Skip to main content

Kanceri i gjirit, si ta shmangim?

Kanceri i gjirit është sëmundja që gratë i druhen më shumë dhe zbulimet e fundit në lidhje me predispozitat gjenetike të shfaqjes së sëmundjes e bëjnë atë edhe më problematike. Megjithatë, ekzistojnë masat parandaluese që mund ta lehtësonin shumë situatën

Frika e kancerit të gjirit është burim ankthi për shumë gra. Shpesh ato kanë ndjenja fataliste në lidhje me rrugën që mund të marrë një sëmundje e tillë, që në rastin më të mirë mund të përfundojë me një operacion radikal për heqjen e gjirit. Këto ndjenja ankthi i bëjnë që të mos kenë shpresë te marrja e masave parandaluese, që në fakt janë shumë të domosdoshme për reduktimin e rrezikut. Sipas një studimi të fundit, sapo është zbuluar një gjen i ri në kromozomin 8 i quajtur NRG1. Është një gjen që e kemi të gjithë dhe që në raste të caktuara luan një rol shumë të rëndësishëm në ndalimin e përhapjes së gjëndrave tumorale. Ai ka fuqi frenuese ndaj qelizave kanceroze. Një në dy gra që janë diagnostikuar me kancer gjiri kanë një version të dëmtuar të gjenit mbrojtës NRG1, çka do të thotë se janë të pambrojtura ndaj zhvillimit galopant të sëmundjes. Shkencëtarët thonë se ky zbulim mund të çojë në kërkimin e mënyrave të reja të mjekimit të kancerit. Megjithatë, në mentalitetin e grave ekziston frika se faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm dhe kjo krijon shpesh një ndjesi pesimiste dhe fataliste. Por, në fakt, gjenet janë vetëm një pjesë e problemit. Shumë e rëndësishme në këtë rast, si në çdo sëmundje tjetër, është edhe mënyra se si ne e trajtojmë veten që nga fëmijëria e në vazhdim e mbi të gjitha nëse vazhdojmë të jemi optimistë. Pesimizmi dhe gjendja e trishtuar ndikojnë shumë më tepër për keq në shëndetin tonë nga sa mund ta imagjinojmë. Ja disa mënyra për të parandaluar zhvillimin e kancerit të gjirit, ose të paktën disa mënyra për kapjen në kohën e duhur të sëmundjes, pra në momentin më të hershëm të mundshëm.

Ushqimi i foshnjës me qumësht gjiri mund të jetë shpëtimtar

Për shumë vite rresht ka ekzistuar një teori, sipas së cilës nëse një femër shndërrohej në mëmë në moshë të hershme ajo kishte më shumë shanse që në moshë më të mëvonshme t‘i shmangej kërcënimit të kancerit të gjirit. Pra, me pak fjalë, mëmësia ishte pro shëndetit të mirë. Në këtë logjikë mendohet se shtimi i numrit të të diagnostikuarave me kancer gjiri në vendet në zhvillim si Indi dhe Kinë ka të bëjë pikërisht me faktin se në këto vende është rritur shumë edhe mosha e vajzave që sjellin në jetë fëmijët e parë. Pra, tendenca gjithnjë e në rritje është ajo e fëmijëve në një moshë më të vonë. Për sa i përket ndikimit pozitiv që ka në shëndetin e nënës të ushqyerit e fëmijës me gji, së fundi kanë dalë në mbështetje të këtij fakti të reja shumë interesante. Në shtator shkencëtarët raportuan zbulimin e fundit, sipas së cilit ushqimi i fëmijës me gji, të paktën për tre muaj, redukton ndjeshëm rrezikun e kancerit të gjirit, madje në masën 25%. Ky zbulim ka qenë rezultat i një studimi që ka zgjatur plot 8 vjet dhe një monitorim i kryer ndaj 60 mijë grash. Grupi i studimit zbuloi se ushqimi me qumësht gjiri i jep gruas mbrojtjen më të madhe të mundshme nga kanceri i gjirit, madje edhe atyre grave që kanë prirje gjenetike për një gjë të tillë.

Shmangni yndyrat dhe mos e bëni vetëm për vete, por edhe për vajzën tuaj
Gratë që përdorin një dietë me kalori të pakta kanë një sasi më të vogël hormonesh femërore në gjak dhe kjo redukton rrezikun e kancerit të gjirit, veçanërisht në vitet pas menopauzës, kur dhjami i trupit është burimi më i madh i estrogjenit. Ka fakte që mbështesin idenë se sa më herët të nisë dieta e yndyrave të pakta, aq më e efektshme është në organizëm. Nëse një dietë e tillë nis në adoleshencë, atëherë aq më mirë, sepse në këtë periudhë të jetës reduktimi i hormoneve femërore në gjak luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e mëtejshme të shëndetit dhe redukton mundësinë e sëmundjes. Mënyra se si ushqehemi në fëmijëri është shumë e rëndësishme për sëmundjet që na shfaqen kur jemi të rritur.

Nxihuni në diell, por me masa mbrojtëse

Është fakt tashmë se kanceri i gjirit te femrat është më i përhapur në zonat që janë më pak të ekspozuara ndaj diellit. Arsyeja është lidhja që ekziston mes kancerit të gjirit dhe niveleve të ulëta të vitaminës D. Trupi ynë e prodhon një vitaminë të tillë në kundërpërgjigje të rrezeve ultravjollcë B që i marrim nga dielli. Sipas një studimi, gratë që kanë një nivel të ulët të vitaminës D janë më të prirura të kenë kancer të gjirit. Kjo do të thotë se vitamina D është parandaluese ndaj kancerit të gjirit. Sipas mjekëve, ata që vuajnë nga mungesa e kësaj vitamine duhet që ta marrin atë përmes tabletave dhe tipi D3 është më i tretshmi për organizmin e njeriut. Është e vështirë të marrësh sasinë e duhur në vitaminë D nga dieta e përditshme dhe burimet më të mira janë qumështi dhe drithërat, vezët, salmoni, toni dhe sardelet. Megjithatë, një këshillë për sa i përket ekspozimit të diellit është ajo e marrjes së masave mbrojtëse, sepse ato janë të domosdoshme në ruajtjen e trupit nga rrezet e dëmshme.

Bëni rregullisht ushtrime fizike

Të gjithë pa përjashtim kemi nevojë për t‘u ushtruar fizikisht, pavarësisht moshës, apo gjinisë, por kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato gra që janë më në rrezik për kancerin e gjirit. Kërkimet e fundit flasin për një reduktim të rrezikut të kancerit në periudhën para menopauzës tek ato gra që të paktën 3 orë në javë ia kushtojnë stërvitjes trupore dhe që këtë zakon e kanë pasur që në adoleshencë. Dhe me të kaluar menopauzën, rëndësia e ushtrimit fizik bëhet edhe më e madhe. Gratë që kalojnë menopauzën janë zakonisht mbi peshë dhe duhet patjetër që t‘u dedikojnë ushtrimeve fizike një pjesë të mirë të kohës së tyre.

Këshillohuni vazhdimisht me mjekun
Parandalimi është më i mirë se kurimi dhe një nga fazat e parandalimit është edhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes, duke kontaktuar mjekun dhe bërë kontrollet e nevojshme. Nëse kanceri i gjirit do të kapej në kohën e duhur, atëherë thuajse gjysma e të diagnostikuarave që humbasin jetën mund të kishin shpëtuar.

Njih historinë e familjes tënde

Një sëmundje mund të jetë shpesh fatale, për shkak të gjenetikës së saj. Për të mësuar në lidhje me këtë predispozitë duhet që të kryhen disa teste, të cilat në shumë vende perëndimore janë lehtësisht të mundshme. Përmes tyre mund të zbulohen një numër gjenesh që kanë predispozitë për të mbrojtur organizmin, pra që kanë një impakt sado modest në shëndetin tonë. Është mirë që gratë ta fillojnë kryerjen e këtyre testeve me të kaluar të 25-at. Kjo do të thotë se ato që kanë më shumë mundësi gjenetike për të zhvilluar një kancer do të kenë mundësi të kenë një kontroll të vazhdueshëm, i cili do të çojë në një diagnostikim të hershëm të problemeve.

Shmangni përdorimin e tepruar të alkoolit

Të konsumuarit e shumtë të alkoolit rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, por sigurisht bëhet fjalë në rastet kur konsumohen sasi shumë më të mëdha alkooli nga sa janë të dobishme për shëndetin. Në një studim të fundit, thuhet se pak alkool është i dobishëm, por në sasinë e një gote vere në ditë, ndërsa nëse kalohet kjo masë, situata mund të jetë e rrezikshme dhe kjo jo vetëm për sa i përket kancerit të gjirit.

Mamografia duhet të jetë e rregullt dhe e vazhdueshme

Ka ekspertë të fushës që pretendojnë se nëse do t‘i nënshtrohesh mamografisë vazhdimisht kjo mund të jetë në vetvete e rrezikshme, duke qenë se mund të arrihet në një situatë të tepruar diagnostikimi, pasuar me marrjen e medikamenteve parandaluese, që në vend që të të ndihmojnë, të krijojnë probleme. Por, të tjerë pretendojnë se mamografia është shumë e rëndësishme dhe kjo për arsyen e vetme se parandalon një rast serioz. Po të marrim rastin e një vendi të vetëm, Britaninë së Madhe, mamografia ka shpëtuar 117 000 raste që mund të ishin shndërruar në vdekjeprurëse dhe ndërkohë ka shpëtuar 1200 jetë. Për shkak të mamografisë, vdekshmëria nga kanceri i gjirit është ulur me 30%.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…