Skip to main content

Sami Frasheri Tezat e gjuhëtarit

Selman Riza

Sami Frashëri(1850 -1905)* Ndonëse qe jetëshkurtër Sami Frashëri krijoi një varg veprash të një vlere sh
kencore të pamohueshme për kohën e tij, dhe të një rëndësie historike të gjithanëshme.
Të një rëndësije historike të gjithanshme, sepse me këto vepra Samiu në të nëjjtën kohë themeloi me një anë leksikografinë (enciklopedike) turke, e n’anë tjetër gramatologjinë e gjuhës shqipe (në gjuhën shqipe).
Përveç kësaj Sami Frashëri që në rininë e tij zhvilloi një veprimtari publicistike guximtarisht konsekuente si demokrat borgjez dhe si patriot shqiptar, veprimtari, për të cilën ai u persekytua nga qeveria turke deri në frymën e fundit.
Pabarazija e theksuar, që iu imponua nga forca e rajevet midis pakicës së libërezavet që shkroi shqip dhe gjithë atyre tomeve që botoi tyrqisht nuk mund të mos ketë pikëlluar shpirtin e tij që qe më aktivi dhe më realisti nga të gjtihë patriotët e rilindjes shqiptare; pikëllim, të cilin mbase do ja ketë lehtësuar pakë ndërgjegja se ai, edhe në shkrimet tyrqisht nuk la rast pa përmendur për të mirë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sami Frashëri si përcaktues normative i toskërishtes letrare
Në përcaktimin normative të toskërishtes letrare Samiu nuk mund të mos nisej nga shkrimet toskërisht të Kristoforidhit. Mirëpo Samiu ishte një mendje tepër moderne për të përvehtësuar pa rezervë, kriteret pak a shumë arkaikë të Kristoforidhit. Kështu në botimin e parë të abetarës më 1879 edhe Samiu si Kristoforidhi përdori çamëriotizimin “(Alfabetare e) gluhësë (Shqip)”, të cilin në ribotimin e vitit 1886 e zëvendësoi me trajtën praktikisht të përgjithësuar:”(Abetare ë) gjuhese (shqip)”.
Vërte as Samiu nuk u shkëput dot nga e dyta ë post tonike, të cilën Kristoforidhi e pati tejbartur mekanikisht nga gegërishtja e vjetër në të renë. Mirëpo edhe për toskërishten Samiu konstatoi haptazi mospajtimin e shqiptimit bashkëkohor me këtë traditë grafike.
“Po gjuha e do aq fort të xgjaturit (S.R të theksuarit) në rrokjet që është përpara se fundit, sa në të folurë i presinë më shumë të zëshmetë ë që vinë pas saj. Kështu në vendit të hekurtë, thoshinë, motërë, punënë, themi: hekur, thoshin, motrë, a motër, punë, etj. (“Shkronjëtorë” fq.4).

Le të shtojmë se edhe në një pikë jo të parëndësishme të morfologjisë së shqipes, Samiu është desolidarizuar nga Kristoforidhi në riprodhimin mekanik të gegërishtes së vjetër.
“Në pjellëtoret e në dhënëtoret ca s’duan ta shkruajnë nyjënë, po shkruajnë si djalit ri, djalit plakut, vashësë re vashësë plakut; por gjuha nuk e do kështu, edhe është më drejtë të shkruajmë si djalit të ri etj.” (fid. fq.30).

Sami Frashëri si përshkrues gramatikor i gjuhës shqipe.
Gramatikën e vet Samiu e ka quajtur “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” pa tjetër; kurse Kristoforidhi: “Gramatiki tis alvanikis glottis kata tin toskikin dhialekton…” d.m.th. “gramatikë e gjuhës shqipe) sipas dialektit toskërisht…”
Po menduam se në çdo rasje divergjence, Kristoforidhi krahas me paradigmat e toskërishtes ka dhënë kurdoherë edhe ato të gegërishtes; atëherë duhet të pohojmë se kufizimi “sipas dialektit toskërisht” nuk ka pasur asnjë arsye qenieje.
Anasjelltas Samiu ka pasur plotësisht të drejtë në “shkronjëtoren” e vet ta quajë “të gjuhës shqip” pa tjetër;se pse edhe ai, me një mënyrë makar elementare, ka trajtuar diveregjencat e gegërishtes nga toskërishtja.
Sikundër në përcaktimin normative të toskërishtes letrare Samiu u nis nga shkrimet toskërisht të Kristoforidhit, ashtu edhe në hartimin e “Shkronjëtores” ai pat parasysh “gramatiknë” e të njëjtit autor. (Kurse në krijimin e terminologjisë gramatikore shqipe, Samiu praktikisht u nis nga asgjëja).
E nuk ka dyshim se në këtë apo atë pikë të posaçme si në mosdallimin e pjesores së vërtetë p.sh. “pasurë” nga pjesorja e adjektivuar “i pasurë” Samiu ka qenë më i palumtur se Kristoforidhi.
Mirëpo duke kaluar nga Kristoforidhi tek Samiu, d.m.th. brenda gjithsejt vetëm katër vjetësh, trajtimi gramatikor i strukturës së shqipes shënoi; si në shumicën e hollësivet, ashtu në tërësinë organike një ngritje kualitative vendimtare.

As vetë Kristoforidhi si pararendës, as gramatikanët e mëvonshëm si Anton Xanoni, Aleksandër Xhuvani, Ilia Dilo, Sheperi etj, nuk kanë pasur as intuitën historike dhe talentin analitik dhe as gjerësinë e gjykimit dhe sigurinë e metodës të Sami Frashërit.

Pikëpamjet e Samiut mbi mundësinë e unifikimit të shqipes së shkruar

Fushatën e afrimit të të dy kryedialekteve të shqipes e ndërmoi Kristoforidhi duke u orvatur të rimëkëmbë në Shqipërinë veriore traditën letrare të gegërishtes së vjetër.
Mirëpo e njëjta frymë afrimi maksimal e mundëisht e unifikimit të krejtëshëm të shqipes së shkruar frymëzoi të gjithë bartësit e rilindjes s’onë kulturore dhe kombëtare.
Në lidhje me këtë çështje ja se ç’i shkruan më 1881 Samiu De Radës.
Kemi shumë nevojë për një fletë në gjuhët shqip. Por shprehim e besojmë se për së afëri do t’e sjellë puna që t’e nxjerrëm në Shqipëri, nukë me gjuhëra shumë, por vetëm në gjuhët shqip të pandame e të njëjtë, sikundrë duhet të jet edhe Shqipëria se shumë gjuhë e dialekta sjellinë ndarje e mërgim… me të mbledhurë të gjithë këtyre fjalëve e frasave bashkë, edhe gjuha shqip do të bëhetë e begatë e gjerë, e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë me fjalë të huaja, edhe gjithë dialektat do të gjëndenë të gjithë të bashkuara e të përzjera.”
E përsa u takon divergjencave leksikore midis dy kryedialektevet t’anë, këjo dëshirë e Samiut mund të mbahet si tashim e realizuarë, kurse divergjencat gramatikore, akoma ekzistuese po vazhdojnë, me një ritëm të shpejtësuar, të reduktohen në minimumin e mundshëm.

Tiranë me 13.I.58

*(Titulli i artikullit
të Selman Rizës)

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…