Skip to main content

Dashuria e pamundur e Franz Kafkës

Shkrimtari i madh, Franz Kafka, ndërroi jetë më 3 qershor të vitit 1924. Sot mbushen 85 vjet nga vdekja e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX

Ajo banon në Berlin, ai në Pragë. Jetojnë 800 kilometra larg njëri-tjetrit dhe në pesë vite fejesë, do të shihen vetëm për pak ditë bashkë... megjithatë, dashuria e tyre është përshkruar në qindra letra. Ai, Franz Kafka, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, e përjetoi kështu dashurinë e tij me Felice Baur. Një lidhje dashurie mes letrash të dërguara e të marra, të cilat përtej të gjithave, ishin stimuluese e kësaj largësie të kërkuar prej tij... Në të vërtetë, më shumë se gjithçka ai dashuronte letërsinë! Me Felicen, për herë të parë takohen në gushtin e vitit 1912 në shtëpinë e mikut Max Brod. Kafka fillimisht i përshkruan asaj defektet fizike: dhëmbët e shëmtuar, fytyrën këndore, dukjen e saj të pakuptimtë. Por me këtë grua të re, aspak tërheqëse ai dashurohet dhe nis në këtë mënyrë një korrespondencë epistolare me një stil dhe me imagjinatë të ngjashme, në mos më të lartë se prodhimtaria e tij e famshme letrare. Letrat i lejojnë që shpirti të jetë më i hapur edhe ndaj ndjenjave më sekrete dhe në të njëjtën kohë të mos impenjohet në një marrëdhënie materiale që e tremb. Shpesh është i dyzuar mes dëshirës për t‘u martuar me të dhe bindjes se kjo lidhje do të jetë shkatërrimi dhe një pengesë për të shkruar. Takimi me Felicen çliroi forcën krijuese të Kafkës. Kur u takuan në shtëpinë e Max Brod, ai ishte 29 vjeç dhe ajo 25. Dashuria e tyre është e gjatë dhe torturuese - fejohen, ndahen, ribashkohen deri në lamtumirën përfundimtare. Pasi zbulon se është i sëmurë me tuberkuloz, Kafka vendos ndarjen e dhimbshme nga gruaja që vërtet e dashuroi. Siç tregon miku i tij, Brod kjo është edhe hera e fundit që e pa Kafkën të qajë. Pas kësaj, ai kaloi të tjera dashuri derisa ndërron jetë më 3 qershor të vitit 1924 duke lënë pas një krijimtari të dashur plot me tematika filozofike.




Felice Bauer 27 maj 1913


Jemi kështu drejt fundit, Felice, me këtë heshtje më largon dhe e thyen shpresën time për të vetmen lumturi që më është e mundur mbi dhe. Por përse kjo heshtje e tmerrshme, përse asnjë fjalë e dëlirë, përse e torturon veten për javë të tëra për mua, dukshëm, në mënyrë kaq të hapur? Kjo nuk është më dhembshuri nga ana jote, sepse nëse do të isha për ty edhe burri më pak i njohur dhe i afërt, në një farë mënyre gjithsesi do e kishe kuptuar se sa vuaj për shkak të kësaj paqartësie, vuaj deri në atë pikë sa e humbas dritën e arsyes, dhe nuk mund të jetë dhembshuri gjithçka që përfundon me të tillë heshtje. Natyra vazhdon rrugën e vet, nuk ka më kthim, sa më shumë të njihja, aq më shumë të doja, sa më shumë ti më njihje mua aq më shumë të jam bërë i padurueshëm. Sikur ta kisha kuptuar të paktën, sikur të kisha folur hapur, nuk do të kisha pritur kaq shumë derisa të të gjeja në pamundësinë për ta bërë, deri kur të mos mundesh të gjej më mundësinë për të shkruar një fjalë të vetme nga një udhëtim prej pesë ditësh, apo deri kur t‘u përgjigjesh me një rresht letrave në të cilat të kërkoj një vendim, për t‘u ngushëlluar të paktën në këtë mënyrë me faktin që për një kohë të gjatë nuk ka marrë vesh asgjë për ty në kaq kohë. Edhe dje, kur të telefonova, kuptoja shumë pak, sepse nga gëzimi që po dëgjoja zërin tënd më gumëzhinin veshët. Më the se më kishe shkruar të dielën në mbrëmje dhe se të martën, do të mbërrinte letra në shtëpinë time. Jo, nuk ka asgjë, ti nuk ke shkruar të dielën e madje as të hënën pas telefonatës, nuk mund të shkruash, por nuk mundesh as të thuash se nuk mund të shkruash. Tani mendoj se e vetmja gjë e jotja; autonome, personale që kishe për të më thënë dje ishte: truri im po shpërbëhet, kështu nuk mund të jetoj më. Ndoshta nuk duhet të të detyroj ta bësh, por pavarësisht kësaj të lutem shprehimisht, mos më shkruaj më, as një fjalë, bëj si të thotë zemra. Edhe unë nuk do të shkruaj, nuk do të dëgjosh më qortime, nuk do të shqetësohesh më, të lutem vetëm të kujtosh, për aq sa do të zgjatë heshtja jote, se unë të përkas, sot dhe gjithmonë.


Franz




Pragë, 20 shtator 1912


E nderuar zonjë,

Do të ishte një rastësi e lumtur nëse do të kujtoheshit qoftë edhe minimalisht për mua, megjithatë po ju prezantohem edhe një herë: më quajnë Franz Kafka dhe jam ai që herën e parë ju përshëndeti në Pragë atë mbrëmje në shtëpinë e drejtorit Brod, pastaj ju vendosa nga njëra anë e tavolinës në tjetrën fotografi të një udhëtimi nga Talia, njërën pas tjetrën, dhe në fund, me këto duar që tani rrahin tastierën, mbajti dorën Tuaj me të cilën Ju konfirmuat premtimin për të bërë me të një udhëtim në Palestinë vitin e ardhshëm. Nëse akoma jeni me idenë për të ndërmarrë atë udhëtim.

Ju thatë atëherë se nuk keni një karakter të ndryshueshëm, e madje as unë nuk e vura re një gjë të tillë te Ju, mendoj se është jo vetëm oportune, por edhe absolutisht e nevojshme që të mundohemi të kuptohemi qysh në fillim në lidhje me këtë udhëtim. Do të na duhet në fakt të shfrytëzojmë deri në fund pushimet tona, tepër të shkurtra për një udhëtim në Palestinë, dhe do të mund ta bëjmë vetëm nëse do të jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nëse do të jemi gati për të gjitha përgatitjet. Duhet vetëm t‘ju rrëfej diçka, pavarësisht nëse do të tingëllojë keq dhe kjo e keqe të përshtatet në sa kam shkruar: unë nuk jam i përpiktë në të shkruar letra. Përkundrazi do të ishte më keq nga sa është tani, nëse nuk do të kisha një makinë shkrimi; në fakt, nëse ndonjëherë humori im nuk do të ishte i mjaftueshëm për një letër, janë majat e gishtave ato që mund të shkruajnë. Në këmbim, nuk pres asnjëherë që letrat të më vijnë të përpikta; madje edhe kur e pres një të tillë me ankth, çdo ditë të re, nuk mbetem i zhgënjyer nëse ajo nuk vjen dhe kur më në fund vjen, ndodh të tronditem lehtësisht. Vendosja e letrave të njohura është ndoshta më e vështirë nga sa mund të duket. Mirë të më bëhet nëse do të kisha bërë këtë gabim: në fakt, përse nis të shkruaj këtë letër, pasi kam qëndruar për gjashtë orë në zyrë dhe me një makinë me të cilën nuk jam shumë i mësuar? E megjithatë, megjithatë është i vetmi dizavantazh i të shkruarit me makinë është se më lejon të thyhem kështu - edhe nëse do të kishte dyshime, dyshime praktike e kam fjalën, për të ndërmarrë një udhëtim si shoqërues, udhërrëfyes... dhe gjithë sa mund të jem akoma, pavarësisht se jam ende në korrespondencë (dhe vetëm për këtë bëhet fjalë për momentin), nuk besoj se do të ketë asnjë kundërshtim dhe Ju mund të tentoni me mua.

I juaji përzemërsisht dhe me devotshmëri!


Dr. Franz Kafka

Përgatiti A. Hekurani
Marre nga Shqip

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…