Skip to main content

Nuk ka më "Nesër është e diel" nga Halil Jaçellari

Miranda Haxhia

Më trishtoi për herë të parë në jetë telefonata e mikut tim, poetit të veçantë Faslli Haliti, ndjeshmëria e të cilit e kapërcen cakun e poetit, të bashkëqytetarit, sepse është ndjeshmëri intelektuale për njeriun e kulturës, të letërsisë, të demokracisë. Duhej të zemërohesha me Faslli Halitin, por nuk mundesha, sepse kështu pikëllimi për humbjen e shokut, të mikut është më e madhe se çdo mendim tjetër i çastit. Telefonatë lushnjarësh, telefonatë kujtese, nderimi, respekti, vlere!

Pas ikjes prej kësaj jete, pak javë më parë të poetit "të harruar", Dhori Qirjazit, si një shenjë perëndie se shkrimtarët nuk duhen braktisur, nuk duhen lënë të vetmuar në asnjë çast, më kap trishtimi se sërish po shkruajmë për një shkrimtar të talentuar sapo marrim vesh se u fik. Shuhet në Romë pas një sëmundjeje të rëndë, shkrimtari lushnjar, Halil Jaçellari në moshën 69 vjeç. Dikujt i duket moshë e madhe, dikujt herët për t'i dhënë lamtumirën kësaj bote. Përpara se të ishte shkrimtar, ai diti të ishte njeri i mirë, prind i mirë, demokrat i denjë, anëtar i orëve të para qysh kur në qytetin e mërzitshëm gëlonin më shumë se mushkonjat, gjembat e diktaturës komuniste; dhe gjithmonë në mënyrën e tij, një ëndërrimtar i së bukurës dhe i të resë.

E folur e thjeshtë, zëri i qetë, urtësi e përçuar prej një familjeje, e cila me mund e sakrifica e rriti për të qenë sot e nderuar nga kumti që përcjell edhe me aktin e fundit, Halil Jaçellari - vdekjen! Është nga ata miq për të cilët as një fotografi nuk e gjen dot në albumin e kujtimeve. Si t'u përkiste miqësive me të cilat komunikon pa fjalë!

Nuk shpresoj që qielli të duket ndryshe mëngjesin e nesërm, as makinat të ngadalësojnë shpejtësinë, as uji të ndërrojë llojin e zhurmës që bën kur rrjedh, as flamujt të ulen gjysmë shtizë; as telegrame prej qeverive jo që jo; se kjo është jeta në fund të fundit, por mund të kishim një shkrimtar më shumë, po të jetonte, mund të kishim një libër më shumë po të botonte të tjerë, mund të lexonim sërish një "Nesër është e diel" të shkëlqyer, po aq sa atëherë nga Halil Jaçellari.

Lushnja, dallohet si një nga rrethet me prodhim të rëndësishëm kulturor. Në Lushnje kanë lindur dhe janë rritur artistikisht shumë personalitete të kulturës shqiptare. Ky pellg i begatë poetësh, shkrimtarësh, këngëtarësh, artistësh të skenës dhe ekranit pati për vite të tëra mes vetes edhe njeriun e urtë dhe të pandjerë, por ndër më të talentuarit e tregimit, e prozës në përgjithësi, Halil Jaçellarin. Me emrat dhe veprat e artistëve, "ma hëngri kokën" edhe mua, Lushnja që e desha dhe e dua aq shumë, sikur të ishte qyteti im i lindjes, sepse është qytet që përmes figurave të shquara të intelektualëve ngulmon të të përcjellë kulturë, frymë demokratike, art dhe dashamirësi. Nuk harroj dot se kjo prurje e formim ka ardhur e vijon të vijë nga Vaçe Zela, Margarita Xhepa, Visar Zhiti, Loni Papa, Faslli Haliti, Vath Koreshi, Izet Shehu, Shpend Sollaku, Gëzim Hajdari, Gazmend Kapllani, Roza Haxhiu, Lazer e Jozef Radi, Ferdinand Laholli, Fatbardh Rustemi, Sherfi Bali etj.etj. Dhe tani e më tej, në emrat e të ikurve, do të jetë shkrimtari dhe tregimtari i rrallë, Halil Jaçellari.

Halil Jaçellari u lind në vitin 1940 në këtë qytet të vogël dhe të butë. Pavarësisht se nuk mbaroi arsimin e lartë, ai zotëronte dhe fliste shkëlqyer anglisht, italisht dhe frëngjisht, ishte i pasionuar pas letërsisë, duke e parë atë si një dritare ku binin rreze të një demokracie të ndaluar në një vend ku diktatura kishte veç mure, gjemba dhe dhunë. Megjithatë, talenti i tij nuk mbeti i izoluar, ai ishte i tillë që kapërceu edhe censurën dhe në vitin 1976 botoi vëllimin e parë me tregime "Mirëmëngjesi njerëz", më tej botoi vëllimin e dytë me tregime "Hapat e tij", "Nuk është kjo dashuria", "Sezoni pa dasma" etj. Për të shkëlqyer me romanin e tij "Nesër është e diel" në vitin 1988 nga shtëpia botuese "Naim Frashëri", duke befasuar lexuesin, kritikën dhe gjithë dashamirët e artit të vërtetë dhe cilësor. Asnjëherë nuk bëri bujë, asnjëherë nuk deshi dukjen, por qe një shkrimtar me shpirt demokrat dhe ai zë, ajo klithmë që letërsisë ia fali si art të mrekullueshëm, iu desh për ta përdorur në fillim të viteve '90 kur përqafoi me pasionin e njeriut që dashuronte drejtësinë e lirinë e Volterit, të cilin e perifrazonte gjithmonë duke thënë: Unë nuk jam dakord me ty, por jam gati të jap jetën që ti ta thuash mendimin tënd!". Asnjëherë Kadareja nuk e kaloi rrugën përtej Lushnjes, pa u takuar me këtë shkrimtar të çuditshëm dhe të talentuar! Megjithatë, shkrimtari Halil Jaçellari nuk e shpëfoli kurrë miqësinë e çmuar me shkrimtarin e madh! Sepse dinte të ishte njerëzor dhe i thjeshtë!

Botimi më tej ishte një gjë e zakonshme dhe talenti i Halil Jaçellarit nuk u përbalt nga dhjetëra botime dokudo, nga dhjetëra emra shkrimtarësh që lindnin dhe vdisnin brenda një stine, se ishin të paaftë, se kishin ngatërruar rrugën duke quajtur art çdo libër që botonin.

Nuk u lodh duke përkthyer, janë përkthime të Andersenit, të Kolodit, të Ezra Pound e të tjera këto që e bëjnë këtë njeri të mos jetë i zakonshëm, të mos jetë i humbur pas ditës së sotme, kur ai nuk do frymojë më mes nesh, por në fund të fundit ka kryer ritin e shkrimtarit dhe njeriut të mirë, drita e tij tashmë do fillojë të ndriçojë pak e nga pak, pasi edhe vështrimi i njerëzve fillon e kthjellohet mjaftueshëm pas ikjes së njeriut.

E falënderoj nga zemra mikun im, Faslli Haliti, poetin e qytetit të vogël, ku gëlojnë poetët dhe shkrimtarët si në klubet e famshme të Parisit të shekullit XVIII që më përcolli një lajm, edhe pse të hidhur, sepse më shkundi paksa nga harresa, më bëri të kujtoj se kishim një shkrimtar dhe nuk e kemi më, por do ta lexojmë më shumë, pasi hija që ai lë pas do vijë e do ndriçohet si një dritë e dëshiruar dije dhe kulture.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…