUT


Një roman pak i njohur i Gjeçov-Kryeziut
Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit 

Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit, të cilën, si duket, Atë Shtjefën Gjeçovi e shkroi gjatë qëndrimit të tij si famullitar e mësues në Zym të Hasit (1928-1929), është vepër e pambaruar në dorëshkrim, mbase vepra e fundit e Atë Shtjefën Gjeçovit. Teksti është në dorëshkrim dhe i pambaruar dhe ka 93 faqe. Një gjë, por, është evidente, Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit e Atë Shtjefën Gjeçovit do të mbetej vepër e humbur apo e harruar pa kujdesin e Imzot Nikë Prelë s, ipeshkëv. Këtë dorëshkrim, të cilin me vigjilencë e ruajti shkëlqesia e tij, po ia paraqesim në një botim të veçantë, lexuesit dhe studiuesit tonë, dhe jo vetëm atij.


Fragment nga dorshkrimi i romanit "Shpërblesi i Botës" të Sh. Gjeçov-Kryeziu.

Dorëshkrimi Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit i Atë Shtjefën Gjeçovit, siç e thotë edhe vetë titulli, rrok shtjellimin dhe trajtimin e jetës së Shpërblesit të botës, jetën dhe veprën e Jezu Krishtit. Teksti është ndërtuar me një sistem tejet të organizuar e të theksuar dhe merret jo vetëm me jetëshkrimin e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit, por edhe me shqyrtime të thella filozofike, teologjike dhe shkencore. Teksti është shkruar me një dije e përkushtim të rrallë krijues, që më në fund mbetet veçanti e shkrimeve të përgjithshme të Atë Shtjefën Gjeçovit, të cilin Faik Konica  e ka vlerësuar si njërin nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria.



Kanë kaluar mbi gjashtë dekada nga koha e shkrimit të këtij teksti. Dhe sot kur, pas gjashtë dekadave, e lexojmë Shpërblesin e botës ase Jetën e Jezu Krishtit të Atë Shtjefën Gjeçovit, rëndësia e këtij teksti, e këtij libri që për herë të parë po ijepet lexuesit shqiptar, del e shumëfishtë. Sepse, së pari kemi edhe një vepër deri tash të panjohur të Atë Shtjefën Gjeçovit. Së dyti, e kemi një vepër të një krijuesi të madh, që është mbështetur fuqimisht në përvojën krijuese të traditës shqiptare dhe evropiane.



Dhe së treti, Atë Shtjefën Gjeçovi duke shkruar këtë libër (kështu ai e quan veprën e vet), deshi ta përtërijë traditën e shkrimit shqip sipas shembullit të Bogdanit duke krijuar kësodore, natyrisht, një vepër të re, origjinale e të mbështetur në baza të forta biblike, teologjike, filozofike e letrare - stilistike të traditës shqiptare dhe evropiane. Kjo vepër e Atë Shtjefën Gjeçovit në të vërtetë është një hallkë lidhëse në vargun e veprave të traditës "letrare hasjane" si do të shprehej Dh. S. Shuteriqi. Në këtë traditë do të hynin Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andre, Pjetër e Lukë Bogdani. Vepra e Atë Shtjefën Gjeçovit, si ndërlidhëse brenda një aktiviteti letrar dhe brenda traditës hasjane, historikisht, si do të shprehej edhe I. Rugova, mund të konsiderohet sintezë e përgjithshme e përpjekjeve shekullore, por edhe si kurorëzim i një literature me orientim thjeshtë evropian.

Dhe si e tillë, kjo vepër, edhe pse e papërfunduar, do të mbetet gur i çmueshëm në letërsinë kishtare shqiptare.

V.o. Pjesa është shkëputur nga parathënia e pergatitur nga Isak Ahmeti,1992.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…