Skip to main content

Kafka në proces

Nga Christoph Schult, Der Spiegel


Lufta për dokumentet e Kafka-s kthehet nëpër gjykatat e Izraelit.

Para se të vdesë, në vitin 1924, Franz Kafka ia kishte lënë letrat e tij Max Brod-it, i cili i kishte nxjerrë nga Çekosllovakia para avancimit të nazistëve. Tani, vajza e sekretares së ndjerë të Brod-it dëshiron t’ia shesë ato një instituti gjerman. Por beteja ligjore në Izrael është bërë Kafka-eskë.

Dikush duhet të ketë shpërndarë gënjeshtra rreth Eva H. sepse, megjithëse ajo nuk mban gjëra me vlerë në apartamentin e saj, një infiltrues kishte hyrë vonë një natë. Macet e saj papritmas kishin ngritur kokat e tyre dhe pastaj silueta e një burri muskuloz, që mbante dorëza të bardha, u duk përballë xhamit të derës së dhomës së saj të fjetjes.

Eva Hoffe, 75 vjeçare, e mori telefonin celular dhe thirri 100, numrin e policisë së Izraelit. “Është një hajdut në shtëpinë time, Spinoza Street, Tel Aviv," pëshpëriti ajo.
“A jeni e sigurt se ai është ende në apartamentin tuaj?” pyeti zëri në fundin tjetër të linjës. “Ai po qëndron përballë derës së dhomës së fjetjes,” u përgjigj plaka. Derisa erdhi policia, infiltruesi misterioz kishte ikur.

Hoffe nuk beson se kjo ka qenë koincidencë. Disa ditë para përplasjes së papritur të natës, një artikull i hollësishëm rreth saj ishte paraqitur në gazetën izraelite Haaretz – saktësisht asi lloj vëmendjeje që ajo nuk e kishte dashur. Eva Hoffe është vajza e Ilse Ester Hoffe, ish sekretare e shkrimtarit të ndjerë Max Brod.

Brod kryesisht është i njohur si mik, mentor dhe biograf i Franz Kafka-s. Kafka ishte bërë i njohur botërisht vetëm atëherë kur Brod ia kishte botuar, pas vdekjes së tij, në vitin 1924, librat “Procesi” dhe “Kështjella”. Pa Brod-in, veprat e Kafka-s do të ishin harruar.

Kafka ka vuajtur nga një varg i gjendjeve fizike dhe mendore dhe, para se të vdiste nga komplikimet që kishin të bënin me tuberkulozin, në vitin 1924, ai ia kishte besuar Brod-it një kapule me dokumente të shkruara dhe i kishte kërkuar që pas vdekjes së tij t’i shkatërronte dorëshkrimet e pabotuara.

Brod e kishte injoruar dëshirën e fundit të mikut të tij. Kur nazistët e kishin pushtuar Çekosllovakinë në vitin 1939, ai i kishte paketuar dokumentet në një valixhe dhe kishte ikur në Tel Aviv. Brod kishte vdekur atje në vitin 1968 dhe ato letra ia kishte lënë trashëgim sekretares së tij Ester Hoffe. Kur ajo kishte vdekur para dy vjetëve, në moshën 101 vjeçare, dy vajzat e saj, Eva Hoffe dhe motra e saj e madhe Ruth Wiesler, e kishin trashëguar koleksionin – së paku kështu kanë menduar ato.

Thesari misterioz

Tani kjo trashëgimi letrare është bërë subjekt i një konflikti Kafkaesk, i cili duhet të zgjidhet në gjyq. Një pjesë e madhe e kontradiktës mbetet enigmatike, pohimet e bëra nga anë të ndryshme janë vështirë të kuptueshme dhe duket se askush nuk e di se çka mund të përmbajë thesari misterioz.

Biblioteka Kombëtare e Izraelit ka përgatitur dosjet për një vendim gjyqësor mbi ekzekutimin e testamentit. Madje edhe gjatë kohës sa ka qenë gjallë Ester Hoffe, ky institucion ka tentuar më kot të sigurojë të drejtat e arkivit Kafka/Brod.

Për më shumë se një vit motrat Hoffe kanë qenë duke pritur një vendim nga gjykata e Tel Avivit. Një numër në rritje i grupeve duan të marrin pjesë në proces gjyqësor. Procesi i filluar nga biblioteka izraelite pretendon se Ester Hoffe në mënyrë të paligjshme e ka marrë në zotërim letrat nga Brod-i dhe ilegalisht një pjesë të tyre e ka shitur jashtë. Në vitin 1988, Sotheby’s në Londër kishte vënë në ankand dorëshkrimin origjinal të romanit “Procesi” të Kafka-s. I ishte shitur për 3.5 milionë marka (1.8 milionë euro) Arkivit të Letërsisë Gjermane në Marbach.

Çfarë thesaresh mbesin të fshehura në kutitë e sigurta të depozituara të së ndjerës Ester Hoffe? Gjatë jetës së tij të shkurtë, a mos ndoshta Kafka ka shkruar vepra të tjera letrare që ende janë të panjohura? Dhe çfarë depërtime të reja mund të fitohen duke i lexuar shënimet personale të Brod-it mbi Kafka-n?

Kalon pa u folur se kjo gjithashtu ka të bëjë me paratë dhe aq më shumë për ndjeshmëritë gjermano-izraelite. A duhet që trashëgimia letrare e autorit hebre Max Brod, i cili duhej të ikte prej nazistëve, të përfundojë në Gjermani? Në çdo rast, motrat Hoffe janë duke e konsideruar shitjen e dorëshkrimeve të mbetura arkivit letrar në Marbach. Para dy muajve, instituti i njohur gjithashtu ka aplikuar në gjyqin familjar në Tel Aviv për t’u bërë pjesë e debatit për trashëgiminë.

Dhe një tjetër pretendues ka dalë në skenë: botuesi izraelit Amos Schocken. Gjyshi i tij Salman Schocken, i cili gjatë viteve njëzetë zotëronte një zinxhir të dyqaneve në Gjermani, i kishte blerë të drejtat e autorit të dorëshkrimeve prej prindërve të Kafka-s. Nipi i tij, Amos, sot e boton gazetën izraelite Haaretz, raportimet e së cilës kanë tërhequr vëmendje të madhe për procesin gjyqësor.

Në luftë me ‘gënjeshtrat dhe shpifjen’

Gazeta ka botuar një portret të Ester Hoffe dhe dy vajzave të saj si familje kokëforte, të krimbur në para, që po i pengon hulumtuesit nga marrja e mundësisë për të pasur qasje në trashëgiminë kulturore botërore. Jo vetëm që gazeta ka pasur dyshime ndaj të drejtës së tyre për trashëgiminë letrare, por gjithashtu edhe në mundësinë e tyre për t’u përkujdesur për dorëshkrimet.

Tani Eva Hoffe ka folur për Spiegel dhe, për herë të parë, e ka rrëfyer versionin e saj të ngjarjeve. Ajo thotë se dëshiron të ngrehë padi kundër ‘gënjeshtrave dhe shpifjes’.

Hoffe po qëndronte në zyrën e avokatit të saj, me një raft librash të mbushur me vëllime librash të drejtësisë prapa saj dhe një pirg dokumentesh të grumbulluara përballë saj. Ajo ishte e veshur me modesti, me këpucë tenisi dhe një pulovër të zi. Sytë e saj të kaltër të vegjël lëviznin të shqetësuar dhe bërrylat e saj ishin vendosur gjerësisht në mënjanë tavolinës, sikur shmangej nga ndonjë sulm.

“I kam ikur holokaustit,” thotë gruaja e moshuar. Për 30 vjet ajo ka punuar për kompaninë ajrore izraelite El Al, por kurrë nuk ka menduar ta vizitojë Gjermaninë. “Nuk kam mundur të fal”.

Mu sikurse Brod-ët, familja Hoffe ka ardhur nga Praga. Ata kanë ikur në vitin 1940. Në atë kohë Eva ka qenë gjashtë vjeçare. Në Tel Aviv, babai i saj Otto Hoffe dhe Max Brod ishin takuar në një kurs të gjuhës hebreje dhe ishin bërë miq.

Gruaja e Brod-it Else ka vdekur disa vjet pas mbërritjes në Palestinë dhe Ester Hoffe ka shkuar për të punuar për shkrimtarin. Ajo ka korrigjuar drejtshkrimin e tij dhe ka klasifikuar dorëshkrimet e tij. Ai gjithmonë e ka prezantuar atë si “asistentja ime”.
Ester Hoffe e ka pasur një zyre të vogël në apartamentin e Brod-it në rrugën 16 Jarden Street në Tel Aviv. Eva thotë se nëna e saj blinte kroasanë kur arrinte në mëngjes dhe ajo e ngrohte samovarin para se të largohej, kështu që do të kishte çaj të mjaftueshëm për mysafirët e Brod-it gjatë pasdites. Mbrëmjeve ata shkonin në teatër. Brod gjithmonë i merrte dy bileta për premierë – nganjëherë e ftonte Otto-n, e nganjëherë Ester-in. “Ata kanë qenë një treshe,” thotë Eva. “Të dy burrat kanë vdekur në vitin 1968 brenda gjashtë muajve.”

Dashuria shpirtërore

Në testamentin e fundit, në qershor të vitit 1961, Brod e ka emëruar “Zonjën Ilse Ester Hoffe” si ‘zbatuese të vetme të testamentit”. Por ai nuk e ka specifikuar se ku duhej të vendoseshin dorëshkrimet dhe letrat e tij. Në pikën 11 të testamentit, ai ka përmendur vende të mundshme si Biblioteka Kombëtare dhe Universitare Hebreje në Jerusalem, biblioteka e qytetit në Tel Aviv, por gjithashtu “çdo arkiv tjetër publik në Izrael apo edhe jashtë tij.” Ka qenë në dorën e Ester Hoffe të përcaktojë se cili prej këtyre vendeve do të shërbente si depo pas vdekjes së saj, ka shkruar Brod, “nëse ajo nuk ka bërë aranzhime të tjera gjatë jetës së saj.”

Thashethemet vazhdojnë deri në ditët e sotme se Brod dhe Hoffe ishin dashnorë dhe se një Ester e përcaktuar mund të ketë qenë një gjuetare e trashëgimisë, e cila gjithashtu, nëpërmjet intimitetit, ka fituar pëlqimin e Brod-it. Dyshime të tilla janë të bazuara fillimisht në një paragraf të testamentit, i cili specifikon se korrespodenca ndërmjet atij dhe Ester mund të botohet vetëm njëzetepesë vjet pas vdekjes së tyre. “Nëna ime sigurisht se nuk ka qenë e dashura e Brod-it,” thotë Eva Hoffe, “dashuria e saj nuk ka qenë fizike – ka qenë shpirtërore.”

Që nga fillimi, shteti i Izraelit e ka diskutuar trashëgiminë e Ester Hoffe. Këshilltari ligjor në qeverinë e Izraelit e ka paditur Hoffe-n në fillim të viteve shtatëdhjetë, duke e kontestuar atë si zbatuese të testamentit. Shoqja e ngushtë e Brod-it e kishte fituar procesin gjyqësor. Testamenti, pat konfirmuar gjykata në janar të vitit 1974, “i lejon Zonjës Hoffe, për tërë jetën e saj, të ketë liri veprimi.”

Qeveria pastaj papritur i kishte ndryshuar taktikat. Më 23 korrik të vitit 1974, Ester Hoffe ishte arrestuar në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit nën dyshimin për tentim të kontrabandimit jashtë vendit të dokumenteve në dorëshkrim. Një kërkim në bagazhin e saj zbuloi gjashtë zarfe me fotokopje të dokumenteve të Kafka-s, por asnjë origjinal të tij. Drejtori i Arkivit Kombëtar më vonë i kishte dërguar Hoffe-s një letër të shkruar ku i kërkonte falje për çfarëdo shqetësimi. Ligji mbi arkivin i vitit 1955 kërkon që çdo izraelit t’i jepte arkivit shtetëror kopje nëse dorëshkrimet origjinale nxirren jashtë shtetit. Arkivisti aktual i shtetit, Jehoshua Freundlich, ka thënë për Spiegel se ai nuk ka ndonjë evidencë që Ester Hoffe e ka thyer ligjin. Ai ka thënë se gjatë jetës së saj, ajo u ka dërguar arkivave një numër të kopjeve të dokumenteve, ditarëve dhe dorëshkrimeve.

E frikësuar nga grabitja

Për arsye që mbesin të paqarta, asistentja e Brod-it ka qenë gjithmonë tepër e fshehtë. Botuesi nga Berlini dhe specialisti i Kafka-s Klaus Wagenbach ka qenë një prej disa personave të cilëve Brod u ka lejuar të shohin arkivat e tij gjatë viteve pesëdhjetë. “Ai duhej të m’i tregonte materialet në fshehtësi nga frika mos do ta kuptonte Hoffe,” rikujton Wagenbach, i cili tani është 79 vjeçar. Pas vdekjes së Brod-it, Hoffe nuk i kishte lejuar askujt të ketë qasje në thesarin letrar, madje as hulumtuesve seriozë. Mund vetëm të spekulohet se cilat kanë qenë motivet e saj. Ndoshta ajo ka pasur frikë nga grabitësit – apo ndoshta ka dashur të mbledhë para.

Në cilindo rast, ajo ka përfunduar duke shitur një numër të madh të dokumenteve. Gjatë dekadave në vijim, dokumentet e Kafka-s zakonisht janë paraqitur nëpër ankande publike. Në vitin 1974, për shembull, një shumë prej 22 letrave dhe 10 kartolinave që Kafka ia ka dërguar Brod-it, bashkë me dokumente të tjera, ishin shitur në ankand për një shumë prej 90 mijë markave (46 mijë euro). Pastaj, në vitin 1985, një letër e Kafka-s që ia kishte dërguar të fejuarës Felice Bauer u shit për 11 mijë marka. Kjo ishte pasuar me vënien në ankand të dorëshkrimit origjinal të romanit “Procesi” në vitin 1988. para kësaj shitjeje, ka pasur plane që të jepet hua dorëshkrimi për një ekspozitë për Kafka-n në Paris. Kjo kishte dështuar, megjithatë, sepse Hoffe kërkonte një shumë enorme të parave dhe një kërkesë personale me telefon nga presidenti francez. Sjellja e Hoffe-s i dhunon qëllimet e Brod-it, ka thënë Wagenbach, i cili, në atë kohë, tashmë kishte filluar të ngrehë zërin e kritikave: “Max Brod pa dyshim nuk e ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar dorëshkrimet e Kafka-s prej nazistëve në mënyrë që tani të mund të shiten nga Ester Hoffe me mospërfillje të plotë të obligimeve letrare.”

Në një rast, Hoffe madje kishte mbledhur para të gatshme pa e dorëzuar mallin. Në vitin 1988 ajo kishte bërë një kontratë me botuesin gjerman Artemis & Winkler, në të cilën ajo ia kishte dorëzuar të gjitha të drejtat e botimit të ditarëve të Max Brod-it. Ajo kishte marrë një shumë pesëshifrore, por asnjëherë nuk i kishte dorëzuar ditarët.

Një gjë është e qartë: duke iu falënderuar trashëgimisë, Ester Hoffe është bërë grua e pasur. Vajza e saj, Eva, megjithatë, ankohet se i duhet të jetojë një jetë modeste. Ajo dhe motra e saj nuk kanë qasje në paratë që, siç thuhet, arrijnë deri në një milion euro, për shkak se seancat e vazhdueshme e kanë pamundësuar gjykatën nga lëshimi i certifikatës së trashëgimisë. Diskutimi ligjor, që po bëhet në gjykatën për çështje familjare në Tel Aviv, është duke u ndërlikuar. Avokati që i përfaqëson dy motrat Hoffe ka propozuar ndarjen e trashëgimisë në dy pjesë të ndryshme, duke i lëshuar paratë tani dhe më vonë duke negociuar pronën e diskutuar të Brod-it. Por gjykatësi i çështjes e ka refuzuar këtë ide. Tani motrat Hoffe kanë apeluar në Gjykatën Supreme të Izraelit për të shtyrë përpara procesin. Në mënyrë të dukshme, autoritetet izraelite janë duke u përpjekur – mu sikurse kanë bërë vite më parë me Ester Hoffe – për të paraqitur vajzat si trashëgimtare ilegjitime. “Dokumentet nuk i kanë takuar Ester Hoffe-s, kështu që ato nuk u takojnë vajzave të saj,” thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit, Shmuel Harnoi. "Sipas testamentit, dorëshkrimet na takojnë neve.”

Përndryshe, motrat Hoffe mendojnë se zgjidhja më e mirë mund të ishte transferimi i koleksionit në Arkivin e Letërsisë Gjermane në Marbach të Gjermanisë. Ky është vendi ku ruhet një prej koleksioneve më të mëdha të dorëshkrimeve të Kafka-s, i dyti pas Oxford-it. Dhe gjermanët janë përpjekur vazhdimisht për Hoffe-t. Në një letër dërguar Eva Hoffe-s, që mban datën e dy qershorit të këtij viti, drejtori i arkivit, Ulrich Raulff,
ka shkruar se nëna e Eva-s “ka shfaqur synimet e saj në një numër të rasteve për të transportuar trashëgiminë e Max Brod-it për në Marbach.” Dhe “derisa hapi i parë i realizimit të këtyre synimeve,” sipas Raulff, ajo i kishte dërguar arkivit gjerman 40 dokumente dhe kartolina që shkrimtari gjerman Stefan Zweig ia kishte dërguar Brod-it.

Raulff gjithashtu ka thënë se janë të gatshëm të “bashkëpunojnë me shtetin e Izraelit, me institucionet izraelite dhe me hulumtuesit.”
Një gjë e tillë i ka bindur motrat Hoffe. Ato e ndiejnë se Biblioteka Kombëtare e Izraelit është e pajisur shumë varfërisht. “Është e vërtetë se kapacitetet tona të ruajtjes nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare,” pranon drejtori i bibliotekës Harnoi. Por, ai thotë se është e papranueshme të shitet jashtë vendit trashëgimia kulturore izraelite.

Në maj të këtij viti, arkivi gjerman ka raportuar se ka kërkuar një numër të dokumenteve të Brod-it. Ky lajm e ka nxitur gazetën Haaretz të spekulojë se Eva Hoffe tashmë e ka konvertuar në të holla një pjesë të trashëgimisë së saj. Megjithatë, shitësi ka qenë një grua e moshuar nga Cologne, e cila ka ruajtur një korrespondencë me Brod-in para disa dekadave, siç ka konfirmuar Ulrich von Bülow, e cila e udhëheqë departamentin e dorëshkrimeve.

Askush nuk e di saktësisht se çfarë përmban trashëgimia letrare e Hoffe-s dhe, pa e ditur se çfarë ka aty saktësisht, vënia e një çmimi është e pamundur. Pa dyshim, ka skica të pabotuara nga Franz Kafka, thotë botuesi gjerman Wagenbach. Bülow madje dyshon se koleksioni përmban dorëshkrimet origjinale të romanit të papërfunduar të Kafka-s "Wedding Preparations in the Country." Por sigurisht se nuk ka asgjë të vlefshme në apartamentin e saj, thotë Eva Hoffe. Dokumentet janë të ruajtura në kuti depozituese në dy banka të ndryshme.

Pak muaj më parë, motrat Hoffe kanë vizituar të dy institucionet financiare dhe kanë hedhur një shikim brenda kutive. Eva Hoffe nuk dëshiron të tregojë saktësisht se çfarë përmbajnë ato – apo ajo nuk është në gjendje të japë ndonjë vlerësim. Ajo mund ta bëjë të njohur vetëm këtë: “Dokumentet janë në gjendje të mirë”.

Përktheu: Alfred Beka

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…