Skip to main content

Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera

Kur isha trembëdhjetë vjeç, më dukej vetja se isha fëmijë i zgjuar, jashtëzakonisht i zgjuar. Pikërisht në këtë kohë, shkarravita shkrimin e parë për gazetën dhe, për çudinë time, ai bëri një përshtypje të mirë ndër lexuesit.

Për këtë e ndjeva veten kryelartë. Mua më pëlqenin shumë shkrimet dhe ma kishte qejfi të shkruaja edhe vetë. Im ungj më mbante në redaksinë e gazetës së tij, "Gazeta e përjavshme e Hannibalit", e cila kishte gjithsej nja pesëqind pajtimtarë, që parapaguanin dy dollarë në vit dhe këto i lanin me dru zjarri, lakra dhe rrepa që nuk shiteshin në pazar; një ditë të bukur vere, ai u largua nga qyteti dhe më pyeti mua nëse do të isha i zoti të nxirrja vetë një numër të mirë të gazetës.

Ah, sikur s'desha unë ta provoja! Hixhinsi ishte kryeredaktor i një gazete kundërshtare. Ai ishte pushuar nga puna dhe, një natë, një shoku i tij i gjeti një pusullë mbi shtrat, ku Hixhinsi shkruante se nuk e duronte dot jetën, prandaj po shkonte të mbytej në gjirin e lumit Ber.

Shoku i tij rendi menjëherë atje dhe e gjeti Hixhinsin duke dalë nga lumi. Kishte vendosur të mos mbytej. I tërë qyteti e mbajti nëpër gojë këtë çështje për shumë ditë, po Hixhinsi nuk e dinte. Unë mendova se kjo ishte një temë e mirë për të shkruar.

Shkarravita pra një shkrim si mos më keq dhe e ilustrova me karikatura, një nga të cilat tregonte Hixhinsin me këmishë, më këmbë në mes të lumit, duke dalë jashtë tij; në dorë kishte një fener dhe një shkop për të provuar thellësinë e ujit. M'u duk për të qeshur dhe as që më vajti mendja se mund të kishte ndonjë farë morali.
Mendimi im ishte se goditja e kryeredaktorit të një gazete fqinje me një shkrim të tillë plot thumba, që ta bënte atë "të përpëlitej", do të ishte i bukur e tërheqës.
E botova duke e vënë në formë parodie me "Varrimin e Sër Xhon Mur-it" dhe doli një parodi vërtet e goditur.
Pastaj shkrova një vjershë, me anën e së cilës satirizoja në mënyrë të pamëshirshme dy qytetarë të shquar, - jo se kishin bërë ndonjë faj që ta meritonin një gjë të tillë, po vetëm sepse mendova se kisha për detyrë ta bëja gazetën tërheqëse.
Pas këtyre, preka lehtë një të porsaardhur, heroin e ditës, një rrobaqepës të pashëm nga Kuinsi. Ai ishte një nopran e sqimatar i dorës së parë, dhe vishej me disa lloje rrobash që binte në sy më tepër se kushdo tjetër.

Ai ishte një gjahtar i regjur i grave. Çdo javë shkruante vjersha "përçart" për gazetën lidhur me fitoret e tij të reja. Vjersha që dërgoi këtë javë titullohej "Maries në H...l", që do të thoshte, natyrisht, "Maries në Hanibal".

Kur e këndova këtë pjesë, më përshkoi një e rrëqethur nga koka gjer te këmbët, tek më shkrepi një ide që m'u duk si një rrufe humoristike dhe e dërgova në shtyp me këtë shënim thumbonjës:
"Po e botojmë këtë pjesë, - po vetëm këtë, duke e uruar z. J. Gordon Ranels ta kuptojë mirë që ne durojmë shumë, po herë tjetër, kur t'u drejtohet miqve të tij në H...l, të gjejë ndonjë ndërmjetës tjetër e jo kolonat e kësaj gazete".
Kur doli gazeta, nuk më shkonte nga mendja kurrë që këto shakara të vogla të tërhiqnin aq shumë vëmendjen e lexuesve.
Për herë të parë kërkohej "Gazeta e përjavshme e Hanibalit" nga lexuesit gjë që s'kishte ngjarë kurrë. Në të gjithë qytetin bëri bujë. Hixhinsi çatisi në zyrë në orët e para të pasdrekes me automatik në dorë.

Po kur pa se kishte të bënte me një çilimi (siç më quajti ai) që ia kish bërë atë të keqe, më shkuli veshët dhe u largua. Qysh atë natë, ai hoqi dorë nga kjo çështje, sepse u largua fare nga qyteti.

Rrobaqepësi më erdhi me hekur e me gërshërë; po edhe ai më përçmoi dhe u largua për në jug qysh atë natë. Të dy qytetarët e vënë në lojë erdhën me kërcënime e të shara dhe u larguan akoma më të egërsuar kur panë se kishin të bënin me një njeri të parëndësishëm.

Të nesërmen më erdhi kryeredaktori i gazetës krahinore duke bërtitur, i etur për gjak. Po edhe ai më fali me gjithë zemër dhe u mjaftua të më shpjerë deri në farmaci ku mori hakun, në një mënyrë shumë miqësore, duke më dhënë një vaj recini.

Kjo ishte shakaja e tij. Im ungj ishte shumë i zemëruar kur u kthye, - doemos pa arsye, mendoja unë, duke marrë parasysh bujën që kishte bërë gazeta dhe sidomos mirënjohjen që duhej të kishte ai ndaj meje, sepse duke e zëvendësuar unë, ai shpëtoi çuditërisht nga sharjet, copëtimi, sakavitja e vdekja e sigurt.

Po ai u zbut kur u hodhi një sy llogarive dhe pa se ish regjistruar një numër i madh prej tridhjetë e tre pajtimtarësh, gjë të cilën e tregonin edhe perimet, drutë, lakrat, fasulet dhe rrepat e pashitura, të cilat mjaftonin ta mbanin familjen tonë për dy vjet!

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…