Skip to main content

Bilosnic, tigri dhe poeti i diellit që vjen nga Zara e Kroacisë

Nga Dhurata Hamzai
- Me poetin kroat me origjinë shqiptare Tomislav Marijan Bilosnic. Kjo intervistë i është marrë poetit si pjesëmarrës në edicionin e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë POETEKA, që u zhvillua këtë vit në Durrës nga 21 deri më 27 shtator 2009


Nuk e di ende, nëse do të ishte bukur t’i thoshe “poeti Tigër”, Tomilslav Marijan Bilonsnicit nga Zara e Kroacisë, ndërsa ke parë se mes 85 veprave të tij ai ka një vëllim fantastik me poezi kushtuar tigrit. Tigri i tij metaforik është i mahnitshëm, ai shfaqet në rrugën paqësore të Zarës, shfaqet i kadifejtë, tigri është fjala e tij e parë, është tigri i lidhur me shtëpinë, është tigri që kthehet për ta çuar në botën e amëshimit, tigri që ikën, plagoset e kthehet sërish.
“Rrezëllente
Kundërmonte
Egërtohej
Herëpashershëm vinte për ujë
Dhe largohej i fundit
Gjithnjë përmbushte zakonin e afatit
Gjithnjë përfitonte forcë
Fare s’i toleronte prekjet
Vinte rreth e rrotull meje
Bënte ç’kishte bërë më parë
Tigri im është lidhur me shtëpinë time
Duke mos lëshuar asnjë vend
Që i është premtuar”.
Kështu shkruhet në njërën prej poezive të tij. E ky tigër që gjezdis livadhet e blerta të fantazisë së poetit, është ende një dukuri misterioze për kritikën letrare, e për këtë, ndoshta si një tigër do të dukej në përfytyrimet tona fantastike edhe poeti. Kur lexova pas këtyre vargjeve që dija, poemën e tij “Trëndafilat e Elbasanit”, për të cilën i kishte mjaftuar edhe një vizitë e vetme në këtë qytet, po më dukej se kisha të bëja me dy poetë të ndryshëm. Mendova se “tigrin” e poetit Tomislav nuk e kisha kuptuar mirë. Nuk është një tigër ai poeti, por është tigri simbolik për të cilin Bilosnici shkruan përmes vijave ajrore të poezisë:
“Ende se besoj s’e ka heq dorë nga unë,
se s’do të kthehet më…”
Është ky poet, pra, që mes një mali me krijimtari, në vitin 2004 hodhi në qarkullim edhe një vëllim të tërë poetik me tigrin dhe që titullohet “Tigër”. Mbase ky vëllim do ta ketë bërë edhe më të njohur në botë, por nëse e njeh nga afër Tomislav Marijam Bolosnincin, të mbetet ta quash vetëm poeti i Diellit. Ai temperament shpërthyes, ai buzagas i pandarë nga sytë, ajo energji e tij duket sikur ka mbledhur gjithë flladet, furtunat, erërat dhe diellin e Mesdheut në një zemër që brambullit prej flakëve të pasionit. Tomislav Marijan Bilosnic lindi më 1947 në Zemunik, Zarë të Kroacisë. Nëna e tij ishte me origjinë shqiptare nga Shkodra. Në një nga udhëpërshkrimet e tij nëpër Shqipëri ai shprehet : “Shqiptarët e parë erdhën në Zemunik gjatë muajit Maj, të vitit 1727. Në këtë mërgim të parë të madh, stërgjyshi im i largët nga ana e nënës, gjithashtu erdhi në Zemunik. Mbiemri i tij ishte Paleka (Paloka) me emrin Doka”. Si krijues Bilosnic është shumë dimensional. Ai është nga poetët bashkëkohorë më në zë në Kroaci, fejtonist, kritik, piktor, fotograf, udhëpërshkues, korrespoedent, etj. Bilosnic ka shkruar mbi 50 libra, romane, vëllime poetike, studime, libra me haiku, albume me piktura të tij, libra me shënime udhëtimi..., një karrierë pafund. Ka udhëtuar në një pjesë të mirë të botës, ndërsa ka punuar si punëtor ndërtimi, teknik makinash, kamarier, shofer, kontabilist, administrator, gazetar, udhëheqës marketingu dhe referent i lartë komercial i pavarur.
Tomilslav Marijan Bolosnic ka qenë i dënuar, por edhe i shpërblyer. Si pjesëmarrës i Pranverës Kroate, ai u burgos, u përndoq e ndalua. Mes vlerësimeve që pati, nderimeve qytetare, çmimeve të shumta letrare të tij, përmendim “Stema e qytetit të Zarës”, një çmimi ky i qarkut Zarë për veprimtari artistike dhe shoqërore. Disa nga veprat më të njohura letrare të Tomislav Marijan Bilosnic janë “Sensa Luna”, Zarë 1968, “Edhe shoqëria që mbetet”, Zagreb 1977 ; “Skllavërimi i peshqve në ujin e zemrës”, Split 1977 ; “Il kaprikorno alato”, Napoli 1983 ; “Ballë për plumb”, “Mostar 1984” ; “Rrëfimi i njeriut të tepërt”, Zarë 2006 ;
“Drita e (Xhekson) Pollokut” (monografi me piktura) ; Zarë 2006 ; “Maska dhe fytyra”, Zarë 2006 ; “Liburna e vjetër”, Zarë 2007, etj, etj.
E cilado të ketë qenë jeta e tij, apo peripecitë që ka pasur, Bilosnic është një poet i madh, njohës i ndjesive të holla, dhe çlirues i së bukurës, është i pasur me intuitë dhe në krijimtarinë e tij vrrulltas kalon lëngu i jetës, me erëmimin e një vere të mirë mesdhetare. Gjatë takimit tonë në festivalin ndërkombëtar POETEKA, mes poezive që kishte poeti me vete ishte edhe poezia “Trëndafilat e Elbasanit”. Kjo vepër e tij ishte në përmasat e një poeme, të veshur me ngjyra muzikore dhe shije të çuditshme, jo si e një të huaji, por sikur Tomislavi të kishte lindur në këtë qytet, brez pas brezi. Ajo nuk është e shkruar si poezia e një vizitori, ose turisti dhe poeti e di mirë, më mirë se të gjithë pse ajo poezi është shkruar aq bukur. Ai nuk e flet dhe nuk e shkruan më gjuhën shqipe, por e kupton se e ka të shkruar në gjakun e tij këtë gjuhë.

Nga jeni ju poet?

-Unë Tomislav Marijan Bilosnici jam nga Zara e Kroacisë.

Zadar, i thonë sot, apo jo?

-Ashtu i thonë. Unë jam nga Zara e bukur, pra! (Qesh).

Ke të drejtë, le të ruajmë emrin e vjetër! Zoti Bilosnic, meqë ne dimë më shumë për krijimtarinë tuaj sesa për vendlindjen, na thuaj vetëm dy fjalë për veprat që ke bërë dhe vazhdo të na tregosh për vendin tënd, për Zarën e bukur.

- Ju vetë më thatë që dini se unë kam libra më tepër se shkrimtarët e tjerë, 84 tituj, dhe kam shkruar me mijëra tituj gazetareskë. Kam qenë redaktor i gazetave dhe kam filluar disa gazeta të reja që janë sot në Kroaci. Në pjesën më të madhe të këtyre veprave, në tetëdhjetë përqind të tyre ju do të gjeni vendin tim. Ju keni dëgjuar për bukuritë natyrore, për shtëpitë, vreshtat ullinjtë, për njerëzit. Që të gjitha këto janë të sipërfaqshme. Në librat e mi, është shpirti i këtij vendi.

Po ju vetë si poet, si njeri, këtë natyrë energjike, këtë shpirt të dashur dhe karakter entuziast, të trashëguar nga vendi juaj e keni?

- Unë kam lindur dhe jam rritur në një vend të begatë, që dora e njeriut në harmoni me Zotin e ka bërë të tillë. Unë kam ullinj dhe vreshta vetë në shtëpinë time dhe jam mësuar që me to duhet të jesh i kujdesshëm: me vreshtat si me gruan dhe me ullirin si me nënën. Kjo më ka bërë te jem i qeshur, entuziast dhe të mos jem i vrazhdë, dhe veç kësaj jam rritur në themelet e kulturës mesdhetare ku njerëzit janë me shumë ndjeshmëri, siç janë edhe këtu në Shqipëri, edhe në Kroaci, edhe në Itali, edhe në Afrikën e Veriut, apo në Francë, pra siç janë njerëzit e çdo vendi në bregdetin e Mesdheut. Në fund të fundit është ajo kultura antike që të gjithë e mbajnë me vete dhe kultura që kemi në gjak. Është një lidhje e çuditshme me këtë kulturë. Ne e ndiejmë këtë të veçantë, e ndiejmë se jemi të shenjtë.

Kur ju thoni tokat mesdhetare, apo Mesdheu, mua më kujtohen vërshimet e turistëve, vizitorëve. Ç’kuriozitet të madh që kanë për gjithçka! Si mendoni ju, turistët e dëmtojnë apo e pasurojnë shpirtin e një mesdhetari?

- Mua turistët nuk ma pasurojnë jetën, ata shkojnë pas Diellit. Por, më duket se nuk janë pjesë e Diellit, ata duhet të shkojnë në këto vendet tona në një mënyrë që duan ta përvetësojnë. Flas në mënyrën simbolike. Dielli si dashuri dhe si jetë nuk mund të merret me vete, duke e mbartur nga vendet tona. Ajo që kemi është një dhuratë nga Zoti.

Dolët tek një pyetje që doja t’ua bëja. Në botë imazhi i mesdhetarit është i ndarë në drejtime të kundërta; njeriu që do tokën, jetën, njeriu i diellit, i pasionit dhe i dëshirës, i dashurisë dhe në të kundërt imazhi që kanë politikanët e botës, gjaku i keq, i hidhur, luftarak, çfarë mesazhi ka poeti për këtë imazh kaq kontradiktor?

- Unë kam folur për situatën në Ballkan, në Durrës, dhe thashë mendimin tim se bota politike sot tenton nga globalizimi, nga jeta virtuale, ka përparësinë, nga ana tjetër i takon çdo individi, çdo shteti që të mbajë dhe të ruajë identitetin e vet. Ata, vlerat historike, vlerat themelore, ku janë më të pasur, ku janë më të njohur, në çfarë pike janë më të veçantë, duhet të rezistojnë dhe ajo është lufta e gjithëhershme që duhet të mos bëhet si luftë, por nëse është e mundur si një përqafim dashurie.

Është e vërtetë që gjithëkush sot përpiqet të ruajë identitetin e tij, por cilat janë rrënjët e tua të identitetit?

- Parardhësit e mi janë me rrënjë shqiptare. Ata janë arbëreshë, të cilët kanë ardhur nga pjesa veriore e Shqipërisë, nga pjesa e Shkodrës dhe Ulqinit, ku jetojnë shqiptarët e sotëm. Janë bij të Mesdheut. Paraardhësit e mi janë të lidhur me detin, me atë gurin që e rreh era dhe dallga, me atë shkëmbin e Sizifit që e mbajnë mbi shpinë, e i ngjiten mundimshëm malit mitik.

Si shkëmbi i Sizifit duket se ka rënduar edhe atdheu tek shqiptarët e mërguar. Pse paraardhësit tuaj kanë mundur të ruajnë kulturën arbëreshe.

- Unë mendoj se mëmëdheun ata e kanë mbartur me vete. Ai është yni, është pjesë e jona. Është pjesë e botëkuptimeve tona, është pjesë e ndjenjave tona, e mendimeve tona. Në të njëjtën mënyrë unë mbaj mend mënyrën se si kanë jetuar gjyshërit e mi, janë disa sende që nuk mund të sqarohen, por thjesht e njeh veten dhe e njeh mënyrën se si vjen ajo që ke trashëguar. E njeh vendin tënd si vendin tënd, e di që është yti, edhe pse s’ke qenë asnjëherë aty.

Po me Zarën si i përjetoni lidhjet?

-Me Zarën jam lidhur shumë dhe nëse doni të dini se sa, ju kujtoj se 80 libra i kam shkruajtur për Zarën dhe jetën e Zarës. Nëse flasim për 3 mijë vjetët e vjetra të Zarës, unë do të nis të flas për rrënjët të cilat depërtojnë deri këtu, që mbërrijnë deri këtu. Zara është e Liburnëve, është e Ilirëve kur shtetet ilire ishin të fuqishme, aq të fuqishme saqë edhe ishulli i Korfuzit ishte i Ilirëve. Ndaj mendoj se kultura jonë ka qenë, ajo s’ka humbur kurrkund, asnjëherë, veç injoranca jonë e përdhunon, e lë mbrapa herë pas here. Ajo është në gjakun tonë, në frymën tonë.

Zoti Bilosnic, ju ishit i ftuar në festivalin Ndërkombëtar të Poezisë që zhvillohet në Durrës. Patët rastin të takoheshit me shqiptarët, vëllezër të një gjaku. Çfarë rëndësie pati kjo për ju?

-Disa herë e kam përsëritur. Më vjen keq që nuk e di gjuhën, por kur ata shqiptarët takohen me mua, kështu si tani që jam me juve, kam ndjesi të çuditshme familjarizimi. Siç mund të shihet, në Elbasan komunikoj ashtu sikur unë e di gjuhën. Nuk e di se si kuptohem aq shpejt edhe në rrugë me njerëzit…Nuk e kuptoj pse nisin të më duan e t’i dua aq shpejt. Në Durrës më ndodhi që disa njerëz që i kisha parë vitin e kaluar i përshëndeta dhe m’u afruan. Është ai impakt që unë këtu e ndjej natyrshëm veten, të lirë dhe me duket sikur i kam ditur e njohur shumë më parë disa gjëra, por edhe njerëzit që kam njohur duket sikur e dinë se çfarë unë mendoj. Kjo është një pikëpyetje e madhe edhe për mua. Nuk mund ta sqaroj dot. I them shpesh vetes : Ku je ti dhe çfarë ndodh me ty?! Kur mbërrita nga Durrësi në Elbasan me poetët e festivalit, i thashë vetes: Sonte unë jam në qytetin tim! Nuk e di pse ndodh kështu, nuk e di….

Këtë herë do të ndihmoj pak unë për përgjigjen. Tek poezia “Trëndafilat e Elbasanit”, ju m’u shfaqët sikur kishit qenë në tryezat e Elbasanit, sikur kishit fjetur si mik në familjet e tyre, sikur vajzat e Elbasanit ju kishin dashuruar që në moshë të re, sikur i dinit këngët e këtij qytetit, sikur ishit bir i Elbasanit. Ju siguroj se një poet i Elbasanit nuk e ka bërë kurrë një poezi të tillë për qytetin e tij...

- Nga e dini ju që unë dikur në jetën e mëparshme timen nuk kam jetuar në Elbasan?! Faleminderit për komentin që i bëtë poezisë sime. Edhe unë pyes veten se si është e mundur të kap ashtu sende, ndenja të pastra dhe të gjalla të jetës që me gjithë shpirt i ndjej dhe i shijoj. Në gjithë kaosin e ndjenjave, unë ndjej një lloj paqeje, dlirësie kur vi këtu. Se si është kjo pjesë e Shqipërisë, si e njohur për mua, kjo botë e shqiptarëve e ndjerë në çdo segment të trupit tim. Kur fillon pranvera në Zarë, unë lahem në ujë lulesh, dhe unë nuk e kam ditur se në Elbasan ajo ditë festohej si ardhja e pranverës, e verës. Pra, në mënyrë simbolike unë e kam jetuar jetën e Elbasanit, qoftë edhe me një ritual të vetëm, në të njëjtën ditë, Ditën e Verës, ku unë lahem me ujë lulesh dhe fëmijët e Elbasanit ëmbëlsohen me ballokume. Trashëgimia e vjetër kulturore e shqiptarëve është e shënuar me të njëjtën gjuhë, me të njëjtat shenja, me të njëjtin kalendar edhe në gjakun tim. Kjo gjuha e gjakut është një gjuhë që shprehet lehtë pasandaj, me cilëndo gjuhë të botës. Është vetia jonë e përbashkët që më bën miqësor, më bën të bie në dashuri me gjërat e thjeshta e të bukura, me saksitë e luleve të mbjella nga duar nënash, vajzash e grash, sepse unë e marr me mend pse këto gjëra janë kështu e nuk janë ndryshe. E di ç’gjuhë kanë trëndafilat, vreshtat, ullinjtë e Elbasanit, ashtu siç di dhe të Zarës së largët.

Ju jeni një udhëtar e përjetues i rrallë, në të gjitha udhët e jetës ngrini një poezi. Sa shumë poezi! Vepra voluminoze keni bërë. Nuk lodheni, nuk mërziteni, përse nuk e ndërprisni të shkruarin ndonjëherë? Cila forcë ju shtyn të shkruani pareshtur?

- Poezia ime kërkon të kthejë në jetë gjërat e bukura, gjërat e mira. E Bukura dhe e Mira mund të na vdesin përpara syve, nëse ne nuk i themi ose nuk i shkruajmë ato.

Popular posts from this blog

KADARE ME «KUSH E SOLLI DORUNTINËN» U NXIT SHQIPTARËVE ARMIQËSINË ME PERËNDIMIN DHE E BËN IDEATORIN E BESËS PËRDHUNUES TË MOTRËS

Novela e Ismail Kadare, «Kush e solli Doruntinën», e botuar për herë të parë në vitin 1980, mbahet si një nga kryeveprat e këtij shkrimtari. Por kjo novelë, që më pas është quajtur dhe roman, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të novelave të Ismail Kadare, është në fakt një projektim në të shkuarën, me bazë një legjendë të vjetër, i paradigmave ideologjike të propa­gandës së regjimit komunist, të kohës kur u shkrua kjo novelë. Më konkretisht, Kadare letrarizon, me një pro­jek­tim në të shkuarën, paradigmën izolacioniste antiperëndi­more, sipas së cilës gjendja e Shqipërisë komuniste, e kohës kur shkrua­nte autori, si e rrezikuar nga Lindja dhe Perëndimi dhe e izoluar prej tyre, qe një vazhdim i një linje të gjithkoh­shme të historisë shqiptare. Pikërisht Kadare këtë e paraqit tek novela «Kush e solli Doruntinën», e cila u botua në vitin 1980, menjëherë pas prishjes së Shqipërisë enveriane me Kinën, aleatin e vet të fundit të madh. Tash Shqipëria komu­niste i shihte si njëlloj armiq …

ISMAIL KADARE TEK «URA ME TRI HARQE» I PARAQET SHQIPTARËT SI TRIBU XHUNGLE QË EDHE URËN E PARË TË GURTË UA NDËRTUAN SLLAVËT

Novela e Ismail Kadare, «Ura me tri harqe», e botuar së pari në vitin 1978, si pjesë e triptikut (tre novela) me të njëjtin titull, dhe e ribotuar me disa ndryshime në periudhën paskomuniste (këtu i referohem botimit më të fundit, të vitit 2004), mba­het si një nga kryeveprat e Ismail Kadare. Ajo është përkthyer në shumë gjuhë të huaja, por si për të gjithë librat e Kadaresë nuk kemi të dhëna për numrin e kopjeve të botuara dhe të shitura në gjuhë të huaj. Megjithatë, edhe për aq sa është botuar dhe lexuar nga të huajt, ky libër i ka bërë një dëm të madh nacionit (kom­bit) shqiptar, se sipas këtij libri shqiptarët dalin si një popull shumë më i prapambetur se fqinjët në prag të okupimit turk (ngjarjet në novelë zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIV), që në këtë kohë nuk kanë ndërtuar as ura të thjeshta prej guri, dhe habiten kur dëgjojnë se mund të ndër­tohet një e tillë. Novela është një projektim në të shkuarën e lar­gët mesjetare e paradigmës ideologjike komuniste të kohës …

KUSH ESHTE HAMLETI?

Nga Profesor Alfred Uçi

Një kritik ka thënë se emrin e Hamletit e dinë të gjithë njerëzit, jo vetëm ata që e kanë lexuar tragjedinë shekspiriane ose që e kanë parë në skenë e në ekran. E me gjithë këtë, para ndërgjegjes estetike njerëzore mbetet pa përgjigje përfundimtare pyetja enigmë: Ç’është Hamleti? Nuk besojmë të ketë një figurë tjetër letrare, për të cilën të jenë zhvilluar shekuj me radhë diskutime pa fund dhe të jenë dhënë aq shumë përgjigje të mençura, të thella, origjinale, ndonëse të pamjaftueshme, se sa për Hamletin(Është llogaritur se zbërthimit të Hamletit i janë kushtuar rreth 25 mijë studime kritiko-letrare). Pyetjes së parë, mund t’i shtohet një pyetje e dytë: A mund të ketë në përgjithësi përgjigje shterruese për këtë çështje? Në përpjekjet për të dhënë shpjegime, në krye qëndron vetë drama e Shekspirit, që bart jo vetëm enigmën, por edhe mundësinë e deshifrimit të saj të saktë. Më mirë se Shekspiri, kush mund ta dinte se ç’është Hamleti! Prandaj vëmendja kryesore dre…