Skip to main content

Ka ardhur koha për një shtëpi përkthimi në Shqipëri?

Ka ardhur koha për një shtëpi përkthimi në Shqipëri?

NJE HISTORI E DENJE PER ROMAN

Guri filozofal

Mira Meksi

Më 11 gusht 2009, një histori e shkruar në gazetën franceze "Le Monde" mbante një emër të denjë për titull romani: "Shakespeare and Company, ose të fjeturit e librit". Shkrimi niste me frazën: "Nuk është bujtinë rinore. Këtu ata vijnë për të pasur një eksperiencë më shumë". Me këto fjalë, David Delanet përshkruan aventurën e " Shakespeare and co", librarisë anglofone ku ai punon për më shumë se dy vjet. Bëhet fjalë për trashëguesen (më 1950) e emrit të librarisë së famshme "Shakespeare & Co", themeluar nga Sylvia Beach më 1919, në 12 rue de l‘Odeon, e cila botoi për së pari më 1922 Uliksin e Joyce-it. Libraria, - një institucion i vërtetë, - është kthyer në një strehëz për shkrimtarë dhe artistë të rinj endacakë e pa para. Është një godinë e vogël në breg të Senës, nga kati i parë i së cilës duken pemët e qershive në trotuar që çikin këmbët e katedrales Notre-Dame. Krijuesit vijnë këtu nga e gjithë bota dhe gjejnë një çati dhe haje për disa net, apo edhe një muaj, ka raste, në shoqërinë e Sylvia Whitman-it, të atit të saj George-it dhe të qenushes Colette. Njëlloj si "tumbleweeds" - topthat e kashtës që enden përmbi truallin e pluhurtë në filmat western,- ata ndalen një hop në " Shakespeare and co", për të vazhduar më tej rrugëtimin e tyre, dhe i vetmi detyrim që kanë, është dy orë punë në ditë në magazinën e librarisë. Nuk janë turistë, janë artistë që vijnë në kryeqytetin e kulturës, për të ushqyer artin e tyre, krijimin. Libraria- strehëz me emrin e Shakespeare-it qëndron përherë dyerçelur për ata që nuk nxjerrin mjaftueshëm para me punën e tyre, por që i japin botës aq shumë... Leximi i historisë së rrallë në "Le Monde" më kujtoi të tjera streha për krijues, përkthyes letrarë dhe shkrimtarë, të cilave dikur, në kohën që për përkthyesit letrarë shqiptarë edhe gjetja e një fjalori të vërtetë gjuhe të huaj qe mundim i madh, edhe unë ua pata njohur mikpritjen dhe bujarinë, - kolegjeve europiane apo ndërkombëtare dhe shtëpive të përkthyesve, të shpërndara pothuaj në të gjithë botën. I pari kolegj i përkthyesve u krijua në Straelen të Gjermanisë më 10 janar 1978, - modeli qe shembulli historik i Mesjetës, në Toledo të Spanjës, me Shkollën e Përkthimit ku ekzistonte një kolektivitet linguistik që përkthente më së pari klasikët grekë në gjuhën latine, por edhe që shkëmbente eksperienca përkthimore mes veti. Pas Straelen-it, erdhi Arles, Tarazona, Looren, Seneffe, Visby, Banff... e dhjetëra të tjerë. Që nga Gjermania, Franca, Italia, Greqia, Anglia, Zvicra, Belgjika etj., dhe gjer te Norvegjia, USA... Të gjitha këto institucione, në shërbim të dialogut të madh kulturor mes popujve, të njohjes dhe identifikimit mes tyre, mëtojnë të krijojnë jo vetëm një "strehë" për mëditësit e përkthimit, punëtorët kryesorë të mundësimit të dialogut të sipërpërmendur, dhe lehtësira për zejen e tyre të vështirë, nëpërmjet qetësisë së viseve ku ngrihen dhe komoditetit të një ambienti mikpritës, me biblioteka dhe mediateka, por edhe një nxitje të fuqishme për përkthimin në sa më shumë gjuhë dhe promovimin në botë të letërsisë së tyre respektive, - pjesë e rëndësishme e kulturës. Madje, vetë kuptimi i "strehës" për këta krijues, përligjet në sajë të kësaj nxitjeje: portat e saj hapen vetëm nëse përkthyesi do të përkthejë në gjuhën e tij një vepër, kryesisht letrare, nga gjuha e vendit ku ndodhet institucioni i përkthyesve; por edhe të ketë një kontratë botimi në vendin e vet për veprën e përkthyer. Dhe me t‘u hapur portat e "strehës", për mëditësin e ngratë të përkthimit është njëlloj si të jetë hapur "Sezami": ai gëzon jo vetëm lehtësirat e mrekullueshme për punën e tij, që përmenda më sipër, por edhe një bursë ndenjieje, takim me shkrimtarin që po përkthen dhe konsultim me të, si edhe një sërë aktivitetesh të tjera që kanë të bëjnë me universin e përkthimit, - gjithçka në shërbim të promovimit në botë të letërsisë së vendit që i përket "streha".

Përpara pak kohësh, gjerazi në shtypin tonë u pasqyrua polemika mbi njohjen apo mosnjohjen e letërsisë shqipe në botë: pro-të qenë në numër më të madh se contra-t, pra shumica pjesëmarrëse në polemikë qe e mendimit se letërsia shqipe është e njohur në botë. Argumentet nga të dy anët, qenë të shumta. Po ç‘do të thotë të jesh i njohur? Të jesh i njohur, gjykoj, mbart dy kuptime: një domethënie etike dhe një domethënie në fushën e njohjes. Së pari, nga këndvështrimi etik, të jesh i njohur nënkupton të jesh i pranuar nga të tjerët në tjetërsinë që letërsia shqipe shpalos në rrafshin e vlerave letrare, vlerave ideologjike, vlerave kulturore etj. Nga ky këndvështrim, të jesh i njohur, domethënë, i pranuar, nuk varet shumë nga vullneti ynë, por nga vullneti i tjetrit. Sa është e njohur letërsia shqipe në këtë kuptim? - Çmimet letrare të marra nga shkrimtarë shqiptarë, - mbi të gjitha marrja prej Kadaresë e dy çmimeve më prestigjioze europiane, - të cilët përfaqësojnë vetveten nga këndvështrimi stilistik, dhe kombin me letërsinë e tij, nga këndvështrimi i kontekstit kulturor, çka është një fakt i përmendur me forcë edhe në motivacionin që ka shoqëruar çmimet letrare të marra nga autorët shqiptarë; Së dyti, nga këndvështrimi që lidhet me suazën e njohjes, atë shkencore, të jesh i njohur nënkupton të jesh kthyer në objekt interesi, qëmtimi, analizash dhe studimesh. Nga ky këndvështrim, të jesh i njohur varet jo aq shumë nga tjetri sesa nga performanca vetjake, nga paraqitja që i bëjmë vetvetes. Sa është e njohur letërsia shqipe në këtë kuptim?

Deri përpara viteve ‘90, mund të themi se letërsia shqipe, pavarësisht se e lëvruar në kushtet e diktaturës, kishte një performancë të vetvetes deri diku të kënaqshme, kjo mbase për faktin se promovimi i letërsisë shihej si pjesë e promovimit të regjimit dhe ideologjisë së tij në sytë e të tjerëve. E kam fjalën për revistat letrare që botoheshin në vend në gjuhë të ndryshme, çka sot tingëllon e paqenësishme. Krahas kësaj, ndoshta edhe për shkak të kërshërisë që zgjonte mbyllja hermetike e Shqipërisë dhe jeta që gjallonte brenda guaskës së saj, interesi për letrat shqipe ka qenë shumë më i lartë sesa sot, ku do të mjaftonte të sillnim ndërmend një vepër madhore si ajo e Akad. Prof. Ernest Koliqit mbi letërsinë shqipe, e botuar jashtë Shqipërisë, apo botimet e Prof. Arshi Pipës, Prof. Martin Camajt etj. Nëse mbajmë parasysh këtë, atëherë përpara se të ngremë pyetjen nëse jemi apo jo të njohur, domethënë, të pranuar, lipset të analizojmë me qetësi dhe mendje të kthjellët, performancën dhe promovimin që i bëjmë vetvetes dhe letërsisë që lëvrojmë. Është me vend të përmendim se, për fat të keq, shteti nuk është përfillur ende të bëjë diçka në këtë drejtim, dhe të mos harrojmë sa e rëndësishme është kjo, - ishte pikërisht një botim në frëngjisht i romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nga shtëpia botuese "Naim Frashëri", që tërhoqi vëmendjen e Francës ndaj krijimtarisë së shkrimtarit shqiptar; eksperienca botërore është shumë e gjerë për këtë. Akoma Ministria e Kulturës nuk ka një projekt për të financuar botime të kategorisë së revistave letrare të letrave shqipe në gjuhë të huaj. Ka ardhur koha, gjykoj, që ajo të bashkëpunojë me botuesit për përvijimin e një gjerdani botimesh të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, siç vepron shtëpia botuese "Giunti", në Itali, apo "Actes Sud", në Francë, apo siç ndodh me botimet e "Goethe Institut" në lidhje me letërsinë gjermane. Ca më tepër ka ardhur koha që në Shqipëri të krijohet një shtëpi përkthimi. Ndërkohë që shtete, kultura dhe gjuhë të mëdha e kanë ndier nevojën, që prej 35 vjetësh, të ngrenë institucione të tilla, për ne shfaqet si një ngut jetik: është i mirënjohur fakti që përkthimi letrar, në mbarë botën, është një nga zejet më të vështira dhe më të keqpaguara; përkthyesit letrarë nga gjuha shqipe në gjuhët e huaja numërohen me gishtat e dorës. Ekzistenca e një "strehe" të tillë mikpritëse dhe efikase në vendin tonë, do të qe një motivim i sigurt për ta dhe për punën e tyre, në dobi të përhapjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në botë; dhe mjetet për ta realizuar këtë, nuk mungojnë: institucionet europiane financojnë një pjesë të mirë të mbajtjes së këtyre kolegjeve apo shtëpive të përkthimit nëpër botë. Dhe mendoj se një shtëpi e tillë përkthimi te ne jo vetëm do të krijonte një atelie të mrekullueshme të bashkëpunimit përkthye-autor, shkëmbime eksperiencash përkthimore dhe të shkrimësisë, por edhe do të sillte, në të njëjtën kohë, një frymë të re kulturore në vend.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…